Festa e Mësuesit, artistët shqiptar japin urimet për misionarët e dijes
Artistët shqiptarë sjellin urimet e tyre për festën e “7 Marsit” në Portalin Shkollor Albas. Urimet për mësuesin vijnë nga Piro Milkani, Nasho Jorgaqi, Roza Anagnosti, Mehdi Malkaj, Bujar Asqeriu, Elvira Diamanti dhe Irma Libohova.
Piro Milkani, regjisor: Mësuesi për këdo është një njeri normal, por në të njëjtën kohë edhe një figurë e rëndësishme, e sidomos mësuesit e shkollave fillore, të cilët na kanë dhënë leksionet e para të dijes se si të sillemi në shoqëri. Mësuesi është figurë e respektueshme e kombit dhe mësuesit shqiptarë kanë bërë shumë për emancipimin e popullit tonë. Që në kohën e rilindjes ata kanë qenë të parët që na kanë udhëhequr drejt dijes dhe përparimit. Ndaj, gëzuar të gjithëve me gjithë respektin e mundshëm për misionin që kanë!
Piro Milkani, regjisor
Nasho Jorgaqi, shkrimtar: Dita e 7 marsit është një nga ditët më të shënuara të jetës sime, sepse unë vetë e kam kaluar një pjesë të madhe të jetës si pedagog i Universitetit të Tiranës. Unë ende sot e kësaj dite kam një kënaqësi të veçantë kur marrë përshëndetje dhe urime nga ish studentët e mi. Kujtoj interesin për t´i shërbyer vendit në edukimin e brezave të rinj. Kështu që, i uroj të gjithë kolegëve për këtë ditë që ka kuptim dhe vlera të mëdha për kulturën në historinë e Shqipërisë!
Nasho Jorgaqi, shkrimtar
Roza Anagnosti, aktore: Kam vetëm fjalët më të mira dhe më të bukura për mësuesit shqiptar. Unë edhe kam marrë emocione nga mësuesit por edhe kam dhënë nëpërmjet interpretimin të rolit të mësonjtores. Mësuesit janë një vlerë e jashtëzakonshme e këtij vendi. Fatmirësisht ka shumë vajza e djem të talentuar që duan të ndjekin këtë profesion dhe kështu do të vazhdojë tradita e mrekullueshme për gjuhën shqipe. Kjo festë nuk shkëputet dot nga festa e grave. Ne kemi gra e vajza të mrekullueshme. I uroj më të mirat sepse ato janë të mbartura me vlera, vlera tek të cilat duhet të mbështetemi për t´u frymëzuar e për të qenë busulla orientimi.
Roza Anagnosti, aktore
Mehdi Malkaj, aktor: Për mua mësuesit janë engjëjt që na mësojnë dhe na edukojnë dhe këtë vlerë të tyre të rriturit e kuptojnë më vonë! I uroj të gjithëve gëzuar!
Mehdi Malkaj, aktor
Bujar Asqeriu, aktor: Dëshiroj t´i uroj, t´i përshëndes dhe t´i përqafoj të gjithë mësuesit, të cilët kanë një punë fisnike, komplekse dhe të vështirë, sepse ata merren me njeriun dhe të merresh me njeriun është puna më e vështirë në botë. Të gjithë ne kujtojmë mësuesit tanë që nga shkolla fillore deri në universitet dhe përulemi me respekt për ato ç´ka na transmetuan dhe transmetojnë në brezat që vijnë. Transmetojnë dije, fisnikëri, respekt, dashuri dhe nuk lodhen asnjëherë! Janë të nderuar mësuesit të cilët entuziasmohen dhe emocionohen për nxënësit e vetë sikur të ishin prindërit e tyre. Kjo është tradita e shkollës sonë. Përulem me respekt për të gjithë mësuesit shqiptar. Gëzuar të dashur mësuses, të keni shëndet dhe gëzime. Një falenderim nga zemra u jap të gjithëve!
Bujar Asqeriu, aktor
Elvira Diamanti, aktore: Sot në këtë 7 mars i uroj të gjithë mësuesit për festën e tyre! Do të doja të shprehja mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që me durim dhe dashuri më mësuan alfabetin e më tej çdo njeri që më bëri gradualisht pjesë të botës së madhe të të rriturve! Gëzuar për të gjithë mësuesit dhe pedagogët që japin çdo ditë nga vetja përkushtim, dashuri dhe energji! Uroj që ta ndjejnë të paktën në këtë ditë feste mirënjohjen e të gjithëve ne! Mendoj se shoqëria shqiptare ende duhet të kuptojë se mësuesit tanë, ata që na mësuan ne dhe fëmijët tanë, meritojnë më shumë vlerësim e mirënjohje për punën e tyre.
Elvira Diamanti, aktore
Irma Libohova, këngëtare: Me gjithë zemër dua të uroj ditën e mësuesit duke kujtuar mësuesen time të parë që më ka mësuar abc-në e që për koicidencë e ka pasur emrin Shqipe! Për të gjithë mësuesit, që më kanë bërë kjo që jam sot, gëzoj dashuri në zemër për misionin e tyre fisnik. Sa dashuri kam për mëmën time aq dashuri dhe respekt kam për të gjithë ata që më kanë mësuar, për ata që janë dhe nuk janë më.
Irma Libohova, këngëtare
Nga Nanila Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani