Aktiviteti letrar

“Mariana Sirka” e Grazia Deleda prezantohet në Institutin Italian të Kulturës

Romani “Mariana Sirka” i shkrimtares nobeliste Grazia Deleda bëri bashkë adhurues të shkrimtares dhe letërsisë italiane në një takim promovues në Institutin Italian të Kulturës. Botuesja Rita Petro njoftoi se Albas do të sjellë edhe vepra të tjera të shkrimtares Deleda, po me përkthim të Klodeta Dibrës.

Romani “Mariana Sirka” i shkrimtares nobeliste Grazia Deleda bëri bashkë adhurues të shkrimtares dhe letërsisë italiane në një takim promovues në Instititin Italian të Kulturës. 


Drejtori i instituti z. Alessandro Ruggera në fjalën e tij falënderoi shtëpinë botuese Albas për botimin e romanit.

“Rimarrim sot një traditë të vogël që nisëm vitin e kaluar, takime për prezantimin e autorëve italianë të përkthyer në shqip. Dhe po rimarrim një autore të dashur për ne Grazia Deleda. Sot falë publikimit që është bërë nga shtëpia botuese Albas, mund të prezantojmë këtë vëllim të dytë. Do të doja thjesht të falënderoja, në radhë të parë botuesen që e mori këtë detyrë për të publikuar një vëllim kaq të rëndësishëm për historinë e letërsisë italiane, të një autoreje që siç mund ta dini edhe në Itali ka shënjuar një moment historik shumë të veçantë. Ka marrë çmimin Nobel në vitet 1930. Është e para dhe e vetmja grua shkrimtare italiane që është vlerësuar me këtë çmim kaq të rëndësishëm. Pastaj ka pasur një rrugëtim që ka pasur ulje-ngritje, ka pasur momente kur ka qene shumë e lexuar dhe shpresojmë që sot të rikthehet sërish ajo periudhë” tha ai.


Botuesja Rita Petro duke falënderuar Institutin Italian të Kulturës për mbështetjen njoftoi se Albas do të sjellë edhe vepra të tjera të shkrimtares Grazia Deleda.  

“Falënderojmë Institutin Italian të Kulturës për mbështetjen e librit. Ishte një iniciativë që në fakt na e propozoi për t’a përgatitur dhe për të botuar që në fillim profesoresha e nderuar Klodet Dibra. Nga autorja Grazia Deleda do të vazhdojmë të bëjmë edhe botime të tjera. Romani “Mariana Sirka” ka disa kohë që ka dalë nga shtypi dhe është kënaqësi pasi ai ka qenë në duart e lexuesit. Ne kemi bërë disa promovime dhe bashkëbisedime dhe patjetër kemi marrë kënaqësi kur jemi ndodhur mes njerëzve që e kanë lexuar këtë libër. Kemi marrë shumë vlerësime për këtë libër, i cili i takon autorëve klasikë dhe modernë”. 


Përkthyesja Klodeta Dibra gjatë fjalës së saj në këtë aktivitet u shpreh: 

“Përse u dashurova me Deledën? Përse më pëlqen të përkthej Deledën? Sepse te Deleda ka disa detaje specifike që nuk i kam zbuluar te shkrimtare apo shkrimtarë të tjerë italianë. Unë për fat, le të themi  hyra në psikologjinë e  shkrimtares Deleda të cilën sigurisht që u përpoqa gjithmonë ta sillja nëpërmjet përkthimit. Dhe kush është një lexues i vëmendshëm besoj që mund ta kuptojë  madhështinë e gjuhës së Grazia Deledës. Edhe tema, të cilat ndoshta në një vështrim të parë duken të vogla, por në madhështinë e shkrimit të Deledës ka gjithmonë vend për tu mahnitur. Kështu që më vjen mirë që sjellim edhe një herë, për herë të dytë, Grazia Deledën. Ashtu si edhe Rita dhe drejtori e nënvizuan, është e vetmja shkrimtare deri tani në Itali e cila është vlerësuar me çmimin Nobel në letërsi. Ky libër është publikuar në italisht në vitin 1915. Jemi në kohën e luftës ë parë botërore. Kështu që nuk ishte një moment paqësor. Europa ishte në luftë. Kështu që Grazia Deleda ka shkruar në këtë periudhë dhe është një shkrimtare shumë produktive. Unë kam kënaqësi ta njoh Deledën edhe si poete ndaj edhe u mahnita edhe me poezitë e saj. Së bashku me Ermirën po përgatisim një antologji në të cilën kemi përfshirë edhe dy poezi të Deledës. Me të vërtetë u mrekullova pasi mendoja që Deleda ishte e zonja të shkruante vetën në prozë, por është shumë e zonja edhe në shkrimin e poezisë. Proza dhe poezia e Deledës janë si dy pika uji. Thjeshtë një prozë ose një poezi që e zbulon në prozë, dhe në prozë zbulon poezinë e Deledës. Ndaj them që është një shkrimtare shumë, por shumë e madhe”.

Ndërsa redaktorja e romani Ermira Ymeri u ndal të raporti i përkthyesit me veprën origjinale, tek marrëdhënia besnikë-tradhti gjatë procesit të përkthimit të veprës. 

“Dëshira personale e çdo përkthyesi për të krijuar një kulturë të përgjithshme nis me një të veçantë që te Klodeta unë e ndesh, është kureshtja e saj për të mësuar më përpara rreth autorit. Pasi bën këtë njohjen paraprake dhe të ndryshme ajo krijon kështu një lidhje midis përkthyesit dhe autorit. Ana e dytë e besnikërisë në përmbajtje dhe në formë është profesioni, misioni i saj si gjuhëtare. Në këtë mision pasurimin e sheh përmes përdorimit të leksikut dhe strukturave sintaksore për të cilat ajo përkujdeset në mënyrë të tillë duke pasur parasysh procesin vetjak të autores. Rrjedhja që kërkohet në gjuhën mëmë, e shtyn përkthyesen të bëjë atë ‘tradhtinë’ e parë, por jo në përmbajtje, por në formë. Deleda është një shkrimtare që nuk u kuptua në kohën e vet dhe t’i qëndrosh besnike një stili që për nga parimet duhet ta ruash me fanatizëm krijon cilësinë e veprës dhe të përkthimit. Ç’ka realisht tregu shqiptar e ka vuajtur simptomën e përkthimeve të dobëta të cilat e rëndojnë mënyrën e të lexuarit por edhe lexuesin vet kur merr një vepër në duar”. 

Videon e plotë të takimit mund ta ndiqni si më poshtë në kanalin tonë të youtube 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

596 Lexime
8 muaj më parë