“Rreze” nga Nada Dosti
“Rreze” është shkrimi letrar i Nada Dostit, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
“Rreze” është shkrimi letrar i Nada Dostit, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
Zonja dhe zotërinj lidhni fort rripin e sigurimit, destinacioni radhës: vitit i katërt. Klasa më problematike e shkollës. Këto qenie hibride as të rritur as adoleshentë. Mjaftueshëm tetëmbëdhjetëvjeçarë për t'u dënuar nga ligji, por mjaftueshëm fëmijë sa për të kërkuar vëmendjen e munguar.
"Merr frymë thellë, t’i mund t'ia dalësh, këta ‘mostrat’ e vegjël nuk mund të të kafshojnë" i thash vetes para derës së klasës. Pas dy muajsh që mbaja shënime, përgatisja ditare dhe plotësoja raporte, më kishte ardhur më në fund radha për të zbritur në fushëbetejë. Dhëmbë më dhëmbë me armikun. Jo më pak se pesëmbëdhjetë vajza. Secila me kriza më vete, kush prej puçrrave, kush prej hormoneve, e kush prej atyre ballukeve të shkreta që s'donin e s'donin të rrinin mirë sot!
"Çfarë janë katër orë në ditë, dy ditë në javë, në një muaj" përpiqesha t'i jepja kurajë vetes. Por kur llogaritë e mia u barazuan me një shifër frikësuese, mbeta me shpatulla në mur. U mpiva komplet."
Nga t'ia nis. Çfarë t'iu them. Nëse hiqem cool me siguri do fitoj simpatinë e tyre. Por jo shumë, se pastaj do nisin të më manipulojnë. I njoh mirë unë adoleshentët, s'kanë kaluar shumë vite që kur kam dalë për vete nga bankat e shkollës. Para shumë e shumë kohësh, isha dhe unë një e tillë. Nga ato që i sillte mësuesit në maj të gishtërinjve, i sillja si të doja dhe bëja ligjin në shkollë. Obobo, po sikur ajo çfarë iu kam bërë të shkretëve mësues e drejtorë të më bijë në kokë..." mendime paranojave po më sillnin djersë të ftohta, por në pamje dukesha shumë e qetë, thuajse kisha vite që e bëja këtë punë dhe ia kisha marrë dorën. Me një buzëqeshje karizmatike do i bëja të gjitha për vete. Por nuk ndodhi ashtu. Njëra pastronte vetullat. Tjetra lyente thonjtë. Njëra më shikonte nga koka tek këmbët. Një tjetër ishte zhytur në botën e saj dhe se ç'po shkarraviste. Tjetra dëgjonte muzikë pa i fshehur fare kufjet, madje duke i ekspozuar si një e drejtë legjitime. Mbeta unë me shkumësin në dorë. Jo prit se e bëra pak tragjike, sa për t'i dhënë pak dramacitet situatës. Në fakt kisha një tush të zi në dorë, dhe dërrasa ishte e bardhë.
"O zyshe sa vjeçe je? Po ti ngjan mosha jonë moj! Ua sa të bukura këto konversat e kuqe, origjinale janë o zysh? I kam dhe unë kështu por të zeza dhe iu është zbehur pak ngjyra. O zyshe a është i vështirë fakulteti gjuhëve të huaja? Se dhe unë dua të bëhem zysh anglishte si ty..o zyshe e fejuar je apo në ndonjë complicated relationship? Hë mi zyshe se anglishten po praktikojmë, nuk po dalim nga tema."
Vetëm kur e gjeta veten me dhjetëra mikrofona të drejtuar përballë meje, dhe unë duke dhënë intervistë apo konferencë për shtyp si të isha ndonjë personazh i famshëm i show bizz-it. Pah! Ma hodhën! Iku gjysma orës së mësimit dhe unë ende s'kam nisur me temën. Si ka mundësi që rashë brenda dhe u mashtrova kaq kollaj nga këto vajza fytyrë engjëj. E sigurt: mallkimi zyshave të mia po më zë kryekëput. S'ke ç'i bënë, do bëjë të vetën. Nuk ka shpëtim për mua, vetëm nëse do arrija të gjeja adresat e tyre, t'iu shkoja derë më derë, së paku atyre që janë ende ngjallë, dhe t'iu kërkoja falje për çdo djersë dhe lot të derdhur. Gjasat janë edhe që të ma përplasin derën surratit.
Nuk ka zgjidhje tjetër përpos që të vazhdoj të bëjë punën time dhe të mos bëzaj.
"Atëherë vajza, tema për sot është..."
"Ohhh!", frymënxorrën të gjitha në kor, duke varur turinjtë, si një formë proteste tipike sikur të kishin ikur dritat në pikën kulminante të filmit apo të ndonjë ndeshje sportive me rëndësi.
