“Ato donin të thyenin një tabu” nga Pajtim Sejdinaj
“Ato donin të thyenin një tabu” është shkrimi letrar i Pajtim Sejdinaj, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
“Ato donin të thyenin një tabu” është shkrimi letrar i Pajtim Sejdinaj, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
Kujtimet i kam vendosur në raftet e kujtesës. Ato u ngjajnë librave të vendosur me kujdes në bibliotekë. Shkoj ç’do ditë dhe çmallem me to. I ngjajnë një kopshti me lule që nuk thahen dimër e behar. Shpesh më marrin për dore (si një fëmijë) dhe më gjezdisin nëpër labirintin e tyre. Mua më duket sikur kanë ndodhur sot. Ndërmend një ditë të bukur maji, kur lulet e bardha të qershive i ngjajnë një mali me borë.
Atë ditë kisha shkuar më shpejt se ditët e tjera në shkollë. (Shkolla është një godinë dy kate e rrethuar me mur, me një oborr të madh ku gjallojnë lloj-lloj lulesh.) Te dera e shkollës po më prisnin tri vajza. I njoha. Njëra prej tyre ishte kryetare e shoqatës “Dashamirësit e letërsisë” (e krijuar në shkollë për menaxhimi e aktiviteteve kulturore-artistike). Dy të tjerat ishin shoqet e saj maturante.
– Mirëmëngjesi! – u thashë.
– Mirëmëngjesi! – m’u përgjigjën ato njëzëri.
– Drejtor! – m'u drejtua vajza që ishte kryetare, – duam të bashkëbisedojmë me ju.
– Urdhëroni! – u thashë duke u ngjitur në katin e dytë, ku ishte drejtoria. Hapa derën. – Urdhëroni, uluni! – u thashë duke buzëqeshur dhe duke drejtuar dorën nga karriget.
Vajzat u ulën.
– Kemi një projekt, – tha vajza që ishte kryetare, duke më zgjatur një dosje, – duam të zhvillojmë “Miss dhe Mister shkolla”. Projektin e keni në dosje.
I vështrova vajzat me kujdes. E kuptova, ato donin të thyenin një tabu.
– Mirë, do ta diskutojmë! – u thashë vajzave.
Ra zilja për rreshtimin e nxënësve. Vajzat shkuan në klasë.
E lexova me vëmendje projektin. Në vetvete isha i bindur se ky aktivitet duhej bërë. E dija se përpara dilnin disa dilema, që duheshin zgjidhur me gjakftohtësi. Shkollën e mesme banorët e konsideronin si Universitet të Fratarit (Mallakastrës së Sipërme), ndaj duhej ruajtur me fanatizëm imazhi i saj, por gjithashtu duhej pasuruar më tej. Nxënësit vijnë nga 12 fshatra të Fratarit, por dhe nga fshatrat e Tepelenës.
Në pushimin e gjatë fola me mësuese Vjolën (si mësuese koordinatore me qeverinë e nxënësve, me këshillin e prindërve dhe për aktivitetet kulturore-artistike në shkollë). Bashkëbiseduam për çështjen në fjalë.
– Shikoje projektin, – i thashë, – dhe flasim.
– Drejtor! – më tha, – është pak i vështirë.
– Por jo i pamundur! – iu përgjigja. Mori projektin dhe doli. Mbas dy ditësh u bë mbledhja e përbashkët midis këshillit të mësuesve, këshillit të prindërve, qeveris së nxënësve dhe shoqatës “Dashamirësit e letërsisë”. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe Zyrës Arsimore. Debati qe i ashpër. Kishte prindër të cilët, për shkak të mentalitetit, nuk ishin dakord. Por me këmbënguljen e qeverisë së nxënësve u arrit gjithçka. Kështu që filloi zbatim i projektit. U sensibilizuan të gjithë nxënësit e shkollës.
Projekti ishte i ndarë në dy faza. Në fazën e parë, konkursi brenda klasave (përzgjedhja e nxënësve konkurrues) dhe në fazën e dytë, konkursi midis klasave. Në projekt ishin me detaje të gjitha. Një përfaqësi e nxënësve së bashku me mësuesen Vjolën shkuan dhe biseduan me kryetarët e komunave dhe bizneset e zonës. Ata u treguan të gatshëm për sponsorizimet.
Filluan përgatitjet. Skena u projektua të ndërtohej si një podium para oborrit të shkollës, nga një biznesmeni (në mungesë të sallës). U gjetën kostume popullore të zonës si dhe larmi veshjesh të tjera. Skenari, skenografia, koreografia, regjia u përgatit nga vetë nxënësit. Të gjitha provat bëheshin pas orës së mësimit.
Një ditë, te dera e drejtorisë po më priste mësuese Vjola së bashku me një maturante. Vura re se maturantja ishte e shqetësuar.
– Ka ndonjë problem? – pyeta mësuese Vjolën.
