MËSIMDHËNIA

Mësuesia, një profesion plot sfida!

Është e rëndësishme të kuptojmë, vlerësojmë rolin e mësuesit dhe gjurmët që lë ai në zhvillimin e nxënësit, nga prindërit, shoqëria dhe institucionet. Ndërtimi në harmon i këtyre marrëdhënieve do të çojë në edukimin sa më të mirë të brezave të ardhshëm.

Në një orë mësimi shumë situata duhen menaxhuar nga mësuesi me shumë kujdes, prandaj roli i tij është delikat dhe i rëndësishëm në shumë dimensione. Në institucionin shkollor nuk transmetohen vetëm dije, por nxënësi-fëmijë formohet në zhvillimin psikomotor, psikologjik dhe shkencor. Këta elementë janë mjaft të rëndësishëm dhe të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin si në ecuri ashtu dhe në zhvillimin e tyre në harmoni. 


Por a është e thjeshtë për mësuesin të tregohet i kujdesshëm në zhvillimin dhe formimin e nxënësit në të tria dimensionet: atë psikomotor, psikologjik dhe shkencor? 

Kësaj sfide i shtohen edhe faktorë të tjerë që nuk mund t’i anashkalojmë: si klasat me shumë nxënës, nxënës me nivele te ndryshme social-ekonomike e kulturore, me nivele dhe aftësi të ndryshme në të kuptuarit e njohurive, nxënës me nivele të ndryshme fiziku, ku më i forti fizikisht bëhet i pari në situata konflikti, kurse më i miri në njohuri është i nevojshëm për të gjithë, ndërsa më i pasuri demonstron të mirat e tij materiale dhe imponon ndjenjën e inferioritetit tek shtresa tjetër me nivel më të dobët ekonomik. Është dhe rasti kur një nxënës me ngjyrë ndjehet hera-herës ndryshe nga të tjerët e një nxënës tjetër praktikant i fesë gjendet në një institucion laik... ka nxënës me prindër të divorcuar, ose me mungesën e një prindi dhe të gjitha sa përmenda janë faktorë sfidues për menaxhimin sa më efektiv dhe produktiv. 


Në njëfarë mënyre  dhe suksesi i një ore mësimi ose shumë orëve mësimi apo një viti apo shumë viteve varet nga mësuesi i cili është i vetmi aktor i rëndësishëm, ku bie përgjegjësia më e madhe për formimin e një individi të plotësuar sa më mirë në të tria dimensionet.

Gjithashtu, nuk mund të lë pa përmendur që mësuesi në një kohë prej 90 minutash do të menaxhojë kontrollin dhe shpalosjen e njohurive, do të menaxhojë situatat e ndryshme që lindin midis nxënësve, midis tij dhe nxënësit dhe te të gjitha këto kërkohet saktësi, shpejtësi, intuitë, vendosmëri brenda 90 minutash. 


Kur i rendit dhe analizon të gjitha këto situata kupton vërtet pozicionin e mësuesit, kupton vështirësitë që ka, rolin e tij në zhvillimin dhe jetën e nxënësve që janë e ardhmja e shoqërisë.                  

Të gjitha këto situata lehtësohen kur mësuesin e shoqëron pasioni për punën, dashuria për nxënësin, qëllimi i mirë për edukimin e brezit te ri, aftësia në lëndën që jep, bashkëpunimi me prindin dhe institucionin. Por nuk duhet të harrojmë që mësuesi ka nevojë për ndihmë më të madhe nga të gjitha shtresat shoqërore dhe institucionet. Të mbështet dhe vlerësohet në rrafsh institucional, duke vlerësuar figurën e tij e duke motivuar punën e tij. Vërtet është aktor i rëndësishëm në zhvillimin e fëmijëve, por nuk duhet të jetë i vetëm dhe të lihet i tillë në shigjetat e kritikëve apo emisioneve investigative.


Paralelisht doja të theksoja që nxënësi është i brishtë, delikat dhe çdo gjë lë gjurmë në karakterin e tij. Janë amanet që prindërit ua lënë mësuesve një pjesë të mirë të zhvillimit e tyre, gjithashtu edhe shteti ia ka besuar mësuesit zhvillimin e brezave të rinj në të tria dimensionet.

Andaj mirëbesim, mirëkuptim, vlerësim për mësuesin nga të gjithë, por nga ana tjetër dashuri, kujdes, përkushtim e pasion nga mësuesi për nxënësin, fidanin e brishtë të shoqërisë. 


Është e rëndësishme të kuptojmë, vlerësojmë rolin e mësuesit dhe gjurmët që lë ai në zhvillimin e nxënësit, nga prindërit, shoqëria dhe institucionet, gjithashtu është e rëndësishme që mësuesi të ketë dashuri, pasion, vetëbesim, dëshirë për rolin dhe  misionin e tij në edukimin, formimin dhe zhvillimin  e  brezit të ri. Ndërtimi në harmoni dhe besim i këtyre marrëdhënieve do të çojë në përmirësimin dhe edukimin sa më të mirë të brezave të ardhshëm.



(Përgatiti Florinda Luma, mësuese në shkollën "Hafiz Ibrahim Dalliu)

4,176 Lexime
5 vjet më parë