Miradije Berisha: Disa këshilla nga mësimdhënia e gjuhës shqipe në Gjermani dhe Austri
Miradije Berisha ndan përvoja dhe këshilla praktike për mësimdhënien e shqipes në Gjermani dhe Austri. Përmes shembujve konkretë, trajton sfidat me shqiptimin, alfabetin dhe gramatikën, duke ofruar zgjidhje për ruajtjen e gjuhës shqipe në një kontekst gjermanofon.
Gazeta “Diaspora Shqiptare” po nis një iniciativë të re, duke hapur një hapësirë komunikimi për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë. Kjo rubrikë e re synon të krijojë një platformë bashkëpunimi, ku mësuesit mund të ndajnë përvojat, sfidat dhe këshillat e tyre jo vetëm mes njëri-tjetrit, por edhe me lexuesit.
Rubrika nis me disa përvoja personale dhe këshilla praktike të përgatitura nga mësuesja Miradije Berisha, e cila ndan përvojat e saj në mësimdhënien e gjuhës shqipe në hapësirat gjermanishtfolëse. Shkrimi trajton sfidat e mësimit të shqipes në këto vende, duke përfshirë përballjen me ndryshimet në alfabet, shqiptimin e tingujve të veçantë dhe vështirësitë gramatikore, ndërsa ofron sugjerime të dobishme për t’i kapërcyer ato.
Rubrika do të përqendrohet te veçantitë që paraqet secili vend në procesin e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqipe. Përmes përvojave të mësuesve në vende të ndryshme, synimi është të sigurohen udhëzime të dobishme dhe të krijohet një hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe zgjidhjeve.
“Diaspora Shqiptare” e sheh këtë iniciativë si një mundësi për të ndihmuar mësuesit që të përmirësojnë procesin e mësimdhënies, duke ruajtur dhe përhapur gjuhën dhe kulturën shqiptare tek brezat e rinj.
Ftojmë çdo mësues dhe mësuese të gjuhës shqipe, kudo që ndodhet, të ndajë përvojën e tij/saj me ne duke na shkruar në: [email protected] ose [email protected].
Shqipja në Gjermani dhe Austri
Miradije Berisha
Për mësuesit e gjuhës shqipe që japin mësim në Austri dhe Gjermani, është e rëndësishme të kenë parasysh dallimet thelbësore mes shqipes dhe gjermanishtes. Këto ndryshime përfshijnë jo vetëm strukturën e alfabetit, por edhe shqiptimin dhe përdorimin e ndryshëm të rregullave gramatikore, të cilat mund të jenë sfiduese për nxënësit shqiptarë që mësojnë në një kontekst gjermanofon.
Alfabeti dhe Shqiptimi
Alfabetet e Ndryshme: Shqipja ka një alfabet me 36 shkronja, ndërsa gjermanishtja përdor një alfabet me 26 shkronja. Megjithëse të dyja gjuhët përdorin alfabetin latin, shqipja përfshin dhjetë shkronja të veçanta, si ç, dh, ë, gj, ll, nj, rr, sh, th dhe zh, të cilat nuk ekzistojnë në gjermanisht.
Gjermanishtja, në anën tjetër, ka shkronjën e veçantë ß dhe zanoret e modifikuara ä, ö, dhe ü, të cilat shfaqin ndryshime në shqiptim. Nxënësit shqiptarë shpesh i lexojnë gabimisht tingujt specifikë të shqipes, siç janë: thika që lexojnë “t-hika” ose zhurma që lexojnë “churma”. Rekomandohet që mësuesit të përqendrohen te këto shkronja të veçanta duke përfshirë ushtrime që ndihmojnë në shqiptimin e saktë të tyre.
Diftongët dhe Tingujt e Veçantë
Në gjermanisht, diftongët si au, ei, dhe eu janë të zakonshëm, ashtu si edhe tingulli ch, i cili ka një shqiptim specifik që nuk gjendet në shqip. Shqiptimi i disa tingujve në shqip, të tillë si ç dhe q, nuk gjendet në gjermanisht dhe duhet mësuar në mënyrë të kujdesshme.
Gramatika dhe Strukturat e Rralla
Lakimi i Emrave: Gjermanishtja përmban katër rasa për lakimin e emrit (nominativ, akuzativ, dativ, gjeniativ), ndërsa shqipja përdor pesë rasa (emërore, gjinore, dhanore, kallëzore dhe rrjedhore). Kjo kërkon përkushtim të veçantë nga mësuesit për të shpjeguar këto ndryshime strukturore. Shqipja kërkon që nxënësit të mësojnë format e ndryshme të emrave dhe përdorimin e tyre të duhur, gjë që kërkon një përqendrim të veçantë për shkak të kompleksitetit të rregullave të saj.
Gjinia dhe Përdorimi i Nyjeve: Në gjermanisht, gjinitë dallohen përmes artikujve para emrit: der (mashkullore), die (femërore) dhe das (asnjanëse). Për shembull, “lapsi” në gjermanisht do të ishte der Stift (mashkullore), “nxënësja” die Schülerin (femërore), dhe “shtëpia” das Haus (asnjanëse). Në shqip, dallimi i gjinisë bëhet përmes ndryshimeve në fundin e fjalës, si libër-libri (mashkullore) dhe dorë-dora (femërore). Kjo strukturë mund të jetë konfuzuese për fëmijët dhe kërkon praktikë të vazhdueshme për të kuptuar ndryshimet.
Shkrimi me Shkronjë të Madhe: Në gjermanisht, të gjithë emrat shkruhen me shkronjë të madhe, si Hund (qeni), ndërsa në shqip vetëm emrat e përveçëm shkruhen me shkronjë të madhe. Mësuesit duhet të ndihmojnë nxënësit të dallojnë këtë rregull për të shmangur gabimet gjatë shkrimit në shqip.
Ndikimi i Gjermanishtes në Shqiptimin dhe Shkrimin e Fjalëve Shqipe
Ngatërrimi i Tingujve të Ngjashëm: Fëmijët shqiptarë që mësojnë në gjuhën gjermane shpesh ngatërrojnë tingujt për shkak të ngjashmërive në shqiptim. Për shembull:
Shkronjat v dhe ë shpesh ngatërrohen, dhe fëmijët mund ta shkruajnë fjalën “vera” si “ëera”.
Kombinimi sh në shqip mund të ngatërrohet me sch në gjermanisht.
Shkronjat y dhe x mund të lexohen si në gjermanisht, pra ypsilon dhe iks.
Shembuj të Ngatërrimeve të Zakonshme: Për shkak të ndikimit të rregullave të gjermanishtes, fëmijët bëjnë gabime të zakonshme në lexim dhe shkrim të fjalëve shqipe, si p.sh. qytet mund të lexohet chutet, shoku si schoku. Gjithashtu, përdorimi i gabuar i shkronjës y dhe u është i zakonshëm, duke e shkruar “ulli” si “illi” apo “shoku” si “shoki”.
Marrë nga Diaspora Shqiptare
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Kozeta Zylo: Në klasën e sapohapur të mësimit shqip në Albany, kryeqytetin e Nju Jorkut
“Gjahu i malësorëvet” vjen i digjitalizuar
Mësuesia, një profesion plot sfida!