Tiranë aktivitete

Rita Ora koncert në sheshin "Skënderbej"

“Your song” ishte kënga e parë e Rita Orës, që elektrizoi jo vetëm skenën, por gjithë të pranishmit në sheshin “Skënderbej”. Nuk mungoi një surprizë për shqiptarët: miksimi i një prej hiteve më të mira me vallen e Rrugovës.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, dhuroi mbrëmjen e kaluar emocione të paharrueshme për mijëra shqiptarë, të cilët kishin mbushur si asnjëherë tjetër sheshin “Skënderbej” për të shijuar hitet e saj. Koncerti nisi me ritmet e muzikës së këngëtares së njohur nga Kosova, Kida dhe kulmoi kur në shesh mbërriti Rita Ora.


“Your song” ishte kënga e parë e Rita Orës, që elektrizoi jo vetëm skenën, por gjithë të pranishmit në sheshin “Skënderbej”, ndërsa spektakli vijoi me të tjera këngë hit të saj. Në repertorin e saj nuk mungoi as një surprizë për shqiptarët: miksimi i një prej hiteve më të mira të Rita Orës me një nga vallet më të njohura të trevave shqiptare, asaj të Rrugovës.


Ndërkohë, para se të ngjitej në skenën e sheshit “Skënderbej” këngëtarja Rita Ora, e shoqëruar nga i ati dhe e motra, u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai e falenderoi atë për imazhin që përcjell në botë si përfaqësuese e shqiptarëve dhe frymëzuese e brezit të ri, dhe në shenjë mirënjohje i dhuroi asaj Çelësin e Qytetit.


“Duke i dhënë dikujt çelësin, i jep të vetmen gjë që ti ke. Ne nuk jemi të pasur, por përpiqemi të japim gjithçka që kemi si shenjë respekti dhe shenjë e derës së hapur, prandaj, duke të dhuruar Çelësin e Tiranës do të thotë se të vlerësojmë shumë”, u shpreh Veliaj.


Rita Ora e falenderoi kryetarin e bashkisë për mikpritjen. 

“Mendoj se Tirana është në rrugën e saj drejt një suksesi të pabesueshëm. Me fuqinë dhe mundësitë që unë kam, do t’ia bëj të ditur këtë pjesës tjetër të botës. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, ka energjinë më të mirë të çdo qyteti në tokë. Nga hera e fundit që isha këtu, pa dyshim që energjia ka ndryshuar, ndjehesh gjallë, miqësore, e pëlqyer dhe shumë pozitive. Ndjehem shumë mirë që jam pjesë e kësaj”, tha ajo.


Kryebashkiaku Veliaj i bëri edhe një surprizë krejt të veçantë këngëtares Rita Ora, duke i dhuruar një çifteli, të cilën e mbante në zyrën e tij, instrumenti muzikor që identifikon trashëgiminë e kulturës tradicionale shqiptare.


Për 3 ditë sheshi “Skënderbej” u kthye në qendrën më të madhe artistike shqiptare, ku në dy koncerte madhështore, këngëtarë vendas dhe ata me origjinë shqiptare më famë botërore, dhuruan për shqiptarët çaste të paharrueshme.


(Portali Shkollor)

2,428 Lexime
6 vjet më parë