“Ai nuk mundi të kurorëzohet maturant...”, nga Antoneta Zaja
“Ai nuk mundi të kurorëzohet maturant...”, është shkrimi letrar i Antoneta Zaja , me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
“Ai nuk mundi të kurorëzohet maturant...”, është shkrimi letrar i Antoneta Zaja , me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Ishte java e fundit e atij viti shkollor, kur ai erdhi në shkollë jo si në të gjitha ditët e tjera. Sytë i shkëlqenin nga lumturia, se për herë të parë në jetë kishte arritur të gjente një punë gjatë pushimeve verore, nëpërmjet së cilës do të grumbullonte të ardhura për të blerë gjërat bazike për një maturant në shtatorin që do vinte.
Do të kishte dashur t’i fillonte pushimet si gjithë fëmijët e tjerë, por gjendja ekonomike nuk ia lejonte një gjë të tillë. E,megjithatë, nuk ndihej i trishtuar. E dinte se familja i kishte sytë nga ai për të qenë një ditë ndryshe.
Na përshëndeti plot entuziazëm, me shpresën për t’u ritakuar së shpejti. Askush nuk e mendonte se kjo ishte hera e fundit që ne po e shihnim. Në fund të fundit, u ndjemë edhe ne mirë që, pavarësisht të gjithave, iu krijua një mundësi e tillë.
U nis me ëndrrat e një të riu që po kërkon një jetë ndryshe, larg familjes, në shoqërinë e personave që nuk i njihte.
Ai ishte një ndër ata qindra fëmijë që u duhej të punonin në një sezon të gjatëveror, duke bërë punë nga më të ndryshmet, si: shitja e petullave apo e produkteve të tjera që u ofrohen plazhistëve, duke ecur në rërën që u përvëlonte këmbët në kohën e drekës; mund të kishe fatin të ishe një kamerier, apo personi që shërbeje te çadrat e plazhistëve.
Kjo rutinë vazhdon edhe në ditët e sotme madje me ritme të përshpejtuara, për shkak të mungesës së punonjësve, të cilët janë larguar në vende të tjera për një jetë më të mirë.
Mbase po të kishte qenë në këtë kohë, edhe ai, jam e bindur, si shumë të rinj do ta braktiste shkollën për të shkuar në drejtim të Anglisë me një gomone ose në shtete të tjera. Por atëherë nuk ekzistonte një mundësi e tillë.
Normalisht që pushimet janë të shkurtra për ata që i shijojnë dhe fluturojnë me shpejtësi marramendëse, por për fëmijët që punojnë janë sfilitëse e, gjithsesi, janë momenti që nuk duhet humbur për të bërë ato pak para që do t’i përdorin gjatë gjithë vitit shkollor.
Ndonjëherë ne nuk arrijmë t’i kuptojmë këta fëmijë dhe shqetësimet e panumërta të tyre. Na mjafton që ata të jenë të përgatitur e nëse vijnë pa detyra, tregohemi shpesh herë të ashpër pa dashur ta pranojmë arsyetimin.
Nuk ishin rrjetet sociale që janë sot për të pasur mundësinë e informimit në kohë reale, por lajmi i keq, thoshin të vjetrit, qarkullon shumë shpejt e nuk është kurrë i rremë.
Fatkeqësisht ai kishte pësuar një aksident të rëndë,kur po luante me shokët e tij në një pjesë të bregdetit. Duke bërë hedhje gjimnastikore në ujë, kishte dëmtuar një pjesë të shtyllës kurrizore dhe e kishin nisur me urgjencë drejt spitalit të traumës, në kryeqytet.
Duheshin edhe pak ditë të fillonte viti i ri shkollor e askush nuk e kishte menduar se ai nuk do të vinte më. Lajmi u përhap kudo. Mua më dukej e pabesueshme një gjë e tillë, e mendoja si një ëndërr e keqe prej së cilës pret të zgjohesh të nesërmen.
Shkolla filloi, por banka e tij ishte akoma bosh, sepse ai nuk mundi të vinte si të gjithë shokët e tjerë. Tani qëndronte në spital, duke luftuar me vdekjen.
Të gjithë bashkëmoshatarët ishin të gatshëm të mblidhnin para me aq sa mundnin, duke u kërkuar edhe të tjerëve, por për të nuk kishte më shpresë.
Kishim frikë se do ta linin të vdiste për mungesë parash, se një pjesë e mjekëve këtu të lënë mënjanë, nëse nuk marrin shumat e kërkuara për pacientët, por ai kishte pasur një doktor i cili ishte treguar mjaft human, duke parë situatën e familjes së të riut.
U kishte premtuar se do të bënte gjithçka për ta shpëtuar, ndonëse shpresat ishin shumë të pakta. Edhe pse, sipas mjekut, nuk mund të bënte një ndërhyrje,sepse i ishte prekur truri dhe shpresohej në një çënjtje të pjesës së prekur dhe se kudo që të dërgohej, nuk kishte mundësi kurimi.
Të gjithë besonim te një mrekulli, por ajo nuk ndodhi. Pas dy javësh ai u shua në heshtje.
Prita pas derës së reanimacionit për disa orë për ta parë edhe një herë të fundit, por nuk më lejuan. Aty shihje me dhjetëra raste të rinjsh që luftonin për të mbijetuar pas aksidenteve të shumta, për shkak të tejkalimit të normave të shpejtësisë.Të afërm që luteshin pa pushim për jetën e njerëzve të tyre të dashur, prindër të dërrmuar shpirtërisht e psikologjikisht, që i kërkonin Zotit t’ua merrte jetën e tyre e t’ua falte atë të fëmijës. Lot që të vrisnin me dhembjen e tyre në korridoret e rrëmujshme të spitalit të vdekjes.
