KULTURË

Lidhja e muzikantëve të Prizrenit

Violonçelistët e shkollës "Dëshmorët e lirisë” nga Tirana dhe pianistët e shkollës ‘Lorenc Antoni’ nga Prizreni festojnë binjakëzimin, duke bashkuar tingujt në një koncert në Kosovë, "Muzika s'ka kufinj..."

Violonçelistët e shkollës "Dëshmorët e lirisë” nga Tirana dhe pianistët e shkollës ‘Lorenc Antoni’ nga Prizreni festojnë binjakëzimin, duke bashkuar tingujt në një koncert në Kosovë

Ata janë 18 nxënës nga Tirana e Prizreni. Ende të vegjël për t’u quajtur artistë, por me pasion të madh për muzikën klasike. Të ndryshëm si karaktere personale e artistike, por me të njëjtën bindje; se muzika s’njeh kufij. Qoftë kjo nga Tirana apo nga Prizreni! Piano apo violonçel! Nën këtë sigël çelistët e shkollës “Dëshmoret e lirisë” nga Tirana u bashkuan me pianistët e shkollës “Lorenc Antoni”, në një koncert të përbashkët, këtë fundjavë, në Prizren. Ky ishte koncerti i parë i binjakëzimit të dy institucioneve, i organizuar me klasat e mësueses së violonçelit Estela Jaho nga Tirana dhe mësueses së pianos Genita Hoxha nga Prizreni.

Helia Kalaja dhe Klesta Alushi, dy vajzat e klasës së parë nga Tirana, ishin më të voglat që u ngjitën në skenën e Prizrenit. 7-vjecaret i prekën telat e violonçelit vetëm shtatorin e kaluar dhe falë përkushtimit të Estela Jahos, arritën ta provojnë magjinë e skenës për të pestën herë. Por kësaj radhe emocionet ishin më të mëdha, për të dyja, sepse u përballën me spektatorët e Prizrenit. E para që provoi duartrokitjet e publikut ishte Helia, e cila luajti “Pulëbardhat” e Kalinjikov. Ndërsa Klesta me “Princin e lumtur’ të Sladjenkës, na çoi në një botë përrallash teksa përqafonte violonçelin, që i përgjigjej me tinguj. 9 -vjecari Alexis Koroshi e ndezi edhe më tepër atmosferën, me dasmën ruse të Blackwell. Të njëjtin entuziazëm përcolli edhe i ftuari special i mbrëmjes, pianisti i vogël turk Berik Pirol. Pas tij nga tastet e pianos u dëgjuan tingujt plot emocion të Antea Gashit, Alea Kryeziut, Arbena Rogovës, Klambert Krasniqit dhe Ylli Zajmit


Mbrëmja vijoi me ‘Serenadën’ e Vesa Mekos dhe ‘Kontradancën’ e Bethovenit, që u luajt nga Xhorxhia Nasto. Ndërsa tingujt shqiptarë të ‘Sonatinës’ së Ymer Skënderit u interpretua plot ndenjë nga Kristel Gjikolaj. Gert Koshi, Aurora Ahmetaj e Alba Rrahmanaj ishin tre nxënësit e pianos, që me gishtat e tyre të shpejtë e harmonikë, përcollën emocione të ndryshme te të pranishmit. Klarineta e Arlind Omajt, të ftuarit tjetër të koncertit, entuziazmoi edhe më tepër publikun e Prizrenit. ‘Mjellma’ e tij e Schubert-it u pasua me koncertin e George Moon për cello, me të cilin 15-vjecarja Dojna Luka tregoi karakterin e saj artistik dhe punën e palodhur të udhëheqëses Estela Jaho. Me të njëjtin virtuozitet interpretoi në piano edhe moshatari i saj nga Prizreni, Melos Lecaj, i cili prej vitesh ia ka besuar të ardhmen e tij profesionale Genita Hoxhës.

