“Tabuja e një bezdie” nga Elona Vocaj
“Tabuja e një bezdie” është shkrimi letrar i Elona Vocaj , me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Të jesh edukator i brezit të ri është bukur, por të jesh mësues i suksesshëm s’është aspak e lehtë.
Kënaqësi e papërshkrueshme është kur del “i realizuar” nga ky mision që i ke ngarkuar vetes.
Çdo natyrë nxënësi, përveçse është i ndryshëm përcjell edhe aftësi të paimagjinueshme.
Teksa po kërkoja në arkivën e bibliotekës sime për të gjetur një material që më nevojitej, diku në një dosje më zuri syri një foto. Më pushtoi një buzëqeshje dhe njëherazi sytë m’u mbushën me lot. Kthej fotografinë nga ana e pasme dhe lexoj:
“Klasa XII B, Matura 2003”.
Menjëherë në mendje më vijnë fytyrat e qeshura, shakatë, bisedat, udhëtimet, qortimet... Më vijnë në mendje ata, nxënësit e mi të shkëlqyer, ata që me rrugëtimin e tyre 4-vjeçar bënë që të mësoja se ç’do të thotë të jesh mësues në kuptimin e plotë të fjalës....
Sa mall për të gjithë ata, që sot janë shpërndarë nëpër botë!
Mall për momentet e bukura që i dhuruam njëri-tjetri në mjediset shkollore, por dhe momentet e kaluara së bashku në kohën e lirë...
Si pa e kuptuar, humba në kujtime...
***
U riktheva në vitet e para të punës sime, kur ende isha një mësuese e re, e papërvojë, kur e sapodalë nga bankat e shkollës, mendoja se të kesh një klasë në kujdestari nuk do ishte aq e vështirë sa ç’e kisha dëgjuar, mjaft të dalloje temperamentet e nxënësve. Edhe pse prindërit e mi, mësues me përvojë, më kishin thënë se duhej t’i njihja mirë natyrat e nxënësve, sërish mendoja se do të ishte një rrugëtim i lehtë. Në fakt realiteti ishte krejt ndryshe... Për këtë u binda kur mora klasën time të parë në kujdestari.
Sapo hynë nxënësit në klasë, menjëherë më tërhoqi vëmendje një djalë i gjatë, i lëvizshëm, i shkathët, me shikim të shpërqendruar, çapkën që mundohej t’i shmangej vështrimit tim. M’u duk fytyrë e njohur, megjithatë heshta, se duke e parë me vëmendje, u kujtova se cili ishte… I kisha dhënë mësim një vit më parë, por që për arsye familjare ishte detyruar të linte shkollën për t’u rikthyer vitin pasardhës, pikërisht në klasën që unë kisha në kujdestari. Duke e njohur nga viti i shkuar, e mora me pak “bezdi”, pasi ishte mjaft çapkën, por një zë i brendshëm më foli:
-Merre si një sfidë! Do punosh me të më shumë dhe të shohim si do venë punët deri në fund!
Si natyrë nuk ishte studioz, libri ishte “armiku” i tij kryesor, por përveç kësaj, ishte nxënësi lëvizshëm gjatë orës së mësimit, ndaj dhe mësuesit nuk e përkrahnin fare.
Duke qenë se letërsia, (që është dhe lënda që unë jap mësim) të jep hapësirë të ngacmosh intuitën dhe fantazinë e nxënësve, nisa të vë re se nuk ishte aq indiferent dhe i prapë sa dukej, por duhej punuar fort me të.
Gjatë kohës së lirë dhe nëpër fundjava organizonim me klasën ekskursione në qytete të ndryshme dhe, ajo që më tërhoqi vëmendjen dhe më goditi ishte fakti se ky djalë ishte krejt ndryshe nga ai që shfaqej në klasë, mbase për t’u mbrojtur nga rrethanat dhe faktorët e jashtëm. Ishte romantik, gazmor, i pëlqente poezia dhe romanet, dhe madje nisi të më kërkonte këshilla dhe libra të ndryshëm për të lexuar.
Në njërin nga hartimet që zhvillonim në klasë i vura notën 10.
E meritonte.
Kolegët e mi nisën të më flisnin me ton qortues në lidhje me vlerësimin që kisha bërë,
-Ai është i lëvizshëm! Po e merr në qafë! Do i rritet mendja!...
Por unë i kisha vënë vetes një synim dhe do i shkoja deri në fund...