Sa të pafuqishme e kam ndier veten kur u ndodha në atë mjedis kaq të errët. Mendoja se Zoti do t’i jepte një mundësi tjetër..., por kjo nuk ndodhi.
Ai në fund u dorëzua, i la aty ëndrrat e dëshirat e tij të panumërta, e la në mes të katër rrugëve familjen, që e kishin dritën e syve. Ne nuk mund të bënim më asgjë!
U nisëm për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit me dhjetëra mësues e nxënës. Të gjithë belbëzonim ato shprehje të traditës për të gjithë komunitetin,kur shkohej në një ngjarje të tillë të dhimbshme, duke thënë trishtueshëm: “Zoti u dhaftë kivet!”.
Mua më kishin mbetur fjalët në grykë, nuk arrija të thosha asgjë, thjesht përpiqesha të orientoja nxënësit, të cilët ishin të tronditur nga ajo që po u shihnin sytë.
Ai dukej sikur po flinte e në cepin e buzës i kishte mbetur një buzëqeshje e lehtë. Nuk kishte ikur i mërzitur nga kjo botë, i kishte mjaftuar ajo që kishte pasur.
Në ceremoninë e varrimit mbajta një fjalim të shkurtër në emër të gjithë shokëve e shoqeve të tij, në emrin tim si mësuesja e tij kujdestare. Gjatë kohës që lexoja, mes rreshtave zëri më dridhej e lotët më rridhnin pa ndërprerë në faqe.
Më dukej sikur po më zihej fryma, ishte e padrejtë të hidhje grushtin e dheut mbi arkëmortin e një djali kaq të ri. Do të na mungonte pafund çiltërsia e tij, zemra e bardhë e mbushur me shumë dashuri. Ishte shumë inteligjent, i shkathët, spikaste si talent në lëndën e edukimit fizik, ishte i gatshëm për të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet pa refuzuar asnjëherë kërkesat që i bëheshin.
Një detaj që as sot, pas shumë vitesh, nuk më hiqet nga mendja, ishin këpucët të cilat ai i kishte blerë për ditën e parë të atij viti shkollor si maturant e nëna ia kishte veshur në ditën e vdekjes.
Do të niste një udhëtim të ri bashkë me engjëjt, duke lënë pas një dhembje të madhe për të gjithë ata që e kishin njohur. Në bankën ku ai qëndronte nuk u ul askush për ditë me radhë. Sipër saj në mënyrë simbolike qëndronte një tufë me lule e vendosur nga nxënësit e klasës.
Sa herë e mallkuan fatin ata maturantë, që edhe ai nuk ishte me ta; në mbrëmjen e maturës u përlotën kur lexuan vargjet që i kishin dedikuar.
Mbaj mend që disa muaj pas vdekjes së të birit, e ëma erdh’ e trokiti lehtë në derën e klasës ku dikur qëndroi i biri. Kur ajo hyri brenda, papritmas ra një heshtje varri. Me sytë që i lotonin, i falënderoi të gjithë për përkrahjen që i kishin dhënë djalit të saj.
Zemra i donte papushim që edhe ai të ishte këtu, t’i ndiqte ëndrrat e tij, por fati nuk ia dha një mundësi të tillë. Jeta u tregua e ashpër me të deri në fund.
Nuk e di se si mund ta duronte një dhembje kaq therëse shpirti i kësaj nëne që kaq shumë kishte vuajtur, si mund të arrinte t’u uronte suksese këtyre maturantëve, kur ëndrrat e saj ishin thërrmuar në mijëra copëza.
Unë nuk munda të them shumë gjëra, nuk dija si ta ngushëlloja për t’ia lehtësuar sadopak dhembjen. Në një situatë të tillë fjalët ishin të tepërta. Ajo ishte aq e përhumbur, aq e tronditur...Ajo kishte dhe tre fëmijë të tjerë, nxënës të po asaj shkolle, por asnjëri prej tyre nuk mund ta zëvendësonte atë, se ai kishte qenë shpresa dhe lumturia e gjithë familjes, kishte qenë trau më i fortë i shtëpisë, që ishte thyer përgjysmë.
Nuk mundi kurrë të kurorëzohej si gjithë maturantët e tjerë e ky është një peng që më mbeti në shpirt. Sot janë të panumërt të rinjtë që kanë ikur e të tjerë që ëndërrojnë për të ikur. Shkollat janë braktisur, duke u kthyer në klasa kolektive në një arsim pa të ardhme, sepse aty ku nuk ka njerëz, nuk ka më jetë.
Me dhemb shpirti përballë një situate të tillë e jetoj me shpresën se një ditë ata do ta gjejnë rrugën e kthimit për në atdhe, aty ku fjala NËNË të mbush me frymë, me jetë...
Antoneta Zaja
Antoneta Zaja ka lindur më 25 shtator të vitit 1983, në Dom, Pukë. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër, dega gjuhë-letërsi. Ka punuar si mësuese e kësaj lënde prej 18 vitesh, në shkollën “Nikoll Lleshi”, Gjegjan, Pukë, ku vazhdon edhe tani të ushtrojë profesionin. I pëlqen të shkruajë kryesisht poezi me tematika të ndryshme.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Botë shumëngjyrëshe” nga Dorina Saraci
“Motivimi kundër heshtjes” nga Rudina Luzi
“Rreze drite” nga Petrika Demirllari