“Kështu shkuan gjërat me degradimin social të mësuesit...”
Kemi harruar, pra, që mësuesi për nga rëndësia dhe përgjegjësia është punëtor në nivelin e ligjvënësit, të gjeneralit kujdestar, të guvernatorit, të mjekut shpëtimtar. Sepse mësuesi është pishtarmbajtësi i vetëdijes njohëse. Funksioni që kryen është hyjnor. Funksioni i vetëm hyjnor në tokë dhe në qiell.
Nga Dimitris Liantinis, filozof grek.(1942-1998)
Me një fjalë mësuesi është poeti i njeriut... Po të mos kishte mësues, toka jonë do të ishte e verbër.
Dhe mbani mend: Njutoni, Hubble, Ajnshtajni dhe të tjerët që folën në telefon me Zotin ishin të gjithë mësues.
Kështu përcaktohet fjala dhe nderi i mësuesit. Megjithatë, çmimi me të cilin pushtetet dhe autoritetet fillimisht e më pas turma që nuk di të gjykojë e vlerësojnë punën e tij është ndryshe.
Po përshkruaj pikën ku zuri vend apatia, falsifikimi, shtrembërimi, standardizimi, banalizimi. Dhe bëmë të keqen. Kështu, ndërsa puna e mësuesit është të formësojë njerëzit, ndërsa harxhohet me ndershmëri në përgatitjen e krijesave për të jetuar jo në natyrë, por në qytetërim, jo në xhungël, por në qytet, ndërsa të gjithë njerëzit që brumëson mësuesi bëjnë secili profesionin e tyre, dhe secili është një pjesë mozaiku në mozaikun e njësuar të ekonomisë së tregut të shtetit, ne me kalimin e kohës humbëm karakterin themelues të funksionit të mësuesit. Dhe e morëm punën e tij si një nga punët e shumta të njerëzve. Një profesion rutinë. Një njësi pune të ngjashme me të tjerat shohim edhe te mësuesi. Me fjalë të tjera, harruam që në mozaikun e profesioneve mësuesi nuk është një pjesë mozaiku mes të tjerave. Por është mendja artistike, estetisti dhe mbikëqyrësi që krijon të gjithë mozaikun. Kjo do të thotë, i krijon njerëzit në kuptimin që i shkëput nga juridiksioni i bimës dhe kafshës. Dhe i ngre në veçantinë ontologjike të krijesës inteligjente.
Sepse kjo është puna e mësuesit. Të punojë mendjen, siç punon bakërpunuesi tenxheren. Dhe të prodhojë njerëz, ashtu si bakërpunuesi prodhon enë bakri. Ndërsa të gjithë të tjerët përdorin mendjen e tyre si instrument dhe prodhojnë produkte.
Ky degradim i natyrës dhe i veprës së mësuesit, rënia e tij nga funksioni hyjnor i origjinalitetit në punën zejtare të përulur të përsëritjes, shënoi gabimin e parë të madh në arsim. Dhe në histori dhe kulturë përmbysi kuptimin e gjërave. Dua të them se u la mënjanë ashpërsia në përzgjedhjen e materialit dhe ashpërsia në metodën dhe studimet që do të nxjerrin mësuesin e denjë. Që në lashtësi djepi i pedagogëve ishte klasa e të lirëve dhe skllevërve. Dhe madje të skllevërve të djallëzuar dhe të këqijve. Skllevërit e mirë (d.m.th. të ndershëm) dhe të denjë, thotë Plutarku, ishin të destinuar nga zotërit e tyre për punë të mëdha, kapitenë, ekonomistë, kryepunëtorë, këshilltarë.
Sot arritëm në kthimin e maleve në rërë. Tashmë çdokush mund të bëhet mësues, ashtu siç çdokush mund të bëhet mullixhi, mjelës, bletërritës, kuzhinier, luleshitës apo gurgdhendës. Kemi harruar, pra, që mësuesi për nga rëndësia dhe përgjegjësia është punëtor në nivelin e ligjvënësit, të gjeneralit kujdestar, të guvernatorit, të mjekut shpëtimtar. Më saktë, është një hap mbi të gjitha. Sepse mësuesi është pishtarmbajtësi i vetëdijes njohëse. Funksioni që kryen është hyjnor. Funksioni i vetëm hyjnor në tokë dhe në qiell.
Përshtati Shpendi Shakaj
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana