“Karantinë 2020” nga Iriana Papamihali

“Karantinë 2020” është shkrimi letrar i mësueses Iriana Papamihali, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

“Karantinë 2020” është shkrimi letrar i mësueses Iriana Papamihali, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.


Nuk ndodh shpesh që gjithçka në jetë të kthehet përmbys në një moment të vetëm. Papritur çdo gjë, duket sikur ndalet dhe t’i nuk di se nga t’ia fillosh, nuk di se ku je dhe nuk je më i sigurt për të ardhmen. Nuk e kisha imagjinuar që do përjetonim diçka si pandemia, karantina, virusi, korona, vdekja.


Të gjithë në fillim ishim mosbesues, duke mos e marrë seriozisht sa duhej situatën. Si sot e mbaj mend kur me 11 mars 2020, hymë në karantinë. Menduam që do ishte një periudhë e shkurtër dy ose tri javore, por situata kaloi përtej asaj që ne mendonim, u bënë plot tre muaj të cilët nuk do harrohen lehtë, tre muaj të izoluar brenda 4 mureve. Pasiguria, na ndiqte pas si hije e zezë. Shpesh e panjohura bëhej e frikshme si nata pa hënë, duke mos ditur, se çfarë do të sillte e ardhmja e frikshme. Pasiguria pështjellohej si ciklon dhe bashkohej me ndjenjën e frikës si dallgë. Se si do të ishte e nesërmja nuk e dinim.


Lajmet nga vendi fqinj ishin të kobshme, për humbje jete të mijëra njerëzve nga virusi i tmerrshëm. Ne të gjithë jetonim jetën tonë mes frikës dhe të panjohurës, larg nga njëri-tjetrit dhe madje as prindërve tanë nuk iu afroheshim dot, nga frika se mos i infektonim dhe na sëmureshin. Kudo nëpër shtëpi vinte era alkool. Dezinfektonim çdo gjë të mundshme që prekej nga dikush që vinte nga jashtë, a thua se vinte vetë virusi. Kudo nëpër shtëpi dëgjohej:


-Mos më prek, mos m’u afro.

-A i lave duart?

Mamaja ime kishte një avaz:

-Pse mos ju afrohem? Unë nuk kam zgjebe.


Mërzitej se rrinte vetëm në dhomën e saj, sepse ne mundoheshim mos kishim kontakt me të.

Si t’ia shpjegonim që nuk qe problemi tek ajo, por te ne. As ne nuk e kishim të qartë vetë situatën.

Disa arritën deri atje sa dezinfektonin edhe këpucët para se të hynin, rrobat etj.

Periudhën që nuk do ta harroj lehtë, është pikërisht “karantina”. Kjo periudhë shënjoi edhe jetën tonë dhe e ndryshoi atë, duke e udhëhequr nëpër shtigje të panjohura sikur ecnim pranë greminës. Ky virus ishte si një gjembaç, që pa kuptuar zuri rrënjë në jetët tona dhe nuk linte vend pa mbirë shoqëruar me dhimbjen. Në punën time mbi 20-vjeçare si mësuese nuk e mendoja kurrë, që nuk do t'i kisha nxënësit përballë. Shpesh mendoja me vete:


-Si do t’ia bëjmë që ta nisim atje ku e lamë?


Lajmi erdhi që mësimi do zhvillohej online dhe isha shumë konfuze. Ishte hera e parë që përballesha me këtë term. Një situatë e sikletshme. Djersë të ftohta ndjeja. Flisja me koleget me videocall dhe diskutonim si do vepronim. Vështirësia ishte, se a do të mundeshim të ishim pranë nxënësve dhe a do t’u jepnim atyre, atë që ata prisnin prej nesh. Ndërkohë mendohesha shumë për mënyrën se si do të veproja. Më zuri paniku, sepse nuk isha e sigurt, a do t’ia dilja me sukses, si do të flisja me nxënësit në anën tjetër të ekranit, për faktin se kisha 21 klasa të ndryshme. Çudi! 


Një monolog sfilitës që ndërtohej ditën dhe prishej natën nga mendimet. Ajo që më shqetësonte ishte se a do të isha e qartë në ato çfarë do t’u shpjegoja. Mendimet herë më pështjelloheshin si lëmsh në mendje, herë më ngatërroheshin si ferra dhe herë më qartësoheshin si kristal. Shpesh nuk më zinte as gjumi nga mendimet e shpërndara sa andej këndej si laraskat bishtgjata, dhe ishte vështirë t’i përmblidhja. Këto pasiguri i kisha, sepse arti pamor nuk mund të zhvillohej si lëndët e tjera, sepse duhej ana praktike dhe krijuese të ishte e qartë dhe vrisja mendjen si ta bëja sa më interesant mësimin online.


Ndërkohë që mendohesha, fillova punën duke përgatitur për nxënësit një dokument në Word, të ilustruar me foto dhe me shpjegimet përkatëse. Javën e parë vazhdova kështu. Ndërkohë mendimet e mia vërtiteshin pareshtur si re mbi kokën time, se si ta bëja mësimin online, për të qenë në lartësinë e duhur profesionalisht. Idetë vinin e iknin tufa zogjsh në shtegtim. Më në fund fillova pak nga pak të qartësoja idetë e mia dhe mora frymë thellë, si një zhytës kur del mbi sipërfaqen e ujit.


Dilja shpesh në ballkon dhe shikoja me mall jashtë, sikur nuk kisha qenë kurrë përtej. Papritur çdo gjë që ishte përtej ballkonit tim u kthye në një botë të pakapshme. Sodisja lulet e mia. Kishin çelur lule mëllagat. Papritur më erdhi një ide dhe më doli nga e thellësia e shpirtit me një lehtësim të madh fjala:


-E gjeta!

Të gjithë më panë me habi dhe shikonin njëri-tjetrin në sy.

-Jam mirë- u thashë.


I dëgjoja pas shpinës sime që pëshpëritnin dhe qeshnim me veprimet e mia. Por nuk më bënin përshtypje, sepse kisha vetëm një ide fikse në kokë, mësimin.

Mora ca petale lulesh, ngjyra, ngjitës dhe karton dhe fillova të krijoj. Mendova që edhe për nxënësit do të ishte e lehtë ta bënin në kushtet e shtëpisë, sepse gjithë shqetësimi im ishte t’u jepja ide krijuese për këto kushte jo normale.


Tavolina ime e bukës e humbi funksionin e saj primar dhe u kthye në tavolinë pune. Me një dorë krijoja dhe me tjetrën fotografoja hap pas hapi ngjitjen e petaleve mbi karton. Kisha bërë shumë foto të cilat i kaloja në kompjuter dhe filloja pak nga pak të kristalizoja idetë e mia duke kuptuar më në fund se ku do të fokusohesha. Fotot i montoja, shtoja pak tekst, por përsëri mungonte diçka, muzika. Meqenëse ishin lule zgjodha “Valsin e luleve” të Çajkovskit. Kështu bëra edhe videon me macen dhe qenin kolazh me gazeta, duke menduar që gazetat gjenden në shtëpinë e kujtdo. Fotot i bashkoja dhe i ktheja në video. Vazhdova më tej me numrat, stampimin me gishta, monotipin, kutia me makarona, pikturat me kripë, modelimet me brumë, etj, dhe filmoja veten kur krijoja. Por mendimet vërtiteshin si fugë në kokën time, sepse e ndjeja që akoma nuk isha aty ku duhej. Fillova ta marr shumë seriozisht punën, sepse ishte edhe një mënyrë shumë e mirë për të sfiduar karantinën, ishte si një rebelim ndaj situatës që po kalonim, ishte si një luftë e ftohtë kundër rraskapitjes mendore, shkaktar i së cilës, ishte virusi famëkeq. 


Duke punuar për artin antik grek bashkë me fotot dhe tekstin shtova edhe muzikën e bukur të Zorbës. Nuk isha e bindur, diçka mungonte akoma. Mora celularin në dorë, kufjet dhe fillova të regjistroja zërin tim, që më pas ta bashkëngjisja në video. Kjo vërtetë ishte sfidë, sepse duhej përshtatur zëri me minutat e videos. Emocionet bënin të vetën dhe zëri im dridhej si tel violinë. Kur më duhej të regjistroja zërin tim, mbyllesha në një dhomë ku mbizotëronte qetësia dhe ku nuk më shihte njeri që flisja me vete, më dukej sikur bëja monologun e Hamletit. Ndodhte që e regjistroja për së dyti zërin tim, kur gaboja në ndonjë fjalë, ose kur në dhomë hynte dikush dhe më pyeste për diçka.