Muzika s’ka kufij

“Muzika s’ka kufij”, projekti i cili startoi në datën 22 mars në sallën e koncerteve ishte takimi i parë mes artistëve të vegjël nga Tirana e Prizreni. Iniciatorët e këtij projekti janë Estela Jaho e profilit violonçel dhe mësuesja e pianos në shkollën “Lorenc Antoni”, Genita Hoxha. Sipas Hoxhës, binjakëzimi mes dy shkollave lindi krejt natyrshëm në diskutim mes kolegësh: “Projekti lindi nga dëshira dhe nga nevoja e shkëmbimit të përvojave dhe eksperiencave të mësuesve dhe të nxënësve”. Për Estela Jahon, bashkëpunime të tilla nxisin interesin ndaj muzikës klasike. “Ne arrijmë që përmes këtyre binjakëzimeve të ndërthurim kulturat e shkollave tona me shkollat e Kosovës, duke mirërenduar programet sipas kurrikulës së re. Përmes angazhimeve dypalëshe arrihet jo vetëm një klimë e përshtatshme për promovimin individual të talenteve të reja, por edhe nxitjen e interesit ndaj muzikës”.


Mësueset që po thyejnë kufijtë e muzikës

Për Estela Jahon, eksperiencat me fëmijët e moshave të ndryshme ka në brendinë e saj lodhje, sfidë por produkti që përfton është një kënaqësi e pafund, pasi secili prej tyre ka karakterin e tij si personal ashtu edhe artistik. Përveç mësimdhënies, ajo është e angazhuar në orkestra të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. “Gjatë këtij viti jam duke punuar për dy projekte. Projekti i parë i ‘cellos duo’ do të vihet në skenë në fund të majit në Gjakovë dhe do të përmbajë në brendinë e tij një larmishmëri repertori duke filluar nga ai klasik, barok, shqiptar e deri te kompozitorët e rrymës kontemporane. Ndërsa projekti i dytë “Muzika Shqiptare” do të realizohet në bashkëpunim me mësues të shkollës “Prenk Jakova”, Prishtinë dhe “Lorenc Antoni”, Prizren i cili do të vihet në skenë më datën 10 qershor”.

***

Mësimdhënia është një eksperiencë tejet e rëndësishme edhe për Genita Hoxhën, e cila e ndan jetën mes Prizrenit dhe Tiranës, që nga koha e studimeve të larta. Ajo jep leksione dhe në Akademinë e Arteve si dhe në Liceun Artistik. Pavarësisht angazhimeve me nxënësit, për të në plan të parë është profesioni si pianiste. “Përveç mësimdhënies jap koncerte me muzikantë. Së fundmi do të përmendja koncertet ne Emiratet e Bashkuara dhe atë në Gjilan”. Një rëndësi të madhe për Genita Hoxhën dhe Estela Jahon kanë edhe koncertet “Variacionet Muzikore Kosovë-Shqipëri” me pjesëmarrjen e instrumentistëve të ndryshëm. Këto projekte do të realizohen në formën e një turneu në vende të ndryshme si: Mal i Zi, Kroaci, Zvicër.


Bashkëpunimi

Estela Jaho: “Ne zgjodhëm shkollën “Lorenc Antoni” në Prizren për arsye se është një shkollë me drejtim të orientuar, ashtu si edhe shkolla jonë. Fryma e mikpritjes që gjetëm, më surprizoi, jo vetëm mua, por edhe prindërit e nxënësit e tjerë nga Tirana. Çdo çast i menduar në detaje. Që nga provat në shkollë, te dreka e organizuar e prindërve nga Prizreni e deri kokteji pas koncertit. E gjithë eksperienca na provoi se muzika dhe arti janë format më të mira, me të cilat mund të ketë afërsi dhe komunikim ndërmjet njerëzve dhe kulturave të ndryshme. U larguam me një përshtypje tejet të mirë për profesionalizmin, edukatën, pasionin dhe talentin, me të cilin mësuese Genita punonte me secilin prej këtyre nxënësve. Loja e nxënësve të klasës së pianos ishte shumë mbresëlënëse dhe e denjë për koncertin “Muzika s’ka kufij”.


(Portali Shkollor)

2,298 Lexime
5 vjet më parë