"O zhyshe mos u lodh ti se e lexojmë në shtëpi ne temën e ditës, na jep ato detyra dhe po të duash mund të na lësh të lira, të bëhesh gati për lëndën tjetër. Të premtojmë: nuk do bëjmë zhurmë."
Thua se këto lloj speciesh gjeniale mendonin vërtetë se unë isha aq naive sa do i lija të lira dhe pastaj të përfundoja në drejtori që ditën time të parë.
Zilja ra dhe të gjithë në klasë shprehëm një farë çlirimi. Fshiva djersët e ballit. Mbylla regjistrin, mblodha gjërat e mia duke u përgatitur shpirtërisht për klasën e ardhshme. Kur ke kaluar me gjysmë sukses vitin e katërt, të gjitha klasat e tjera janë “a piece of cake.”
Pushimi madh. Tavolina e zyshave në mensën e shkollës, ishte si një vend i shenjtë ku të gjithë strukeshin për të gjetur pak qetësi. Njëra nga zyshat rrëfehej, tjetra në një cep lutej për orën e radhës, të tjerat ngacmonin ushqimin në pjatë përballë tyre por nuk guxonin të fusnin as një kafshatë në gojë nga frika se do t'iu ngecte në fyt. Pastaj, si një terapi grupi fillonin të ankoheshin me radhë, njëra pas tjetrës. Për filan nxënëse, pastaj për tjetrën e për tjetrën. Duke u ankuar ngushëllonin dhe i jepnin kurajë njëra-tjetrës. Por pas shumë ankesash dhe shfryrjesh dufi, ndodhi e papritura: si një ritual mistik të gjitha vendosën dorën në zemër dhe filluan të flisnin për hallet e vajzave. Po, “vajzat tona” siç i quanin mësueset e tjera, ishin vajza të një kolegji privat, pra vajza që vinin nga familje të pasura. Kishte dhe vajza të cilat ishin në gjendje të përballonin shkollimin aty edhe për shkak të bursës së meritës. Vajzat tona nuk ishin vajza të këqija, ishin qenie të forta dhe të brishta në të njëjtën kohë. Ishin gra të vogla rrugës për t’u bërë zonja. Britmat dhe rebelizmat fshihnin pas dhimbje të mëdha familjare. Në fund të fundit ishin bija prindërish që jetonin në punët e tyre dhe vizitonin shtëpinë ndonjëherë, me raste festash. Ishin adoleshente që përballeshin me sfida të njëjta si gjithë bashkëmoshataret e tjera, vetëm se këto ruheshin në kuti kristali të brishta mjaftueshëm sa mund të thyheshin pa paralajmërim. Llastimet, vandalizmat ndaj objekteve të shkollës, sherret me shoqet e klasës, mosrespekti ndaj mësueseve, vizitat në drejtori ishin klithma mbijetese të dikujt që po mbytej dita ditës dhe kërkonte vetëm pak vëmendje. Ishin thjesht fëmijë të përmalluar për një përkëdhelje koke dhe për një prehër për t’u mbështetur.
Në korridor, rrugës për tek klasa e ardhshme m’u shfaq kjo vajzë e vogël çapkëne. E njihja mirë, prej shumë vitesh. Më kishte marr aq shumë malli ta shoh sa aty për aty nuk gjeta asnjë fjalë për ta përshëndetur. Më pa drejt e në sy me një shikim qortues dhe këshillues në të njëjtën kohë, sikur duke thënë: “Unë e ti e dimë shumë mirë, se bashkë jemi rritur”. Në atë shikim arrita t’i rikujtoja të gjitha dhimbjet, plagët, bullizmin. Si i paskam harruar kaq shpejt? Si e paskam hequr nga kujtesa çdo të thotë të jesh në këto banka?
Fshiva lotët, ngrita kokën lart, mora frymë thellë dhe hapa derën plot entuziazëm, si një rreze drite që hyn pa trokitur, për të ndriçuar ditët gri.
Nada Dosti
Nada Dosti, lindur në Durrës është publiciste, tregimtare. Arsimin fillor e përfundoi në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” ku dhe mori dijet e para rreth artit dhe letërsisë, duke vijuar me studimet universitare në Gjuhë dhe Letërsi Italiane. Aktualisht është kandidate doktorante për Studime të Rrjeteve Sociale. Autore e shumë tregimeve, reportazhe dhe intervista, me disa dhjetëra punëtori në fushën e shkrimtarisë si dhe e përfshirë në dy antologji me tregime nga shtëpi botuese shqiptare dhe turke.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Buzëqeshja që pas fshihte dhimbje” nga Dhurata Hoj (Haxhia)
“Ai nuk mundi të kurorëzohet maturant...”, nga Antoneta Zaja
“Botë shumëngjyrëshe” nga Dorina Saraci