Keqinterpretimet në orët e letërsisë

Plasi zemra, se do ta shpjegojë Koliqin siç duhet

Jo rrallë ndodh që mësuesit të keqinterpretojnë vepra të mëdha të letërsisë. Mësuesit, të dënuar të binden, të dënuar të mos gabojnë kur shpjegojnë, e mbi të gjitha, në atë dreq pikëz kënaqësie profesionale, të dënuar të shpjegojnë gabim.

Të jesh mësues nuk është e thjeshtë, aspak e thjeshtë. Në fakt këtë gjë nuk e kuptojmë kur jemi akoma në bankat e shkollës e kur mendja është e mbuluar me idealizma të veshur me përparëse të bardhë. Të jesh mësues është bekim, por edhe dënim. Shkakton mërzi fjala e fundit por e vërteta lipset të tregohet lakuriq, të jesh mësues është edhe dënim. Ojnat nuk më pëlqejnë. Të dënuar të bindemi, të dënuar të zbatojmë gjëra që nuk duam t’i bëjmë, të dënuar të mos gabojmë kur shpjegojmë se rrezikojmë damkën të dënuar të jemi profet, të jemi logopedë, psikologë, prindër e mbi të gjitha, në atë dreq pikëz kënaqësie profesionale, të dënuar të shpjegojmë gabim.


Në tekstet e letërsisë shqipe një vend i është lënë edhe krijimtarisë shqipe. Deri këtu jemi fort mirë, madje do të më pëlqente që më tepër vend me zanë po ske çka bën, nejse punë tjetër kjo. Në tekstin e klasës së nëntë studiohen autorë si Koliqi e Pashku të cilët me thënë të drejtën janë ajka e artit e si për të tillë ruaj një dashuri të veçantë. “Kumbulla përtej murit” është vepra përfaqësuese e Koliqit, i vënë po në tekstin që citova më lart. Mjeshtëri krijuese, mjeshtëri  e shfaqjes së psikikës njerëzore, shkurt, nuk është thjesht një krijim, është një konstatim i qenies njerëzore me dëshira të lëna n’harresë, me luftën e brendshme të impulseve, me paraqitjen e stimujve dhe simboleve etj


Janë një sërë përbërësish që nxisin dashuri e lëvizin qeliza të thella brenda nesh. Është kaq i bukur Koliqi, si në art e si në gjuhë, si në ndërtimin e personazheve, sepse Leci jam unë, jeni ju, janë nxënësit, e fundja të jesh Lec nuk është turp, është njerëzore. Të mohosh shpjegimin drejt të Lecit është të veshësh diellin me baltë, është mashtrim, Leci ka më tepër për të thënë se fakti se e ka marrë malli për kumbullën që i kujton fëmijërinë, se i pëlqen më tepër kumbulla n’kopësht t’huej se asht ma e mirë se ajo te nana e dajës. Nuk ka asgjë të keqe t’u shpjegosh nxënësve se Leci zien ndjenjat e dashurisë përbrenda si kumbulla t’bëra reçel. Nuk bën mëkat me i thënë nxënësit se muri nuk është  vetëm simbol i turpit për një njeri në moshë madhore, me e kapërcy vetëm se i hahen ca kumbulla, kam dëshirë me u rrok diçka përtej kësaj.


Nuk ndjehem e lirë kur më duhet të shpjegoj se Lecin e ka marrë malli për fëmijërinë ku është sjellë si çamarrok.


Të “detyruara” nga kurrikula, nga librat e mësuesit, nga fakti se do të përballen nxënësit me një testim dhe do të provohen përmes një shpjegimi, ngushtohemi ta përcjellim në mënyrë të tillë. Do të doja që këta autorë të shpjegohen siç duhen, i tillë është shpjeguar edhe më herët dhe mesa shoh asnjë ndryshim nuk është bërë në këtë pjesë. Fëmijët e sotëm nuk janë si të djeshmit. Seksi, dashuria, veprimi tashmë kanë kohë që janë tema të bisedave të tyre. Ata kanë informacion, ata dashurojnë, ata nuk janë më naivë. Ndjej se brendia e tyre nuk kënaqet më duke thënë se: “kumbullat i kujtojnë fëmijërinë Lecit.”



(Shkroi Erisa Sipri)

2,084 Lexime
5 vjet më parë