"Mësuesja zeshkane" nga Pranvera Karafili

"Mësuesja zeshkane" është shkrimi letrar i Pranvera Karafili, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

"Mësuesja zeshkane" është shkrimi letrar i Pranvera Karafili, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.



- Përshëndetje, si jeni?


U dhashë dorën një më një të gjithëve. Një buzëqeshje të shtirur mora nga kolektivi. Drejtuesja më prezantoi para tyre, si mësuesen më të re në arsimin parashkollor.


Prezantimi për herë të parë, ishte sfidë për mua, sepse paragjykohesha…

Një mësuese me ngjyrë…


“Mos vallë kisha ardhur nga një tjetër planet?!” Mendimet e mia sorollateshin dhe pyesja veten: “A do të isha e aftë për të punuar me fëmijët? A do të më donin ata?  Si do të bashkëpunoja me prindërit?” Pyetje nga më të ndryshmet më mundonin.


Unë i doja shumë fëmijët, edhe punën me ta, prandaj e zgjodha këtë profesion.


I vura qëllim vetes. Do t'ia dal mbanë. Nuk tërhiqem.


Kaluan disa ditë pune me vogëlushët.


U falja shumë dashuri. Ata ndiheshin mirë, të kënaqur nga unë, nga lojërat që u zhvilloja, nga përrallat që u lexoja, nga eksperimentet e gjithçka dija rreth metodologjisë së mësimdhënies.


Po ç’ndodhi një ditë? Pse u ndjeva e fyer? Kush ishte fajtori?

I pyeta fëmijët: 

– Dëshironi të luajmë në natyrë?

Të gjithë njëzëri, u përgjigjën: 

– Pooo.


Pas pesë minutash lojë të lirë, u dëgjua një e bërtitur:


– Shpejt brenda, se do na rrëmbejë evgjiti! 


Uaaaaa! U trondita! Çfarë ishte kjo? 


Pse gjithë ajo frikë edhe mllef ndaj atij personi, i cili mblidhte kanoçe për të siguruar ushqimin e familjarëve?!

I futa fëmijët në klasë. I  qetësova, duke u folur për atë njeri.


Paragjykimi  më i keq i tyre, i ngulitur në kokë nga prindërit. Keqardhje!


Çdo ditë e më shumë punoja fort me ta, për të larguar paragjykimet për njerëzit: "Është i zi, i palarë, njeri i keq."


Diskutoja herë pas here me prindërit. Me besim të madh te vetja, me sjelljen dhe kulturën time, unë do t'i thyeja të gjitha barrierat. U flisja shpesh për këtë komunitet, për këta njerëz, të cilët gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nuk u njohin zemrat.


Duke folur e duke u treguar për këtë komunitet, sikur çlirohesha nga një barrë e rëndë e mbushesha plot emocion.


" Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t'i doni ata! " – kështu ka thënë Shën Nënë Tereza.


Si bijë e komunitetit egjiptian, ndihem e respektuar nga fëmijë, prindër, kolegë e miq. Me vullnet të madh, me pasion e përkushtim, me durim e dashuri, ia kam dalë...


Të qenit një model pozitiv, nuk do të thotë t'i tregosh fëmijës atë që duhet të bëjë e të mos bëjë, por me vepra, t'i tregosh shembullin tënd. Kjo është më e rëndësishme. Këtë sheh më mirë ai edhe pse fëmijë.


Sot që po shkruaj, jam në vitin e njëzet e pestë të punës me fëmijët parashkollorë.


Rrëqethesh, teksa dëgjon:


– Mësuese, të kam shumë xhan, më ka marrë malli për ty!


E këto fjalë të prekin në zemër, të bëjnë të ndihesh krenare për fëmijët që edukon. Ata janë të bukurit, të shkathëtit, të sinqertët, të zgjuarit, më të çiltrit e kësaj bote. Ata janë të pafajshmit. Fëmijët të falin kaq shumë dashuri, të bëjnë të qeshësh, kur ti je fytyrëngrysur, por edhe të qash në momente të caktuara.


Janë ata që kuptojnë emocionet e tua, të bëjnë të heshtësh, kur kërkojnë falje.

Ata nuk dinë të gabojnë. Janë të rritur para kohe.

Fëmijët, janë engjëjt e kësaj bote.

Ata kanë nevojë për përkujdesje, mbrojtje, mbështetje, për shumë dashuri…

Fëmijët janë e ardhmja! Ne u detyrohemi shumë atyre!




Pranvera Karafili

Pranvera Karafili ka lindur më 9 mars të vitit 1977, në qytetin e Korçës.Studimet e larta i ka mbaruar po në këtë qytet, pra te Universiteti "Fan.S.Noli", cikli i mësuesisë, dega parashkollor. Ka filluar punë në vitin 1998. Prej 20 vitesh ka punuar në fshatin Neviçisht, pranë qytetit të Korçës. Aktualisht, ka rreth 5 vite që punon mësuese parashkollori në qytet, te kopshti 9. Asaj i pëlqen sporti, muzika, udhëtimet, ndërsa shkruan edhe poezi. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


7,897 Lexime
1 vit më parë