In memoriam

Kohë e prerë…

Siç duket mësuesit, ashtu siç jetojnë si heronj, duke luftuar mes shenjtërisë së emrit mësues dhe pamundësisë për ta përballuar jetën me këtë profesion, ashtu edhe ikin, duke lënë një vazhdë të ndritshme në jetën e sa e sa nxënësve, e nga ana tjetër, një humnerë dhimbjeje...

Ishte data 30 tetor. U gjenda në rrugë para oborrit të shkollës “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë, në momentin, kur ra zilja e fillimit të mësimit në mëngjes. Nuk ishte rreshtim si herët e tjera. Ishte ditë pikëllimi. 


Mësues dhe nxënës mbanin në gjoks foton e mësueses së matematikës, Mirela Gjini Ujka, që u nda nga jeta më, 28 tetor.


Siç duket mësuesit, ashtu siç jetojnë si heronj, duke luftuar mes shenjtërisë së emrit mësues dhe pamundësisë për ta përballuar jetën me këtë profesion, ashtu edhe ikin, duke lënë një vazhdë të ndritshme në jetën e sa e sa nxënësve e, duke krijuar nga ana tjetër, një humnerë dhimbjeje në zemrat e nxënësve dhe familjeve të tyre. 


…. Mirela u largua nga jeta në mënyrë të papritur në moshën 39-vjeçare. Ajo la tre fëmijë, më i vogli i të cilëve, vetëm 7 vjeç.

Ajo punoi si mësuese, fillimisht në vendlindjen e saj, në Kurbin e më pas 10 vite në shkollën “Iliria” në Fushë-Krujë dhe, prej 1 shtatorit, punoi në shkollën “Bakushe Visha” të këtij qyteti.


Mësuese Mirela ishte profesioniste e zonja, që u skalit në zemrat e nxënësve si një mësuese e dashur, me të cilën ata këshilloheshin për problemet dhe karrierën e tyre. 

Ajo ishte koreografja e aktiviteteve, fushë aq larg matematikës, gjë që e bënte vullnetarisht dhe mjeshtërisht.


Mësuesja me talente të shumëfishta ishte edhe mjeshtre e së bukurës dhe e stilimit.

Mirela “vraponte” për të mbërritur gjithçka, të mundur e të pamundur. Por ja që vrapi i saj ndaloi, befas zemra e saj u ndal dhe gjithçka u shua… 

Ikja e saj na la pa fjalë, na ndali frymën e na ktheu lotin. 


Në një shkollë do të mungojë një mësuese, në një familje do të mungojë një bijë. Në një tjetër, nuk do jetë më një bashkëshorte dhe nuk do të dëgjohet më një:“Mami!!". 


…  Ajo përdorte shpesh dy shprehje: ”Ëndrrat janë falas, veçse realizimi do punë!”, si edhe:  “Koha është flori.”  Ajo ëndërroi dhe punoi aq shumë, për t’i realizuar ëndrrat dhe planet e saj, por si duket, Zoti kishte planet e tij. 


Ajo nxitoi për të kapur kohën, por koha e saj u pre aq shpejt. 


Vrapi i saj i fundit ishte nxitimi drejt amshimit…! Sa hije i kishte të printe vallen në çdo event, por s'i takonte të printe aq e re rrugën drejt parajsës!


Ela tashmë është engjëlli mbrojtës i atyre tre djemve, i atij bashkëshorti dhe i të gjithë ne të tjerëve.

Mirela u përcoll me dhimbje dhe me një nderim të madh nga familjarë e të afërm, nga drejtuesit dhe qindra mësues, nxënës, prindër dhe mbarë komuniteti i Fushë-Krujës dhe i Kurbinit.


… Eh! … Ela nuk e priti natën e Shën Nikollit (Santa Klausin) për të festuar 40-vjetorin e saj e as për të ndezur dritat në pemën e Krishtlindjes. Por ajo është përjetësuar në kujtimet më të mira të brezave që mësoi me aq pasion dhe të gjithkujt që e njohu. 


Duhej të rreshtoja sot fjalë gëzimi e urime për Elën dhe jo të shkruaja fjalë të ndjera, që gjithsesi janë aq të pazonja për të shprehur çka ndien shpirti në këto raste. 

Duhej ,…oh, çfarë nuk duhej, por s’deshi zoti….!


Le të ndriçojë drita e shpirtit të saj atje në parajsë, mes yjeve, ku edhe djali i saj i vogël, kërkon çdo natë imazhin e saj!




Nga Vera Ujka 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,439 Lexime
1 vit më parë