Kembrixhi dhe Maqedonia, një shekull larg!

Sipas prof.dr. Tahir Zajazit, është e pamundur që kuadrot e shkolluar për të qenë mësues klasik, të mund të transferohen dhe të punojnë sipas metodave që kërkohen me librat e Kembrixhit

Sipas prof.dr. Tahir Zajazit, është e pamundur që kuadrot e shkolluar për të qenë mësues klasik, të mund të transferohen dhe të punojnë sipas metodave që kërkohen me librat e Kembrixhit. "Shkollat tona nuk janë të përgatitura për këtë, pasi nuk kanë kuadrin adekuat", shprehet ai. Prof.dr. Xheladin Murati ironizon reformat duke kujtuar që, vetura e markës "fiqo" nuk bëhet "benz" nesh i vendos motorin e kësaj të fundit veturës së parë.

Përpjekja e Ministrisë të Arsimit (MASH) për të reformuar arsimin përmes programeve mësimore dhe librave të Kembrixhi nuk shihet me po të njëjtin optimizmi edhe nga ekspertët e arsimit. Këta të fundit konsiderojnë se ndryshimet në arsimin parauniversitar duhet të vinin pasi të kishte nis ndryshimi përkatës në nivelin e arsimit universitar.

"Konkretisht, duhej fillimisht që të ndryshohen programet studimore të mësuesisë, respektivisht të fakulteteve pedagogjike dhe atyre që përgatisin mësimdhënës, që ata të mund ti adaptohen sistemit të mësimdhënies me praktikat dhe metodat e Kembrixhit", vëren prof.dr. Tahir Zajazi.


Sipas tij, është e pamundur që ata mësimdhënës, të cilat janë edukuar të jenë "klasik", të mund të transferohen aq lehtë për të punuar sipas metodave të reja, që në këtë rast kërkohen me librat e Kembrixhit. "Shkollat tona nuk janë të përgatitura për këtë, pasi nuk kanë kuadrin adekuat. Janë të mbushura me mësues klasik, të cilët nëpër fakultetet përkatëse, janë shkolluar dhe vazhdojnë të shkollohen për të qenë mësues klasik", sqaron profesor Zajazi.


Nisur nga kjo, Kembrixhi dhe Maqedonia, thotë ai, janë një shekull larg. Në fakultetet tona punojmë ende me programe dhe literaturë të shekullit të kaluar, apo "me sistemin rus", sikurse shprehet ai. Në këtë sistem, sqaron Zajazi, "njerëzit duhet të jenë të 'gjithëdijshëm', ndërsa sistemi amerikan dhe perëndimor i arsimit synojnë pragmatizmin, pra aftësimin e kuadrove për gjëra të veçanta për të cilat kë nevojë tregu, shoqëria".


Ministria e Arsimit (MASH) për një të ardhme jo të largët planifikon të reformojë programet studimore të fakulteteve pedagogjike dhe atyre që nxjerrin mësimdhënës lëndor, mirëpo pa nis ende ndryshimet në këtë pikë, madje pa pasur një analizë përkatëse, në vitin 2013 vuri në përdorim libra të rinj të cilat u përgatitën sipas programeve mësimore të hartuara nga Qendra Ndërkombëtare e Programeve Mësimore pranë Universitetit të Kembrixhit.

Megjithëse u cilësua ditë më parë si "një nga reformat më të mëdha në sistemin e arsimit fillor" nga ana e ministri Abdilaqim Ademi, sot e kësaj dite nuk kanë pushuar asnjëherë vërejtjet e mësimdhënës për librat në fjalë. "Librat nuk janë në përputhje as me përgatitjet paraprake të nxënësve dhe as të adaptuara për kushtet në të cilat punojmë ne", thotë Lulzime Miftari nga shkolla fillore "25 Maji" në Hasanbeg të Shkupit. Problem më të madh, sipas saj, paraqet Matematika për klasat e treta, ku nxënësit duhet të mësojnë ekuacione të rënda matematikore pa mësuar më të lehtat.


Përveç kësaj, shkollat e Anglisë me siguri që nuk punojnë me nga 34 e 40 nxënës në klasë si tek ne. Kjo, sipas Miftarit, rritë ende më shumë shkallën e vështirësisë së punës me librat e Kembrixhit, apo thjeshtë i bën ato jo produktiv. Numri i ekspertëve që konsiderojë se më tepër se sa reforma në Maqedoni po bëhen proforma në arsim, nuk është i pakët. Prof.dr. Xheladin Murati ironizon me MASH-in duke i kujtuar asaj se vetura e markës "fiqo" nuk mund të bëhen "benza", edhe nëse i vendos motorin e kësaj të fundit veturës së parë. "Kur flasim për reformën e arsimit dhe të sistemit arsimor, fillojmë të mendojmë e të ëndërrojmë mësuesit dhe shkollat amerikane, gjermane, daneze, suedeze", shkruan ai në profilin e tij në rrjetit social Facebook.


Që në momentin që kemi këtë ëndërr, nënvizon më tej prof. Murati, shkojmë drejt dështimit. "Këto janë eksperimente që bëhen me arsimin tonë. Po ti vendosim Fiqos motor Benzi, a bëhet?", pyet ai. Ky është viti i tretë që në Maqedoni punohet me programet mësimore të Kembrixhit e që më pastaj, reflektohen edhe në përpilimin e teksteve përkatëse.


Në vitin shkollor 2013/2014 nisi përdorimi i teksteve të Matematikës dhe Shkencave Natyrore për nxënësit e ciklit të parë të arsimit nëntëvjeçar, nga klasa e parë deri të tretë. Vitin e kaluar u vunë në përdorim librat e njëjtë për nxënësit e ciklit të dytë, nga klasa e katër deri të gjashtën, kurse nga viti i ardhshëm do të vihen në përdorim librat për ciklin e tretë, nga klasa e shtatë deri të nëntën.


(Nga Laura Papraniku)

2,290 Lexime
7 vjet më parë