“Nata, qielli dhe gazepi” nga Hava Kurti Krasniqi
“Nata, qielli dhe gazepi” është shkrimi letrar i Hava Kurti Krasniqi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Dola para derës së shkollës për të pritur nxënësit shqiptarë, që vinin në grupin e leximit të përrallës shqip, teksa përjashta shiu binte furishëm.
Një nxënëse po ngjyroste derën me një laps me ngjyrë të kuqe.
-Përse e ngjyros derën e shkollës? – e pyeta,
- Ma jep, të lutem atë ngjyrë! Si quhesh ti?
-Quhem Natë, - ma ktheu.
-Natë? – reagova çuditshëm.
-Po, - vijoi,
- Natë.
Të tjerët qeshnin.
-Jo, jo, Leila quhet, - reaguan disa nxënës.
-Po pra, - reagoi sërish ajo, duke ma dhënë ngjyrën,
- Leila në gjuhën Arabe do të thotë “natë”,
-Po ju si quheni zonjë? - më pyeti, si të ishte një e madhe.
-Quhem Qiell, - ia ktheva, pasi Hava domethënë “qiell”
-Qiell? – reagoi habitshëm,
- Sa bukur!
-Faleminderit! Prandaj kur Qielli i thotë Natës, mos i ngjyros dyert, nata duhet ta mbajë mend, apo jo?
-Po! – u përgjigj me buzagazje.
Atë çast, erdhën dy nëna shqiptare, njëra me dy djemtë e saj dhe tjetra me një vajzë.
Vajzës i qe thyer çadra. Nënë e bijë ishin bërë qull. E ëma, teksa me vështirësi po mblidhte çadrën e thyer, iu drejtua së bijës duke i thënë:
-Shko ulu atje afër sobës, se e pamë gazepin sot.
Vajza iu afrua të ëmës duke e pyetur:
-Kush ishte “gazepi”, se s’e njoha.
-“Gazepi”, s’është njeri,- përpiqet e ëma t’i japë shpjegimin e saj.
E frikësuar vajza hap sytë katër…
-Mos u frikëso! - i fola sa për ta qetësuar,
- “Gazep” do të thotë “vështirësi”, prandaj jemi këtu, që të mësojmë shqipen pa gabime dhe pa “gazep”.
Hava Kurti Krasniqi
E lindur më 1967, nga Kosova, Hava Kurti Krasniqi jeton në Zvicër. Është gazetare në Radio Oxygen. Njëherit punon si edukatore në një shkollë zvicerane, si dhe mësuese asistente në një shkollë izraelite në Zürich. Ka botuar katër libra në gjuhën shqipe, është edhe bashkëautore në shumë projekte me autorë zviceran. Libri i saj "Legjendat e futbollit" me tregime nga fusha e futbollit (kushtuar vëllezërve Taulant dhe Granit Xhaka) është libri i parë shqiptar me tregime nga fusha e futbollit. Ka prezentuar poezinë shqiptare në projektin: Poezi nga mbarë bota, në në tetor të vitit 2018. Është e liçensuar për Zvicrën për takimet e projektit internacional Femmestisch, projekt edukativ të cilin ajo ka dëshirën dhe liçensën ta sjell në Shqipëri e në Kosovë. Prej vitit 2010 është e angazhuar edhe si animatore me fëmijë shqiptar në bibliotekë për projektin "Më dhuro një përrallë". Çdo vit shkruan dramat për pjesën teatrale të shkollës shqipe Ostermundingen Bern.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“7 Marsi ynë” nga Behare Kasa
“Gërshetat” nga Fatime Ejupi Jashari