Kultura e të lexuarit

Rëndësia e leximit në shkollë e në jetë

Aftësia për të lexuar me lehtësi dhe për të kuptuar mirë atë që lexohet është një nga kushtet që mund të garantojë suksesin në shkollë.

Tema e të lexuarit është e një rëndësie të madhe për prindërit e për ata që "duhen ndihmuar për t'u rritur", pra fëmijët. 


Pikërisht për këtë, është e nevojshme, që edhe psikologu të japë ndihmesën e vet në këtë aspekt. Ai mund të nënvizojë rëndësinë e madhe që ka leximi duke kujtuar se në gjysmën e parë të shekullit XX, e pra, në një periudhë kur ende në Shqipëri ishte gjerësisht i pranishëm analfabetizmi, qe e përhapur shprehja "njeriu që lexon, vlen dyfish". 


Mund të shtojmë pastaj menjëherë se sot kjo shprehje duhet të përditësohet me thënien "një i ri që lexon mirë dhe lexon me dëshirë e me lehtësi, një njeri që është bërë ekspert në lexim, vlen trefish". 


Aftësia për të lexuar, duke nisur nga shkolla fillore, është kërkesë pothuajse në të gjitha lëndët, është kërkesë gjithashtu edhe për përdorimin e kompjuterit (kërkimet në internet, për shembull), në rastin e gazetave, revistave, librave me tregime, botimeve historike, shkencore ose teknike, që një i ri mund t'i lexojë edhe jashtë orëve të shkollës. 


Dhe aftësia për të lexuar me lehtësi dhe për të kuptuar mirë atë që lexohet është një nga kushtet që mund të garantojë suksesin në shkollë. 


Kjo tashmë duhet të mjaftojë për të ngjallur te prindërit interesa dhe vëmendje. Duhet të pranohet nga të gjithë se detyra e të bërit të fëmijës "një lexues ekspert" nuk është vetëm e shkollës, por edhe e tyre, pra e prindërve. Gjithashtu, duhet ta dinë se kjo hyrje në botën e leximit nuk e ka fillimin vetëm në moshën 6 vjeç, me hyrjen e fëmijës në shkollë, por shumë më parë, rreth moshës 2 vjeç, kur fëmija kalon pjesën më të madhe të kohës së tij me ata, prindërit. 


Sigurisht, mund të thuhet se aftësia për të lexuar një tekst të shkruar fitohet mesatarisht duke nisur nga 6 vjeç. Por, nga njëra anë, janë format e leximit më të thjeshtë, si ajo e objekteve, e mjediseve apo imazheve që fillojnë në moshën 2-3 vjeç dhe, nga ana tjetër, para moshës 6 vjeç mund të fillojë ta pajisë fëmijën me disa parakushte, si: një qëndrim pozitiv e miqësor ndaj librave e pastaj disa njohuri e aftësi të përgjithshme, që mund ta bëjnë pastaj më të thjeshtë të kuptuarit e leximit të një teksti të shkruar.


Nga Muhamet Cenko 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

3,213 Lexime
3 vjet më parë