“Ta kam mbajtur fjalën mësuese...” nga Age Gjaci
“Ta kam mbajtur fjalën mësuese...” është shkrimi letrar i Age Gjaci, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Unë e adhuroj profesionin e mësuesit. Ka qenë ëndrra ime qysh fëmijë që të bëhesha mësuese. Jam shumë me fat që sot jam një mësuese, sepse nuk është thjesht një profesion, por një mision i rëndësishëm, sepse në duart e tua qëndron e ardhmja e kombit.
Të jesh një mësuese e arsimit fillor do të thotë që ti të njihesh me mendimet, ndjenjat, gëzimet dhe me të gjitha problemet e nxënësve. Vetë çiltërsia e moshës së tyre ka nevojë për dashuri, siguri, edukim dhe dije. Shkolla, është një mjedis i vogël por shumë i rëndësishëm për nxënësit, ku mësuesin e marrin si shembull dhe ne duhet t’u përshtatemi atyre.
Dy vite më parë punoja në një shkollë në qytet. Prisja të merrja një klasë të parë, por për arsye të rënies së numrit të nxënësve, u hap vetëm një klasë, të cilën e mori kolegia ime. Më transferuan në një shkollë në fshat ku do të merrja një klasë të 5-të. Nxënësit e asaj klase ishin të mërzitur pasi kishte dy javë që kishte nisur shkolla dhe ata nuk kishin mësuese, sepse ajo ishte larguar në një shkollë tjetër. Vazhdimisht pyesnin drejtoreshën se kur do t‘u vinte mësuesja e re.
Ditën kur unë hyra në klasë, ata u lumturuan shumë. Me shikonin në dritë te syrit. Ishin kureshtare të pyesnin për çdo gjë rreth meje. Pasi shkova aty, mora edhe djalin tim, i cili vazhdonte klasën e 9-të. Në klasë kisha sa djem, sa vajza, të gjithë të ndryshëm e të veçantë. Njëra nga vajzat, Griselda, ishte e dobët, e vogël dhe dallohej nga të tjerat. Ajo ishe një vajzë e zgjuar, e dashur, e çiltër dhe vinte nga një familje e varfër me 6 anëtarë. Kishte një motër më të madhe në klasë të 7- të dhe dy vëllezër binjakë të moshës 2 vjeç, të cilët i donte shumë dhe kujdesej për ta. Duke kaluar ditët, vura re se Griseldën e bullizonin moshatarët e saj dhe nxënës të tjerë më të rritur të shkollës me epitete si “macja e zezë“ etj..
E shihja që mërzitej shumë. Dilja në çdo pushim të gjatë të rrija me nxënësit ku vëzhgoja sjelljet e nxënësve të klasës time dhe atyre më të rritur. Shkova t’u flisja nxënësve më të rritur duke i këshilluar që Griseldën nuk duhej ta shanin për asnjë arsye. Për këtë më ndihmoi edhe djali im, që kishte zënë shoqëri me të gjithë nxënësit e ciklit të lartë. Griselda më thoshte gjithmonë - mos u mërzit mësuese se unë nuk e vras shumë mendjen se më shajnë. Dita-ditës po e shihja Griseldën më të lumtur, nisi të mësonte më shumë, vinte me shumë dëshirë në shkollë. Më kërkonte ndihmë për çdo gjë që nuk e kuptonte, më qëndronte shumë afër dhe më tregonte çdo gjë që bënin vëllezërit e saj. Më merrte në telefon dhe më falënderonte për sjelljen dhe mësimet që u jepja. Një ditë, pasi ra zilja e pushimit të gjatë, nisa të shkruaj temat e mësimit në regjistër dhe isha shumë e përqendruar pasi dëgjova të mbyllet dera, por pranë meje pa u ndjerë, afrohet Griselda e trishtuar dhe më thotë:
- Mësuese a mundem të them diçka, se kam tre net që nuk fle fare.
- Po, të dëgjon mësuesja, më thuaj. Mendova se e kishin ngacmuar shokët e klasës.
- Kam një hall shumë të madh- më tha dhe vijoi - Prindërit e mi do të më çojnë në shtëpi të jetimëve. Nuk duan që unë të rri me ta dhe po më dënojnë, sepse u ka thënë motra e madhe se kisha ofenduar një vajzë tjetër.
Isha e sigurt që kjo gjë nuk kishte ndodhur, por ishte vetëm një keqkuptim. E kisha vënë re gjatë gjithë javës Griseldën se nuk ishe e vëmendshme. Rrinte si e hutuar, e menduar dhe e pyeta se mos kishte vëllezërit e saj binjakë të sëmurë?!