Ashtu siç prisja, kjo notë i dha zemër djalit dhe e nxiti të lexonte edhe më shumë.
Duhet të theksoj se dhe shoqëria e klasës, miqtë e tij të ngushtë e ndihmuan atë, por në njëfarë mënyre më ndihmuan edhe mua.
Një ditë të bukur, në klasë, më afrohet e më thotë:
-Mësuese, ne si klasë shprehim dëshirën të vëmë në skenë një komedi. Si mendoni ju?
Sinqerisht e pashë me habi atë dhe klasën. Në fytyrat e tyre kishte seriozitet dhe vendosmëri. Kishin zgjedhur dhe veprën për ta vënë në skenë dhe rolin kryesor do e merrte pikërisht Soni. Kur i pashë kaq të vendosur dhe entuziastë, më bënë për vete dhe u përgjigja:
-Pse jo!
Kështu caktuam rolet e nisëm punën.
Kolegët, me të marrë vesh se cili ishte aktori kryesor, nisën të më qortonin, të kishin dyshime dhe sigurinë e plotë se kjo shfaqje do dilte një dështim total.
Realisht, dyshime kisha dhe unë, duke qenë shumë skeptike nga natyra, por nuk i shfaqja.
Puna për shfaqjen ecte me ritmin normal. Ajo që vërtetë më habiti dhe më mrekulloi ishte fakti se ky djalë, jo vetëm që mori seriozisht rolin e tij, por nxiti dhe të tjerët, duke realizuar një shfaqje të mrekullueshme, fantastike, si të ishin një trupë e vërtetë profesionale, ku ai shkëlqeu në interpretim, duke thyer çdo tabu se tipat “e vështirë“ nuk marrin përgjegjësi dhe asgjë s’e marrin seriozisht.
Mrekullia tjetër ishte fakti se ai nisi të bënte përmirësime dhe në lëndët e tjera, duke u shndërruar në një nxënës model në sjellje, frekuentim dhe deri diku edhe në përparim, duke u përpjekur të rriste notat në lëndë të ndryshme.
Kur mbaroi shkolla kisha një krenari të ligjshme, sytë më shndrisnin, një buzëqeshje më kishte mbështjellë fytyrën, pasi një ndër ata që u diplomuan me rezultate të mira erdhi dhe më përqafoi duke më thënë:
-Faleminderit që më bëre të njoh veten dhe të jem njësoj me shokët!
-Faleminderit që besove tek unë!
***
Sot kam kënaqësinë më të madhe, kur e takoj, një individ i respektuar në shoqëri, punëtor, i papërtuar, shembull për të tjerët.
Çdo 7 Mars është ndër të parët që më telefonon herët në mëngjes për të më uruar Festën, duke më emocionuar dhe shpesh edhe përlotur.
Ky fakt më bën të mendoj dhe të kujtoj se me dëshirë, vullnet dhe këmbëngulje mund t’ia dalim që të nxjerrim në dritë anën më të mire të nxënësit, qoftë ky dhe tipi më i vështirë në karakter, pasi tek çdo njeri ekzistojnë të dyja anët e medaljes.
Na takon ne si edukatorë përgjegjësia të nxjerrim në dritë më të mirën e tyre, atë anë që ata e mbajnë të fshehtë, si për t’u mbrojtur nga realiteti i ashpër.
Kështu pra, sot të jesh mësues i mire dhe i suksesshëm, duhet të mohosh deri diku vetveten për të marrë në një të ardhme jo shumë të largët, një falënderim dhe mirënjohje për atë që kemi arritur duke u ndier krenarë për shoqërinë që po krijojmë.
Elona Vocaj
Elona Vocaj ka lindur më 10 gusht 1974 në Milot, Kurbin. Më 1998 u diplomua në Universitetin e Shkodrës “ Luigj Gurakuqi ”, Fakulteti i Shkencave shoqërore, dega Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Ka punuar në gjimnazin MILOT, ku vijon të punojë edhe sot. Ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme për mësimdhënie, gjithëpërfshirjen, edukimin, braktisjen e fshehtë shkollore, motivimin e nxënësve etj. Shkruan letërsi artistike dhe është autore e vëllimit poetik “Zëri i shpirtit tim”.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Motivimi kundër heshtjes” nga Rudina Luzi
“Gjeje vetë!” nga Lejla Duli
“Manjola” nga Dallandyshe Dunga