-Po pse tani e gjete të hysh këtu?-I thosha unë e mërzitur.

-Pse me vizë duhet të futemi në dhomën tonë?

Kishin të drejtë. Por unë doja qetësi.


Kështu vazhdoja duke regjistruar zërin tim, për orë të tëra, deri në mesnatë për videot e tjera, sepse isha dhe më e qetë. Më në fund arrita ta bëja videon e artit antik grek të plotë edhe me zërin tim.

T’ju them të drejtën u emocionova kur e pashë videon të përfunduar edhe pse nuk isha shumë e kënaqur me rezultatin.


Doli një problem tjetër pasi kur e shpërndaja te nxënësit, ata shpesh nuk e hapnin dot për shkak të ngarkesës së madhe që mbartin videot. Ky po që ishte një problem më vete për mua, sepse shkonte e gjithë puna dëm në një farë mënyre. Prindërit akoheshin për ngarkesën e informacionit, që ju vinte nëpër telefona nga të katër anët dhe me të drejtë, nga të gjitha lëndët, nga burime të ndryshme. Sidomos kur këta telefona i kishin gjyshërit në përdorim dhe me të drejtë nuk dinin si të vepronin.


Ky shqetësim më bëri të reflektoja dhe t’i kërkoja drejtoreshës së atëhershme, që të hapnim një kanal për shkollën në YouTube, që do të ishte në shërbim të nxënësve. Ideja ime u përqafua nga drejtoria dhe në bashkëpunim me mësueset e TIK-ut u bë e mundur hapja e kanalit në YouTube, i cili ishte dhe është, e theksoj, jo fitimprurës. Me hapjen e kanalit në YouTube, puna m’u lehtësua shumë, sepse nxënësve u dërgoja vetëm një link dhe nuk ngarkohej më telefoni i askujt. Më në fund u lumturova kur u hap kanali i shkollës dhe filluan videot e mia të shfaqeshin një e nga një, sepse për mua ato ishin vepra arti, ashtu i kisha konceptuar dhe sot janë një thesar për shollën.


Ndërkohë përsëri nuk gjeja rehat, sepse jo të gjitha temat ishin histori arti dhe më duhej të mendoja diçka ndryshe për veprimtaritë krijuese. Kërkova ndihmën e njërit prej djemve të mi, që të më filmonte me celularin tim, ndërkohë që unë krijoja perspektivën me një pikë ikje për klasën e pestë. Filmimi u bë, por dora e djalit dridhej dhe kjo gjë më sikletosi. Komunikoja me sy me djalin në mënyrë që të kuptonte situatën. Gjithsesi e bëra videon edhe pse me “dallgë”. Nuk isha e qetë, sepse nuk kisha arritur akoma aty ku doja. Hodha sytë përqark, kontrolloja pa ndonjë ide të caktuar, sepse diku më kishte zënë syri një abazhur të vjetër, lëvizës, që mund ta fiksoja kudo. Kërkoja kudo dhe pëshpëritja me vete:


-Po ku e kam vënë? Sikur e pashë diku? Ku?


Pastaj u kujtova që kisha dhe shkopin e selfit. Mora një fjongo dhe i lidha bashkë të dyja duke i fiksuar te tavolina e punës tashmë, dikur e bukës. Që nga ai moment tavolina nuk u përdor më për të ngrënë. Tavolina u kthye në shpëtimin tim dhe në telajon time virtuale.


Mora celularin dhe e fiksova te shkopi i selfit, në mënyrë që të rrinte mbi duart e mia kur të filmoja. Kjo ishte një shpikje, për të cilën sot, kur e kujtoj qesh me vete, sepse më shumë i ngjante qafës së një struci, ose sot më kujton kalin e don Kishotit, Rosinantin e gjorë, por që më nxori nga situata në ato ditë të vështira. Një lehtësim të madh ndjeva, sepse nuk duhej të kërkoja ndihmë dhe të bezdisja askënd.


Puna për realizimin e një videoje zgjaste shumë orë, pasi përzgjidhja me kujdes imazhet, bashkëngjisja zërin, muzikën, duhej përshtatur edhe minutazhi i saktë për çdo faqe. Në ato ditë të karantinës, puna u bë ajri dhe drita në fund të tunelit, frymëzimi dhe motivi im. Kështu vazhdoja pa u ndalur, duke krijuar, saqë nuk e kuptoja më kur ishte ditë e kur ishte natë. Në atë periudhë mbaj mend që dita dhe nata nuk kishte kufi. Kishte raste ditën flihej dhe natën punohej, gatuhej, bisedohej. Për mua kjo qe një sfidë, një ndeshje midis meje dhe virusit, një luftë e heshtur që doja ta fitoja me çdo kusht.


Fillova të shkruaja historitë e para për nxënësit e fillores për xhunglën, për balonat, për akuariumin etj. Më pas këto histori i ilustroja me imazhe, me muzikë edhe me zërin tim. Në fund të këtyre videove jepja edhe një veprimtari krijuese, sepse ky ishte edhe qëllimi kryesor, që ata të frymëzoheshin për të bërë art. Doja që mendjet e tyre mos fokusoheshin te situata, por të merreshin me krijimtari.


Për habinë time, nxënësit filluan të reagonin njëri pas tjetrit, duke më sjellë foto dhe video të punimeve të tyre sipas temave që dërgoja. Fillova edhe të improvizoja, duke menduar se çfarë materialesh kishin në kushtet e shtëpisë, pasi kjo nuk ishte një situatë normale për ta. Nxënësit mezi prisnin temën e radhës. Fillova të kuptoja që motivi im kryesor ishin pikërisht ata, nxënësit e mi. Kuptova që e gjithë puna e bërë kishte dhënë frytet e saj. Krijimet e nxënësve më vinin sa në e-mail dhe sa në whatsapp. Mundohesha t’i ktheja përgjigje të gjithëve në kohë reale, duke u kujdesur, që mos harroja asnjë. Kjo kërkonte kohë dhe jo pak, por nuk e kisha me përtesë, përkundrazi doja t’i përgëzoja nxënësit për punën e bërë. Disa prej tyre më falënderonin edhe duke më bërë videomesazh. Mesazhet në fund mbylleshin me fjalinë:


-Mësuese na ka marrë malli shumë për shkollën.


Disa të tjerë më shkruanin vetë ose prindërit e tyre. Ndonjëherë emocionohesha shumë dhe ndjeja lotët e ngrohtë të më rridhnin faqeve. Atë periudhë të gjithë ishim më të ndjeshëm se zakonisht. Këtë e vija re jo vetëm në familjen time, por edhe te miqtë dhe nxënësit. Ndoshta largësia ndikonte te emocionet tona, duke na bërë më të ndjeshëm se zakonisht. Këtë e vura re te disa nxënës të cilët krijuan animacione që zgjasnin disa sekonda, ku dikush me padurim priste të fillonte shkolla, ose dikush si një hero, luftonte me koronavirusin. Ne ishim të burgosurit e këtij virusi vdekjeprurës, që mbetëm të mbyllur dhe nuk arratiseshim dot nga ai realitet i zymtë.


Kështu vazhdova për tre muajt e karantinës, duke e mundur dhimbjen me krijimtari. Lumturohesha sa herë u dërgoja link-un e një video të re nxënësve, sepse finalizohej një pjesë e punës sime.


Karantinës po i vinte fundi dhe bashkë me të edhe fundi i mësimit online. Kisha kohë që mendoja si t’ua shpërbleja nxënësve të mi punën e bukur që kishin bërë këta muaj. Kisha ruajtur çdo punim të secilit tyre në një folder të veçantë. Akoma i kam të ruajtura si një relike të çmuar. Javën e fundit të shkollës i bashkova të gjitha punimet e tyre dhe krijova një video falënderuese për gjithë punën e bërë nga nxënësit. Kjo ishte një surprizë e bukur për ta dhe për prindërit, të cilët ishin shumë bashkëpunues. Doja t’u tregoja që për mua vlenin shumë. Ditën e fundit bëra dhe një letër falënderimi për nxënësit, të cilët më treguan edhe njëherë se puna e bërë me përkushtim, shpërblehet gjithmonë me mirësi dhe respekt. Nuk do t’i harroj kurrë nxënësit, të cilët lanë gjurmë tek unë, duke më sjellë urime dhe surpriza pafund nëpërmjet mesazheve emocionuese dhe prekëse.


