Për lulet luftëtare!
Ndërgjegjësohuni dhe ndërgjegjësoni! Të dashura gra, zgjohuni dhe duajeni veten. Ju jeni të forta, jeni lulet më të bukura të kopshtit tokësor, mos u vyshkni nga mendimet dhe mos kujdesi!
-A i njihni gratë?! Aq sa për të kuptuar se çfarë fshihet përtej syve të tyre, përtej buzëqeshjes!
A i njihni heroinat?!
Janë pikërisht këto gra e vajza me këtë buzëqeshje rrezellitëse e sy plot jetë! Janë luftëtaret më të forta. Një luftë shumë herë në heshtje, siç është lufta me kancerin e gjirit, sjell jetë të humbura, por edhe beteja të fituara. Një në 8 gra preket njëherë në jetë nga kanceri i gjirit.
Tetori rozë!
Një muaj shprese, force e kurajo për të gjitha “lulet luftëtare” që përballen çdo ditë me dhimbjen, terapinë intensive dhe luftën për t’ia dalë.
Një muaj sensibilizimi për të gjitha lulet e humbura, të cilat nuk ja dolën dot dhe një muaj uniteti për t’i treguar çdo gruaje dhe vajze se nuk është vetëm.
E nëse ne ngurojmë të flasim për një nga fenomenet më të përhapura te gratë, ne po lejojmë të shkojë gjysma më e rëndësishme e ekzistencialitetit.
Nuk ka asgjë të keqe të kesh frikë, shqetësim është të kesh turp.
Ndaj ndërgjegjësimi më i madh duhet të vijë nga gratë për gratë. Duajeni trupin tuaj dhe kujdesuni për të. Nuk është turp të prekësh dhe kontrollosh veten! Të parandalosh është më mirë se sa të kurohesh.
Ndërgjegjësohu, diagnostikohu që të triumfosh. Vërtetë nuk e parandalon dot kancerin, por mund ta luftosh herët atë. Mos nguro të kryesh vizita te mjeku përkatës dhe mbi të gjitha mos nguro të flasësh. Bëhu shembull dhe inspirim për të gjitha gratë dhe vajzat e pa mundura të kenë favoret e jetës urbane. Këshillo ato dhe jo vetëm. Ndërgjegjësohuni dhe ndërgjegjësoni! Të dashura gra, zgjohuni dhe duajeni veten. Ju jeni të forta, jeni lulet më të bukura të kopshtit tokësor, mos u vyshkni nga mendimet dhe mos kujdesi!
Nga Era Dushi
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani