Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezantoi një platformë inovative, që promovon turizmin kulturor me ture 3D dhe guida shumëgjuhëshe, si dhe “Klasën Artistike”, një hapësirë për krijimtarinë e të rinjve. Projektet mbështeten nga UNICEF Albania dhe ICTSlab përmes Upshift Albania.
Nga Lindita Kokaj
Në ambientet e Shkollës së Mesme Profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë u inaguruan dy projekte të rëndësishme: platforma www.lezhaexplore.com dhe Klasa Artistike.
"Lezha Explore", një platformë dixhitale inovative, u krijua për të promovuar destinacionet historike dhe kulturore të Lezhës përmes teknologjisë. Ajo ofron guida shumëgjuhëshe, ture virtuale 3D dhe harta interaktive, duke e kthyer eksplorimin e qytetit në një përvojë unike për turistët vendas dhe të huaj.
Ndërkohë, Klasa Artistike e shkollës është një hapësirë e re e dedikuar për zhvillimin e talenteve të reja në fushën e artit dhe kulturës. E fokusuar kryesisht në pikturë dhe kërcim, kjo klasë synon të frymëzojë të rinjtë për krijimtari dhe të mbështesë zhvillimin e tyre artistik.
Drejtori i shkollës, z. Bardh Dedgjonaj, përgëzoi nxënësit për arritjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e këtyre projekteve:
"Jam shumë i lumtur që këta nxënës të mrekullueshëm kulmojnë sot me dy projekte të fituara prej tyre dhe që po zbatohen. Përgëzime! Ju inkurajoj dhe motivoj të punoni fort me këto dy projekte dhe sigurisht që do të keni mbështetjen tonë për të realizuar me sukses këto dhe iniciativa të tjera."
Të dy projektet janë realizuar në kuadër të Upshift Albania, një program i mbështetur nga UNICEF Albania dhe i implementuar nga ICTSlab.
Kjo ngjarje është një dëshmi se Lezha po kthehet në një qendër të rëndësishme të inovacionit dhe kulturës, me nxënësit e "Kolin Gjokës" si promotorë të këtij ndryshimi pozitiv.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana
Roli i mësusit/ Funksionet dhe detyrat