Intervistë

"Metoda më e rrezikshme" në shqip. Sofiana Filipi: Çfarë ndryshoi tek unë pas përkthimit

Mjeshtëria rrëfimtare e John Kerrit në librin“Metoda më e rrezikshme” qëndron në gjallësinë që i ka dhënë historisë së psikanalizës. E si për ta vazhduar rrjedhën e kësaj mjeshtërie, përkthyesja Sofiana Filipi rrëfen se ka lidhje të forta emocionale me veprën. Detajet rrëfehen në bisedën në vijim.

Qysh sapo iu bashkua veprave të karakterit psikologjik të sjella në shqip, “Metoda më e rrezikshme” u bë ndër veprat e preferuara të lexuesve. Dhe jo më kot, pasi mjeshtëria rrëfimtare e autorit të saj, John Kerr, ka qenë pikërisht që ta sjellë historinë e psikanalizës të gjallë. E si për ta vazhduar rrjedhën e kësaj mjeshtërie, përkthyesja Sofiana Filipi në intervistën më poshtë rrëfen se ka lidhje të forta emocionale, qoftë me temën, qoftë me dëshirën për ta vazhduar traditën e pasurimit të linjës së botimeve psikologjike në gjuhën shqipe që Shtëpia Botuese Albas sjellë. 


“Kam lidhje të forta emocionale, qoftë me temën që trajtohet në këtë vepër, qoftë me dëshirën për ta vazhduar traditën e pasurimit të linjës në gjuhën shqipe të ALBAS. Pavarësisht se nuk kisha asnjë hezitim për ta marrë përsipër këtë libër voluminoz, duhet ta pranoj se ai naivitet më shpëtoi. Po ta kisha menduar më gjatë ndoshta do të stepesha”, thotë Sofiana.  


“Metoda më e rrezikshme” është të dëgjuarit, përtej nivelit sipërfaqësor. Për këtë libër pasioni për temën ka shumë më tepër rëndësi sesa lloji i lexuesit, prandaj, sipas përkthyeses që e ka sjellë atë në shqip, tema e vetëreflektimit është shumë trendi dhe aktuale. Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën si më poshtë... 



Flitet për një trekëndësh të teorisë së psikanalizës. Një grua hodhi dritë mbi marrëdhëniet e ndërlikuara midis dy mendimtarëve më me ndikim të shekullit të XX. E për rrjedhojë, lexuesit shqiptarë janë treguar më tepër se kureshtarë, derisa “Metoda më e rrezikshme” e John Kerr u bë ndër librat më të kërkuar të kohëve të fundit, i sjellë nga Shtëpia Botuese Albas. Sofiana, pse vendosët ta sillnit në shqip një libër kaq të rëndësishëm? Çfarë ju ka tërhequr qysh në fillim për ta përkthyer atë dhe cila ishte sfida me të cilën u ndeshe?


Si fillim dua të shpreh sa mirënjohëse jam për interesin që libri ka pasur dhe falënderoj lexuesit shqiptarë, të cilët hapën dyert e bibliotekës së tyre personale, ku edhe unë tashmë si përkthyese jam pjesë.

Arsyeja pse e solla në shqip është “egoiste”. Gjithmonë kam pasur një tërheqje për mekanizmat se si ne si njerëz funksionojmë e reflektojmë. Për vite kam lexuar, dëgjuar leksione, e marrë pjesë në evente ku bëhej fjalë për shëndetin mendor dhe vetëreflektimin. Ishte dashuri me shikim të parë që kur lexova “Rruga në të cilën rrallë shkohet” nga Scott Peck, botuar në fillimet e shtëpisë botuese Albas. Përkthyesi ishte Latif Ajrullai, i cili më prezantoi me këtë botë dhe me të cilin shpesh bënim biseda së bashku me mamanë time. Ajo sidomos më pyeste shpesh për mendimin tim mbi karakteret e njerëzve. Kam një nostalgji të bukur për ato kohë. Pra, siç mund të nënkuptohet, kam lidhje të forta emocionale, qoftë me temën, qoftë me dëshirën për ta vazhduar traditën e pasurimit të linjës në gjuhën shqipe.


Pavarësisht se nuk kisha asnjë hezitim për ta marrë përsipër këtë libër voluminoz, duhet ta pranoj se ai naivitet më shpëtoi. Po ta kisha menduar më gjatë ndoshta do të stepesha. Sfida më e madhe ishte shqipërimi i termave, apo shpjegimi i tyre sa më shqip. Fati im është se punova me kryeredaktoren Natasha Pepivani dhe redaktoren Dorina Basha, për të cilat fjala profesioniste nuk arrin dot të përkufizojë aftësitë e tyre, pasi pasioni, vullneti dhe përkushtimi për të nxjerrë botime të cilësisë më të lartë shqip janë gjithashtu pjesë e ADN-së së zanatit të tyre. Pa ekip ky libër nuk do të bëhej dhe unë jam mirënjohëse për secilin prej profesionistëve, të cilët kontribuuan.


U ndjeva disi si John Kerr vetë një moment, pasi edhe ai kishte një ekip të tërë, të cilët e mbështetën në çdo hap të krijimit të veprës së tij.

 


Për t’u thelluar pak më tepër, çfarë argumenton ky libër për teorinë e psikanalizës dhe protagonistët e saj, Zigmund Frojdit, Karl Jungut dhe Sabina Shpilrajnit? Çfarë historie rrëfehet aty? A ka sekrete të pathëna? Pra, në njëfarë mënyre, çfarë pritet t’i ndodhë lexuesit pasi ta ketë lexuar këtë vepër?


Libri rrëfen historinë e psikanalizës gërshetuar me fatet e Frojdit, Jungut dhe Shpilrajnit, marrëdhëniet e tyre, zhvillimin që pati ajo kur ishin pranë njëri-tjetrit dhe rënien e saj kur ishin në konflikt. Sinergjia e tyre ishte e përkryer, por natyra njerëzore i përfshin të gjitha. Metoda më e rrezikshme është të dëgjuarit, përtej nivelit sipërfaqësor, e për ta drejtuar tjetrin në qartësi mendore, e pse jo edhe shpirtërore.


Në zemër të librit qëndrojnë sekretet e pathëna dhe ne lexuesve na shfaqen të shkruara prej vetë Frojdit, Jungut dhe Shpilrajnit në pjesët e shkëputura nga letrat e tyre. Ata janë të zhveshur para nesh dhe ky është rast për mos u humbur. Ne arrijmë të përjetojmë bashkë me ta, jo vetëm të lexojmë fakte të ftohta e të thata nga çdo emocion dhe ky përjetim na çon në transformim. Mjeshtëria rrëfimtare e John Kerrit ka qenë pikërisht kjo: ta sjellë historinë e psikanalizës të gjallë.


Nëse personazhet nuk do të kishin jetuar vërtet, ky libër do t’i ngjante më shumë një romani. Jo më kot u kthye në film.


 

A vlejnë këto vetëm për një lexues të zgjedhur e me peshë, apo i përfshijnë të gjithë?  Se për shembull, një lexues “përtac” do të pyeste, cila është kjo “Metoda më e rrezikshme” dhe përgjigjen do donte ta merrte shabllon...


Si lexuese “përtace” e kuptoj shumë mirë këtë dëshirë dhe një nga gjërat që preferoj nga ky libër është se, kudo që e hap, del në sipërfaqe diçka që më bën të mendohem, apo lexoj pjesë ditari të Shpilrajnit, ku ajo rrëfen dilemën e saj dashurore për Jungun dhe zhytem të mësoj më shumë. Pra, ky libër është joshës dhe faktikisht nuk është ndërtuar domosdoshmërisht për t’u lexuar në mënyrë lineare, apo për t’u lexuar me një frymë. Madje pauzat janë shumë të nevojshme për të tretur informacionin dhe mbresat.


