Reflektim

Qëndistaria nga dora e mësueses së ndjerë Mandush Shatko

Dikur zhvillohej lënda “Ekonomi shtëpiake”. Ishte një nga lëndën më të preferuarat për nxënësit, pasi nga njëra anë ata mësonin qëndistarinë e nga ana tjetër, argëtoheshin duke iu shmangur mësimit teorik. Mësuese Mandush Shatko ka qenë pikërisht një nga mësueset model të kësaj lënde që sot nuk ekziston.

Shkruar nga Evans Drishti 


Ishte menjëherë e dallueshme hyrja e saj në klasë. 

Shtatlarte,trupmbushur, belëplotë, e veshur plot sqimë, fytyrë rrumbullake, e qeshur dhe mjaft e dashur me nxënësit e saj… 


Asokohe në ciklin AMU zhvillohej lënda “Ekonomi shtëpiake”. Për të gjithë ata të brezit të para 90-tës kjo lëndë është mjaft e njohur, por për të lindurit e pas 90-tës kujtojmë se kjo lëndë s’kishte të bënte me përdorimin e parasë, siç mund t’u shkojë në mendje, por për mësimin e qëndistarisë. 


Ishte një nga lëndën më të preferuarat për nxënësit, pasi nga njëra anë mësohej qëndistaria si një kulturë e traditës shumëshekullore të vendit tonë, konkretisht, 

  • si të mbahej një gjilpërë 
  • si të qepej një kopsë 
  • si të qepej apo arnohej një vrimë cope 
  • si të merrej masa e një pantalloni për djem 
  • si të merrej masa e një fundi për vajza 
  • si të qepej një veshje, 
  • si të punohej një kollë 
  • si të punohej një lule në një copë … 

E nga ana tjetër, ishte një lëndë tepër argëtuese duke iu shmangur mësimit teorik, siç ndodhte në të shumtën e lëndëve. 


Mësuese Mandush Shatko ishte pikërisht mësuesja e kësaj lënde, në shkollën asokohe 8-vjeçare “Salo Halili” në Shkodër, e cila gjithnjë me ardhjen e saj në klasë na ofronte dhe na ushqente me një shpirtdëlirësi dhe dashuri të pakufishme, siç mund të kujdesej një nënë për fëmijët e saj.

 

Një nxënës mund të harronte një stilolaps apo një fletore apo qoftë edhe një libër në një orë të zakonshme mësimore, por kurrë s’ndodhte të harroheshin mjetet e punës së lëndës “Ekonomi shtëpiake” të mësuese Mandushit: 

  • gjilpëra të disa llojeve 
  • penjtë të ngjyrave të ndryshme 
  • gërshëra 
  • vizore
  • metër 
  • gazeta për marrje të masave 
  • copa të ndryshme për prerje 
  • fshirëse dërrase 
  • veshje të vjetruara për arnime etj.


Kishte raste kur punonim individualisht duke na mësuar së pari përdorimin e gjilpërës se si ta mbanim në dorë dhe si të përshkonim perin në syrin e gjilpërës. Më pas do të mësonim të qepnim:

fshirësen e dërrasës së zezë, pjesë të shqepura të veshjeve të ndryshme, si të bënim kollët e anësoreve të një çarçafi, si të bënim një lule dhe një gjethe në një copë mëndafshi, si të arnonim një palë çorape apo një bluzë...


Ashtu sikurse kishte raste të shumta kur punonim në grupe. Kjo për arsye se ishte ora të bënim “marrjen e masave” për modelin e pantallonave për djem dhe fundeve për vajza. Këtë herë ishin gazetat që hynin në punë, shtroheshin mbi tryezat e punës, hapeshin të plota. Djemtë përbënin njërin grup, ku mësonin si merreshin masat dhe si bëhej prerja për pantallona të djemve, ndërkaq vajzat përbënin grupin tjetër, ku mësonin marrjen e masave dhe prerjen për një fund të vajzave. 


Lënda “Ekonomi shtëpiake” nuk kufizohej vetëm në praktikat e lartpërmendura. Mësuese Mandushi me plot dëshirë, respekt dhe dashuri na mësonte edhe për përdorimin e gjergjefit, të shtizave për punimin e trikove prej leshi, madje edhe të okllaisë. 


Vërtetë që kjo lëndë zhvillohej një orë në javë, por mbresat dhe përshtypjet që linte në memorien e çdo nxënësi, djalë apo vajzë ishin të pashlyeshme. 


Kjo lëndë ishte një art, një kulturë, një melodi, një pikturë jete, një traditë dhe një zanat që rrënjosej thellë në mendjen dhe shpirtin e çdo të riu të kohës duke u gdhendur si një medaljon i artë për t’u ruajtur dhe mbrojtur gjatë tërë jetës si një trashëgimi e vyer njerëzore. 


Sot, pas shumë vitesh, tashmë të rritur, të maturuar, të diplomuar, të emancipuar, intelektualë të fushave të ndryshme të jetës, brezi që patën fatin të marrin nektarin e kësaj lënde gjejnë rastin dhe mundësinë e artë ta praktikojnë një art të tillë tashmë në jetën e tyre të përditshme qoftë private qoftë edhe profesionale. 


Sa të ambientuar janë të rinjtë sot pas këtyre arteve kaq domethënëse dhe jetëdhënëse? 


S’është për t’u çuditur kur hasemi me një realitet të egër, ku brezi i ri i sotëm nuk dinë të mbajnë një gjilpërë në dorë, le më të marrin mundimin të qepin diçka qoftë edhe për kënaqësinë e tyre. Kjo pasi në sistemin e sotëm shkollor, një lëndë e tillë nuk ofrohet. Nga ana tjetër as prindërit e sotëm nuk marrin mundimin t’ua mësojnë fëmijëve të tyre një kulturë të tillë. 


E meqenëse jemi në periudhë vere, nëse dëshironi të gjeni një alternativë argëtimi, është mundësia më e volitshme të merreni pikërisht me këtë art gjallërues dhe jetëdhënës. 

Jo gjithçka duhet ta presim nga shkolla. Jo gjithnjë duhet të presim ndryshime revolucionare në sisteme.  Ndryshimi nis tek vetja juaj. 


Shmangjuni qoftë edhe një ditë të vetme qëndrimit të kotë në lokal dhe përkushtojuni me dashuri dhe ëndje pikërisht “ekonomisë shtëpiake” 


Prindërimi s’ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me një përgatitje gatimi apo blerje të një veshjeje për fëmijën tuaj. Përkundrazi, një prindërim profesional ka të bëjë me zgjerimin e vizioneve të shumta dhe ofrimin e një largpamësie për fëmijën tuaj, që nesër të bëhet një tjetër personalitet, shumë ndryshe nga ju prindër. 


Mirënjohje dhe respekt të pakufijshëm për të ndjerën mësuese Mandush Shatko, që me aq përkushtim, respekt, dashuri, çiltërsi na bëri ta dashuronim përjetësisht artin e jashtëzakonshëm të qëndistarisë dhe jo vetëm duke na ngjizur në mendjet tona dhe duke na gdhendur në shpirtrat tanë atë kulturë që sot, padiskutim përbën një nga shtyllat qendrore të zhvillimit të ekonomisë dhe të turizmit të vendit. 


Mirënjohje dhe respekt për sa e sa mësuese të tilla si mësuese Mandushi, të cilat kontribuuan asokohe nëpër institucionet e ndryshme arsimore në mbarë vendin duke ushqyer brezin e kohës me një kulturë të tillë të patjetërsueshme. 


Mos të harrojmë, 

Asokohe institucionet tona arsimore kishin edhe laboratorë për të tilla lëndë dhe të tjera si: punë me dru, punë me metal…për të cilat mund të flitet në të tjera shkrime, duke pritur edhe mendimet dhe kujtimet e juaja të nderuar lexues…  

 


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

722 Lexime
4 muaj më parë