Më ngriu gjakun me përgjigjen e saj dhe m’u mbushën sytë me lot, por nuk doja ta jepja veten në sy të saj. E përqafova dhe fillova të flisja me të, se prindërit mund të kishin bërë shaka, ose kanë dashur t’i japin një qortim. Filloi të besojë tek unë. Mamaja e saj punonte të gjitha tokat e fshatit me krah, që të mbante fëmijët. Ishin në shtëpi me qera dhe mezi i përballonte shpenzimet. Pasi e shoqërova Griseldën në oborrin e shkollës, se orën pas pushimit kishin lëndën e fizkulturës, mora në telefon mamanë e saj, të vinte në shkollë të nesërmen në mëngjes të më takonte. Ajo e kishte kuptuar dhe i kishte thënë bashkëshortit se mësuesja po na thërret … ndoshta se çfarë i kemi thënë Griseldës.
Të nesërmen në mëngjes, kur shkoj në shkollë, takoj mamin e Griseldës që po priste jashtë portës. Pasi u pyeta me të, i tregoj për shqetësimin e vajzës. Ajo vuri buzën në gaz dhe më tha që e kishte menduar saktë se për çfarë e kisha thirrur. Folëm gjatë me të dhe i thashë se Griselda ishte vetëm një vajzë 10-vjeçare dhe se nuk duhej të fliste me të në atë mënyrë. Ajo ishte e ndjeshme dhe shqetësohej shumë për hallet e familjes. Çdo ditë Griselda më befasonte me mësimet dhe më thoshte se unë do të mësoj vetëm se e dua shumë mësuesen time.
Pasi mbaroi klasën e 5-të Griselda largohet nga Shqipëria për në Gjermani në statusin e azilantit. Atje i ka strehuar shteti gjerman duke u paguar qiranë e banimit me shpenzimet e tjera të jetesës dhe vazhdon mësimet e gjuhës gjermane. Dy vajzat e kësaj familjeje vazhduan edhe shkollën. Atje e kishin vënë re se Griselda fliste vetëm për mësuesen e saj në fshatin e lindjes. Griselda vazhdon të komunikojë me mua shpesh, më kërkon t‘i postoj fotografi dhe video me zë, se e ka marrë shumë malli. Më vë në dijeni për çdo arritje të saj. Edhe dëftesën e klasës së gjashtë ma ka postuar dhe më ka thënë “…ta kam mbajtur fjalën mësuese”. Kishte dalë me nota maksimale.
Prej vitesh kam punuar me qindra nxënës dhe kam nxjerrë shumë breza. Jam shumë e lumtur sepse të gjithë kanë shënuar diçka në jetën time. Kam dhënë dashuri dhe kam marrë shumë më shumë.
Age Gjaci
Age Gjaci ka lindur me datën 12 mars të vitit 1976, në Mashtërkorë të Mirditës. Në vitin 2010, pas emërimit të bashkëshortit të saj si gjyqtar në një gjykatë në Jug të vendit, ku edhe u transferuan bashkë me katër fëmijët, filloi studimet e larta si mësuese e Ciklit të Ulët, në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, ndërkohë që punonte si specialiste në QKF, që i përshtatej edhe studimeve. Menjëherë sapo mbaroi studimet 4 vjeçare (para sistemit bachelor) dhe punonte specialiste biblioteke për fëmijët, vazhdoi studimet për “Master shkencor”, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira. Gjatë kohës që vijoi punën në Bibliotekën e qytetit Përmet, vjen një thirrje nga Biblioteka Kombëtare që të gjithë punonjësit e Bibliotekës që kishin përfunduar arsimin e lartë, mund të vazhdonin dhe shkollën e Bibliotekonomisë 3 – vjeçare, pa shkëputje nga puna, në Tiranë. Edhe kësaj thirrjeje Age iu përkushtua duke arritur ta përfundojë me sukses të plotë dhe diplomohem për Bibliotekonomi me notën maksimale 10. Pas kontributit me sukses në Bibliotekën për fëmijë, Bashkia e emëroi si përgjegjëse në Konviktin e qytetit. Pas kësaj periudhe pune si përgjegjëse e Konviktit të qytetit dhe mbarimit të studimeve bazë, erdhi koha që ajo të realizoj në jetë ëndrrën e saj (dikur të ndaluar nga regjimi komunist), të vazhdoj profesionin e Mësuesisë, detyrë të cilën po e vijon me sukses edhe sot. Për të thelluar njohuritë e saj, vendosi të vijojë studimet për një Master në “Pedagogji të Specializuar” për edukimin e fëmijëve me aftësi ndryshe, të cilat i përfundoi përsëri me sukses të plotë dhe arriti të diplomohet me rezultate shumë të mira me datë 07.09.2023.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“Kudo që shkojmë na mbyllen dyert...” nga Marçela Tafilaj
“Pendesa e një nxënësi”, nga Luan Stafasani