Për këtë libër pasioni për temën ka shumë më tepër rëndësi sesa lloji i lexuesit.



Ndërkohë, për t’iu rikthyer sërish trajtesës në libër, a mbeten idetë në të aq të vjetra sa për të qenë aktuale edhe sot?


Tema e vetëreflektimit është shumë trendi dhe aktuale. Kjo e bën librin të jetë shumë i rëndësishëm për të kuptuar se si rrodhi e gjitha. Si fillim kuptojmë sa të vjetra janë konceptet dhe sa kohë njeriu është shqetësuar për to. Gjithashtu, sa ndikon periudha kohore ku ndodhet shoqëria, ku ne mund të kemi më tolerancë edhe për konceptet e vjetruara, ndërkohë që shohim vlerat e tyre si shkallë të nevojshme për të arritur në kohët e sotme të të menduarit.


John Kerr i quan Frojdin dhe Jungun “banorët e parë të shekullit XX” dhe teoritë e tyre janë akoma më të pranishme në të tashmen, pasi mbi to bazohet arti modern. Do shtoja madje se edhe marketingu është transformuar. Reklamat klasike e kanë humbur fuqinë e tyre dhe ne si blerës besojmë më shumë te përjetimet personale.



Metoda e terapisë me biseda, diskutime ose kultura e vetëreflektimit, a nuk do të ishin këto një praktikë e mirë për shoqërinë tonë të sotme, e domosdo për brezin 2.0? Cili është mesazhi që vlen të thoni ju në këtë pikë?


Brezi 2.0 është shumë më i hapur për terapinë se sa brezat e mëparshëm. Do të thosha se brezat e mëparshëm do të kishin përftuar shumë nga kultura e vetëreflektimit dhe terapisë me biseda. Çdokush përfiton madje nga studimi dhe zbulimi i vetvetes. Ndërsa për brezin e ri do këshilloja vetëm mos të mbeten në ciklin e reflektimin aq gjatë, saqë nuk arrin të hedhë dot hapin e radhës.



Pasi e përfunduat së përkthyeri këtë libër, a ndryshoi ndonjë perspektivë juaja në vetvete nëpërmjet tij, apo pse jo edhe më gjerë, për jetën? Ka shënjuar diçka që lidhet me projektet në të ardhmen?


Jo vetëm perspektiva, por asnjë aspekt i jetës nuk i përngjan atij kur nisa ta përktheja librin.


Shpilrajni sidomos më ka prekur thellësisht. Ajo e nisi si paciente, u bë asistentja, mikja shpirtërore dhe e dashura e Jungut, përfundoi me sukses shkollën e lartë, u bë psikanalistja e parë femër, punoi së afërmi me Frojdin, lista nuk mbaron. Mua më kanë mbetur në zemër shkrimet e saj dhe e kam gjetur veten shpesh atje. Më zgjoi guximin femëror dhe më rikujtoi rëndësinë që dashuria ka për mua si forcë krijuese. Si Sabina, edhe për mua dashuria ka qenë mësuese sa e rreptë, aq edhe zhvilluese.


Përkthimi i këtij libri ishte kulminim i shumë viteve të eksplorimit të pasionit tim dhe shënjoi edhe nisjen e një rrugëtimi të ri për mua, të qenit këshilluese dashurie dhe intimiteti. Tashmë me diplomimin dhe lançimin e smagicportal.com jam zhytur kokë e këmbë profesionalisht në këshillim, kjo falë vërtetimit që ky libër më dha; atë që pasioni mund të kthehet në profesion. Dhe sigurisht, ky është vetëm fillimi, libra dhe projekte të tjera do e ndjekin shumë shpejt.

 

Të priftë e mbara atëherë, dhe Gëzuar Ditën Botërore të Librit! :) 




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

891 Lexime
7 muaj më parë