– Po! – më tha ajo me gjysmë zëri.
U futëm në drejtori.
– Nora ka një problem, – më tha mësuese Vjola, – nuk e lënë prindërit të marrë pjesë në konkurrim.
Vura re se vajzës iu mbushën sytë me lot.
– Mos u mërzit! – i thashë, – do të bisedoj unë me ta. Ti vazhdo provat.
I njihja mirë prindërit e vajzës. Ata kishin 10 fëmijë dhe unë e kuptoja shumë mirë dilemën e tyre. Ndaj mendova t’u shkoja në shtëpi. Të nesërmen, mbas mësimit, u shkova në shtëpi. I zoti i shtëpisë më priti me atë bujarin e tij. Biseduam gjerë e gjatë për hallet, problemet, bujqësinë. Pastaj unë ia solla fjalën te vajza.
– E ke mirë vajzën me mësime! – i thashë.
Për vete! – m'u përgjigj. – Ia kam bërë të qartë, unë nuk kam lekë ta çoj me shkollë. Të bëhet e zonja e vetes, – përfundoi ai.
Në atë çast hyri vajza.
Mirë se erdhët! – tha ajo duke më përqafuar dhe u ul midis prindërve.
– Ne, – vazhdova bisedën unë, – do të zhvillojmë një aktivitet ku do të marrë pjesë dhe vajza juaj, – i thashë duke i sqaruar vështirësitë e aktivitetit dhe duke e parë në sy.
U mendua pak dhe pastaj tha: – Po ti, i di hallet e mia? Këto aktivitete kërkojnë shpenzime. Pastaj, thashethemet... ti je vetë nga fshati. Kësaj i thonë, merr peshqirin e mbyll gojën e miletit, – dhe uli sytë në dysheme.
E kuptova shqetësimin e tij dhe i thashë: – Unë i di hallet e tua. Sa për kostumet, i kemi siguruar ne. Ndërsa për sa i përket mentalitetit, i kemi biseduar që kur vajza filloi vitin e parë. Ajo është me shoqe, atje është dhe vajza ime.
– Ashtu?! – tha nën zë.
– Jepi fjalën drejtorit! – i tha e shoqja (që deri atëherë nuk kishte folur).
E po dakord! – tha ai dhe u drejtua nga vajza: – Me mendjen në kokë!. . .
Vajza u ngrit dhe puthi të atin e të ëmën, si dhe më përqafoi edhe mua. Ju presim si familje ditën kur të zhvillohet aktiviteti! – u thashë me të qeshur.
– Do vijmë, do vijmë! – tha e shoqja.
U takuam dhe u ndamë. Të nesërmen bisedova me mësuese Vjolën. I thashë për çfarë bisedova me prindërit e Norës dhe se provat duhet të vazhdonin rregullisht. Nga dritarja e drejtorisë pashë Norën të qeshur e të gëzuar.
Aktiviteti u zhvillua më 25 Maj (ditën e lindjes të poetit kombëtar Naim Frashërit). Orkestra dhe këngëtarët ishin nga vetë nxënësit. Skenografia ishte përgatitur me një larmi ngjyrash. Ajo i ngjante një kopshti ku vallëzojnë yjet. U bënë njoftimet nëpërmjet postimet të afishuara në çdo lagje dhe fshat, si dhe njoftime që iu dërguan prindërve të nxënësve nga drejtoria e shkollës. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme. Oborri i shkollës ishte mbushur plot me njerëz (nxënës nga shkollat 9-vjeçare të zonës, të rinj, prindër dhe të ftuar nga pushteti vendor dhe Zyra Arsimore). Jakupi (babai i Norës) kishte ardhur së bashku me gruan dhe fëmijët.
Ky aktivitet më ka mbetur në mendje si më mbresëlënës nga të gjitha aktivitetet e zhvilluara në shkollë.
Pajtim Sejdinaj
Pajtim Sejdinaj ka lindur më 16 mars 1956, në fshatin Bejar-Fratar-Mallakastër. Shkollën e mesme e ka mbaruar në Fier për agronom. Ka mbaruar për gjuhë shqipe dhe letërsi në Universitetin “Eqerem Çabej”, në Gjirokastër. Ka punuar si mësues në shkollën e mesme në Fratar dhe Ballsh, si dhe në shkollat 9-vjeçare në Ninsh e Bejarsi; gjithashtu ka qenë drejtor shkollë në këto shkolla. Është marrë me krijimtari letrare. Ka botuar 2 vëllime poetike dhe një monografi. Është marrë me studime në fushën e folklorit; inkurajues i talenteve të reja në shkollat ku ka punuar. Ka dalë në pension.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Ai nuk mundi të kurorëzohet maturant...”, nga Antoneta Zaja
“Buzëqeshja që pas fshihte dhimbje” nga Dhurata Hoj (Haxhia)
“Botë shumëngjyrëshe” nga Dorina Saraci