“Mësuesia, misioni që mbajmë mbi supe”, nga Sara Fahem
“Mësuesia, misioni që mbajmë mbi supe”, është shkrimi letrar i Sara Fahem, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
E gjitha nisi e projektuar si një ëndërr, nga ato ndër më të çiltrat që vijnë bashkë me moshën më të ëmbël, fëmijërinë.
Një vajzë e vogël me sytë plot dritë dhe dëshira të jashtëzakonshme për të ardhmen, do të fillonte klasën e parë, me bindjen se ky fillim do të ishte hapi i parë i sigurt për të qenë dikush në të ardhmen.
E kujtoj si sot sa me entuziazëm u nisa atë ditë për në shkollë dhe se, çdo vit e më shumë, ky entuziazëm shtohej.
E doja shkollën, librat, shoqërinë, por ajo që më së shumti e desha dhe që u bë vendimtare e dëshirave dhe e pasioneve të mia të së ardhmes, ishte mësuesja ime e fillores. Pasioni i saj, përkushtimi, dashuria, serioziteti më bënin ta doja atë dhe profesionin e saj. E nuk ishte pak ajo që më ofrohej prej saj, për të marrë qysh në atë kohë një vendim në kokën time: “Unë do të bëhem mësuese!”.
Vitet rrodhën. Vajza e vogël me sytë plot dritë dhe dëshira të jashtëzakonshme vazhdonte e sigurt rrugën e dijes... dhe mësues të tjerë u shtuan në këtë rrugë, që lanë po të njëjtat mbresa, dhe kjo e bënte edhe më të lidhur me ta e me profesionin e tyre.
Koha rendi, vitet vrapuan e ja ku e gjej veten me titullin që aq shumë e dëshiroja, MËSUESE.
Do ta nisja këtë profesion me disa qëllime të qarta: të jem mësuesja e përkushtuar, nëna e dashur, motra e kudogjendur e nxënësve të mi! E gjitha kjo për të qenë pranë nxënësve, jo vetëm transmetuese robotike e dijeve, por edhe e vlerave njerëzore,shembulli i një njeriu human,dora e ngrohtë që përkëdhel, këshilluesja e mirë, motivuesja e mbështetja e nxënësve të mi kudo!
Në gjithë këto vite pune me misionin e mësuesit mbi supe, kam kujtime e mbresa të jashtëzakonshme me nxënësit e mi, por rrëfimi im do të ndalet te MATURA 2023, jo si ngjarja më e afërt, por për shkak të lidhjes së ngushtë dhe e marrëdhënies së veçantë që krijova me këtë klasë, lidhje kjo që, si rrallë ndonjëherë për një mësuese, është plot 9-vjeçare.
Një klasë e nxënës me të cilët kam kaluar ndër vitet më të lumtura të profesionit tim, falë besimit, edukatës, moralit, mirëkuptimit, dëshirës për punë që këta nxënës treguan për gjithë vitet që ne kaluam së bashku. Ngjarjet dhe ndodhitë e bukura që këta nxënës kanë lënë në kujtesën time më janë gdhendur në zemër si një buqetë kujtimesh të paharruara.
Ajo që dua të përmend në këtë rrëfim timin të sinqertë, është pikërisht lidhja që unë krijova me këta nxënës, një lidhje aq e ngushtë, saqë edhe prindërit e tyre herë pas here ma vinin në dukje e më drejtoheshin mua për ndonjë problematikë që mund të vinte edhe në marrëdhëniet mes tyre e fëmijëve të tyre. Ata prisnin që unë të ndreqja çdo problematikë,pasi, siç edhe ma shprehnin: “Ty, mësuese, të dëgjon më shumë se sa ne.” Me thënë të drejtën shpesh habitesha, por, sinqerisht, edhe ma ngrohnin sedrën disi këto lloj konstatimesh, sepse e kuptoja që kisha arritur të ndërtoja një marrëdhënie të ngrohtë e miqësore me nxënësit e mi. Në fakt, nuk lodhesha shumë, mjaftonte ta merrja mënjanë filan nxënës e të bisedoja ngrohtë, të kuptoja ku qëndronte problemi dhe aty për aty të merrja premtimin se ajo sjellje, apo ajo çështje nuk do të përsëritet më, dhe kaq. E sa e lumtur ndihesha në ato momente, veç Zoti e di. E kuptoja se kisha të bëja me disa krijesa të brishta, por të zgjuara, që e dinin ç’është e mira, edhe pse mosha bënte të vetën dhe ata bënin edhe gabime.
Klasa ime, në fakt, ishte për mua çlodhja ime. Jo se nuk lodhesha fizikisht, se, për hir të së vërtetës, kush është mësues e di se sa punë e lodhshme është mësimdhënia, por sepse e kuptoja që aty isha epiqendra e vëmendjes; aty kisha sy që më shihnin e më ndiqnin tërë kërshëri, vesh që ishin drejtuar e gati në regjistrim, mendje magnetike që prisnin të tërhiqnin drejt vetes atë që unë do t’u servirja. Sa hapja derën, më përthithnin shikimet e tyre e më jepnin dozën e duhur të fuqisë për të qenë kreative, energjike, pasionante dhe e fokusuar plotësisht në punën time. Shpesh bëhesha psikologe për të kuptuar të brendshmen e tyre, e herë-herë edhe investiguese për të zhbiruar burimin e shqetësimit të tyre, duke u bërë gjithmonë dora mbështetëse për të kaluar çdo problem e vështirësi.
Kështu kaluan vit pas viti e marrëdhënia jonë sa vinte e forcohej, e unë arrija qëllimet e mia fillestare e merrja forcë për ta ushtruar me pasion e dëshirë profesionin tim.
Viti 2023 do të sillte edhe diplomimin e nxënësve të mi, emocion që e përjetova jo thjesht si mësuese, por edhe si prind i secilit prej tyre. Ndihesha krenare e shumë e lumtur për arritjet e tyre, jo vetëm në aspektin shkencor, por më shumë për moralin e lartë, sjelljen e bukur e humanizmin që u mbrujt vit pas viti te këta nxënës.
Gjithë emocionin tim po e përcjell në rreshtat e mëposhtëm për të mbetur një kujtim i bukur për mua dhe nxënësit e mi të dashur, por edhe si një mirënjohje për kënaqësinë që më dhuruan në gjithë këto vite që isha mësuesja e tyre:
“Erdhi momenti... E dija në fakt që do të vinte, por sinqerisht më dukej shumë larg...
Ju do të largoheni dhe unë shpresoj që me lejen e Zotit do të shkëlqeni kudo që të shkoni, por mua do të ma lini vendin bosh...
Do t’më mungojë secili prej jush... Do t’më mungojë vëmendja juaj ndaj meje, do t’më mungojnë llastimet tuaja, zërat tuaj korridoreve, çapkënëritë tuaja, çdo gjë që ju vulosëtnë këtë shkollë e tek unë, do më mungojë...
Por unë jam e lumtur se ju sot jeni më të rritur, më të formuar, më të plotësuar në çdo aspekt, të gatshëm për rrugëtime e sfida të reja. Jam e krenare që shkolla "Qëllimi i jetës”, qoftë për disa prej jush që u rritën në këtë shkollë e i qëndruan asaj besnike që nga klasa e parë, e qoftë për ju që u bashkuat rrugës, jua dha disa çelësa suksesi, ndaj unë ju them sot: Shfrytëzojini ato, përdorini ato, në zgjidhje e zgjedhje të hairit!
Ju jap mijëra përqafime dhe ju uroj suksese kudo në jetë!”.
Ashtu siç e përmenda më sipër, rrëfimi im u ndal në MATURËN 2023, dhe u përqendrua te kjo klasë, por mirënjohja ime në këtë shkrim shkon për çdo nxënës të përkushtuar që kam pasur kënaqësinë të kem punuar në gjithë këto vite. Ende i ruaj suveniret, dedikimet, certifikatat e mirënjohjeve, aromat e buqetave me lule pa fund, që ju të dashur nxënës më keni dhuruar ndër vite! Ende ju kujtoj me kënaqësi dhe ju ruaj ndër kujtime, si dhurata të çmuara nga Zoti për mua.
Mirënjohje për ju dhe prindërit tuaj për bashkëpunimin e frytshëm dhe shoqërinë që kemi ruajtur, edhe pse një pjesë juaja ka vite tashmë që kanë dalë në jetë dhe në profesione të ndryshme.
Nëse shtysë për mua, për të qenë mësuese, u bënë mësuesit e mi të dikurshëm, le të jemi ne mësuesit sot, frymëzimi i nxënësve tanë nesër!
Sara Fahem
Sara Fahem, mësuese e lëndës gjuhë shqipe dhe letërsi, diplomuar në Universitetin e Tiranës. Ushtron profesionin e mësueses që prej vitit 2005, fillimisht në shkollën e mesme “Vexhi Buharaja”, Berat e pas shtatorit të 2010-s e në vijim, mësuese e lëndës gjuhë shqipe dhe letërsi në shkollën jopublike “Qëllimi i jetës”, Tiranë. Në vitet2006-2010 ka punuar në Qendrën e formimit profesional “Kursinfo”, Berat si instruktore informatike. Ka publikuar disa shkrime në revistën mujore kulturore për të rinj “Argumenti”, që kur ka qenë studente. Ka fituar vendin e tretë në konkursin me ese “Një natë më e mirë se një mijë muaj”, organizuar nga organizata kulturore “Gruaja”, Tiranë, 2015.
Në vitin 2018 shpallet një nga tri finalistet e çmimit kombëtar “Mësuesi i vitit 2018”, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Koalicioni për Arsim në Shqipëri, në kategorinë “Mësues i vitit në mësimdhënie”.
Redaktore gjuhësore e disa librave kulturorë. Udhëheqëse e shumë aktiviteteve letraro-artistike me nxënësit e saj. Si mësuese e pasionuar pas lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë dhe si njohëse e teknologjisë, hap në korrik 2019 kanalin e saj në youtube “SHQIP”, ku ka hedhur leksione të mirëfillta në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, jo vetëm për shqiptarët (sidomos për nxënësit e klasave të ndryshme dhe maturantët në veçanti) brenda Shqipërisë, por në ndihmë edhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut, si dhe në ndihmë të çdo të huaji që dëshiron të mësojë gjuhën shqipe.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Kudo që shkojmë na mbyllen dyert...” nga Marçela Tafilaj
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“Dashuri, që s’ka nevojë për fjalë” nga Elida Shkëmbi