Fakte

Dita Ndërkombëtare kundër Diskriminimit Racial/ Si mund të ndihmojmë për eliminimin e racizmit në shkolla?

Çfarë kuptojmë me fjalën “barazi”? Çfarë kuptojmë me fjalën “diskriminim”? Çfarë duhet të dimë për Ditën Ndërkombëtare kundër Diskriminimit Racial? Si mund të ndihmojmë për eliminimin e racizmit?

Çfarë kuptojmë me fjalën “diskriminim”?


Diskriminimi ndodh kur një person trajtohet ndryshe dhe në mënyrë të padrejtë, bazuar në ndryshimet e ngjyrës së lëkurës, besimit, gjinisë, moshës dhe preferencave të tij individuale.


Çfarë kuptojmë me fjalën “barazi”?


Me barazi duhet të kuptojmë se çdokush ka të drejta dhe status të barabartë në shoqëri dhe se duhet të trajtohet i barabarta para ligjit. Pavarësisht se shumë shtete përpiqen për barazinë mes njerëzve, të pakta janë shtetet që ia dalin të kenë një bashkëjetesë sociale.


Çfarë duhet të dimë për Ditën Ndërkombëtare kundër Diskriminimit Racial?


Manifestimi i të drejtave të barabarta mes njerëzve e ka fillesën në Amerikë, më 1960, kur policia hapi zjarr gjatë një demonstrate paqësore kundër njerëzve me ngjyrë, të cilët protestonin për të drejta dhe liri. Racizmi, si fenomen, ndodh edhe në ditët e sotme në pakicat shoqërore. Rasti më i fundit ka qenë në vitin 2020, kur një polic sulmoi dhe vrau një person me ngjyrë, George Floyd. Kjo shkaktoi demonstrata të mëdha në shumë shtete në Amerikë. Populli kërkonte drejtësi dhe të drejta të barabarta, edhe pse ishte kohë pandemike dhe grupimi i njerëzve ishte i ndaluar. 


Martin Luter King, udhëheqësi i padiskutueshëm i lëvizjes për të drejtat civile


Martin Luter King u arrestua shumë herë për protesta, iu bënë atentate, kërcënime të vazhdueshme dhe fitoi çmimin Nobel për Paqe, duke shërbyer si shembull frymëzimi për shumë breza.

“Kam një ëndërr, ‒ tha ai gjatë fjalimit, ‒ unë ëndërroj që një ditë në kodrat e kuqërremta të Xhorxhias, bijtë e atyre që dikur ishin skllevër dhe bijtë e atyre që dikur kishin skllevër, të mund të uleshin së bashku në tryezën e vëllazërisë. Unë ëndërroj që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë të mund të jetojnë në një komb, ku nuk do të gjykohen prej ngjyrës së lëkurës së tyre, por prej cilësive të karakterit të tyre. Sot, para meje shoh këtë ëndërr! Zezakët dhe të bardhët, hebrenjtë dhe johebrenjtë, katolikët dhe protestantët do të jenë në gjendje të bashkojnë duart dhe të këndojnë me fjalët e këngës së vjetër spirituale Free at Last, më në fund të lirë. Falë Atit të Plotfuqishëm, ne jemi më në fund të lirë!”


Si mund të ndihmojmë për eliminimin e racizmit?


• Në shkolla, mësimi mbi barazinë luan rol kyç në shmangien e mendimit ndryshe për ngjyrën e lëkurës, gjuhën e folur, theksin e përdorur, vendlindjen dhe gjininë. 

• Diskutoni me personat që ndihen të diskriminuar duke i inkurajuar të flasin mbi ndjenjat dhe mendimet e tyre. 

• Sigurohuni të mirëprisni ndryshimet e personave. Të gjithë jemi njerëz dhe të gjithë kemi diferencat tona, që na bëjnë unikë. 

• Nxënësit mund të raportojnë te mësuesit apo pjesëtarë të rritur të stafit shkollor çdo rast diskriminimi racial të bashkëmoshatarëve. 

• Në librin “Racizmi shpjeguar vajzës sime” kemi një formë bashkëbisedimi, që u përgjigjet pyetjeve kureshtare të një fëmije. Ky libër u drejtohet fëmijëve që nuk kanë ende gjykime, si dhe prindërve, mësuesve, edukatorëve, për t’iu përgjigjur pyetjeve më të koklavitura nga sa mendojnë fëmijët. 

• Në librin “Unë them Jo - histori të mosbindjes heroike” nxënësit/studentët mund të lexojnë mbi lirinë, duke kaluar nga njëra histori te tjetra, duke u njohur me triumfet dhe dështimet e grave dhe burrave që kanë jetuar dhe luftuar për lirinë. 

• Leximi është mjeti më i mirë për sprapsur rrënjët e racizmit te nxënësit dhe të rriturit. 


Burime:

https://www.twinkl.co.uk/event/international-day-for-the-elimination-of-racial-discrimination-2022

“Unë them Jo – histori të mosbindjes heroike”, Daniele Aristarco, botim i Albas. 

“ Racizmi shpjeguar vajzës sime”, Tahar Ben Jelloun, botim i Albas.



Përgatiti: Xhoana Jaku

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

2,780 Lexime
2 vjet më parë