“Të dashur nxënës!

Rrugëtimit tonë për këtë vit shkollor i erdhi fundi.

Kjo periudhë ka qenë e vështirë për ne të gjithë. Një periudhë me shumë sfida. Pa shkollë nuk ka të ardhme! Luftoni dhe besoni fort për të realizuar ëndrrat tuaja! Asgjë nuk arrihet pa punë dhe pa vullnet. Ju falënderoj nga zemra që keni ndarë me mua punimet tuaja. Kjo urë komunikimi ngushtoi largësinë midis nesh. Më keni munguar shumë! Ju uroj nga zemra, pushime të mbara!

Me mall, Mësuesja e artit, Maj 2020”.


Nëpërmjet kësaj letre kuptova që periudha e gjatë e karantinës mbaroi, por nuk e dija që sfidat do vazhdonin më tej me mësimin me turne. Kur u përballëm me këtë realitet të ri, kuptuam që jetët tona kishin ndryshuar shumë dhe asgjë nuk ishte si më parë.


Dikush kishte humbur prindërit, dikush gjyshërit, dikush të afërmit, prandaj dhe gjithë vëmendja ime ishte, të lehtësoja këta nxënës nga pesha e rëndë e Pandemisë, kësaj të keqe që gllabëroi me kthetrat e saj globin, hodhi mantelin e saj të vdekjes, mantelin e virusit të quajtur korona.


Ne vërtetë u ndamë nga njerëzit e dashur, u ndamë nga të afërmit, nga kolegët, nga nxënësit, por të gjithë bashkë nuk e lamë të keqen e madhe të ndërpriste punën tonë fisnike si mësues. Ne ja dolëm mbanë edhe këtë herë.


Motoja ime atë kohë u bë shprehja që më pëlqente aq shumë: “TI JE KORONA, POR NUK JE MBRET”.


Pasi kaluan të gjitha këto, kuptuam se si ndryshoi bota dhe jetët tona gjithashtu, nga një virus i pangopur, i pamëshirshëm dhe i rrezikshëm.  Asgjë nuk filloi atje ku mbeti. Rrjedha e jetës ndryshoi si një përrua i rrëmbyer që nuk ndalej, duke marrë me vete çfarë gjeti përpara pa na i kthyer më pas.




Iriana Papamihali


Iriana Papamihali ka lindur në Tiranë, më 11 shkurt 1970. Nga viti 1989 deri në vitin 1993 ka kryer studimet e larta për Skenografi në Fakultetin e  Arteve Figurative në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1995 - 2001 punoi si grafik dizajner në shtypshkronjën "Albdesign". Nga viti 2002 e në vazhdim, ushtron profesionin si mësuese e artit pamor, në shkollën "Protagonistët”. Ajo është autore dhe recensente e disa teksteve shkollore të lëndës Art Pamor që përdoren në Shqipëri dhe Kosovë.  Është ideatore dhe realizuese e emisionit radiofonik: “Edukimi nëpërmjet artit pamor”, në 2021, transmetuar në valët e Radios “Ngjallja”. Qëllimi i saj është të promovojë vlerat e vërteta, nëpërmjet profesionit dhe nëpërmjet artit që krijon. Si piktore ajo ka qenë pjesë e disa ekspozitave mes artistësh shqiptarë. Ndërsa së fundmi pikasin në formimin dhe arritjen e saj si artiste ekspozitat personale  “Tout L’univers” dhe “Mjeshtri dhe e bija”. Në këtë të fundit u paraqitën punime të saj dhe babait Vilson Halimi. Iriana ndër të tjera shkruan mbi tema të ndryshe të cilat prekin arsimin, edukimin, prindërimin, e që publikohen në Portalin Shkollor Albas dhe revistën “Klubi i fëmijëve”.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,714 Lexime
1 vit më parë