Sot Ditëlindja e Rita Petros. Urim për gruan e guximshme

Sot festojmë Ditëlindjen e Rita Petros, botueses, poetes dhe shkrimtares të talentuar. Një grua e guximshme, e njohur për krijimtarinë e saj letrare dhe kontributet në tekstet shkollore. Poezia dhe proza e saj, të përkthyera ndërkombëtarisht, kanë pasuruar kulturën shqiptare. Gëzuar ditëlindjen, Rita!

Sot Ditëlindja e Rita Petros, botueses, poetes dhe shkrimtares së talentuar, autores së teksteve shkollore, mikes, shoqes, që fal dashuri pa kushte dhe udhëheq me shembullin e saj, me vrullin, pasionin dhe guximin.


E cilësuar shpesh si "gruaja e guximshme e letrave shqipe", ajo ka sjellë risi me poezinë e prozën e saj të veçantë, të përkthyer ndërkombëtarisht, dhe është vlerësuar me çmime prestigjioze letrare. Ajo është gjithashtu autore e dhjetëra teksteve shkollore.


Ajo ka kontribuar ndjeshëm në pasurimin e kulturës shqiptare përmes poezisë, prozës dhe botimeve  shkollore.


Pas diplomimit në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës (1980-1984), Rita Petro vazhdoi specializimet në Filozofi dhe Kulturë Greke në Universitetin e Athinës (1993-1994). Përgjatë viteve 1985-2000, ajo punoi si redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, duke luajtur një rol kyç në zhvillimin e programeve, teksteve dhe trajnimeve për gjuhën dhe letërsinë shqipe në shkolla. Në vitin 2000, së bashku me Latif Ajrullain, themeloi shtëpinë botuese ALBAS, e cila është bërë një emër i njohur në botimet shkollore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe Diasporë.


Vëllimet e saj poetike, si "Vargje të përfolura" (1994), "Shija e instinktit" (1998), "Këtu poshtë këndohet live" (2002) dhe "Vrima" (2014), kanë sjellë një frymë të re në poezinë shqipe, duke trajtuar tema të guximshme dhe shpesh tabu. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë, si frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe rumanisht, dhe janë botuar në revista letrare dhe antologji ndërkombëtare.


Në vitin 2022, Rita Petro debutoi në prozë me romanin "Lindur së prapthi", një rrëfim i sinqertë që pasqyron jetën e saj që nga fëmijëria. Ky roman u prit me entuziazëm nga lexuesit dhe kritikët, duke theksuar aftësinë e autores për të trajtuar tema personale dhe shoqërore me ndjeshmëri dhe guxim. Me këtë titull Petro qe përfaqësuese e Shqipërisë për Çmimin Europian 2024. 


Për kontributin e saj në letërsi dhe botime, Rita Petro është vlerësuar me disa çmime prestigjioze, duke përfshirë Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë "Lumo Skëndo" në vitin 2014 dhe Çmimin e Karrierës për Krijimtarinë Poetike nga Fondacioni Harpa në vitin 2015.


Rita Petro njihet gjithashtu për zërin e saj kritik dhe mendimin e lirë në trajtimin e tematikave sociale. Ajo angazhohet në media dhe rrjete sociale me reflektime të thella mbi çështje që prekin shoqërinë shqiptare, duke dhënë kontribut të çmuar në debatin publik dhe duke frymëzuar me guximin e saj intelektual.


Ajo që e dallon Ritën është zgjuarësia, modestia dhe sinqeriteti, dashuria dhe guximi për të bërë realitet ëndrrat, pasioni i artistes dhe përballja me problematikat e vështirësitë e jetës.


Në këtë ditë të veçantë, e urojmë Rita Petron për ditëlindjen e saj, i urojmë të arrijë atje ku ajo dëshiron,  dhe i shprehim mirënjohjen për kontributin e saj të çmuar në kulturën dhe letërsinë shqiptare.





© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

253 Lexime
9 orë më parë