“Manjola” nga Dallandyshe Dunga

“Manjola” është shkrimi letrar i mësueses Dallandyshe Dunga, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

“Manjola” është shkrimi letrar i mësueses Dallandyshe Dunga, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.


Dy vite të bukura e njëkohësisht të mundimshme, kur nisesha që në orën gjashtë për të qenë pranë asaj bote të vogël mes maleve, që më falte gjithë dashurinë e botës, kur më dilnin përpara, vocërrakët e mi duke më kërkuar kush e kush të më mbante çantën e tek më flitnin pa pushim: “Mësuese, u lodhe?”, e dikush ia priste “Ja se arritëm”; e një tjetër më tej që më thoshte “ Edhe unë e kam larg shtëpinë nga shkolla, por arrij gjithmonë në kohë.” e unë u gëzohesha pa masë fjalëve të ëmbla të këtyre vocërrakëve e lodhja largohej si me magji.


Edhe pse larg e rruga mbarte rreziqet e veta atje në mal, mua entuziazmi nuk m’u shua asnjë ditë, përpiqesha të mos mungoja asnjëherë edhe në ditët e acarta, por vetëm kur bora mbyllte çdo rrugë e shtëllungat e tymit që lëshonin oxhaqet e atyre të paktave çati , tregonin se atje në mal kishte jetë.


Fati e deshi që në verë të merrja dy lajme: njëri ishte që vetëm fillorja do të vazhdonte të funksiononte atje, dhe nxënësit e tetëvjeçares do të zhvendoseshin në shkolla të tjera sipas afërsisë së lagjeve me fshatin më të afërt. E për rrjedhojë vendi im shkurtohej. E mua që po më priste dasma dhe vera plot angazhime, më bëri që ta përjetoja jo keq lajmin. Falënderoj zotin që këtë ndarje me nxënësit e mi të parë si mësuese nuk e pata sa isha në shkollë, pasi e dija që do ta kisha të vështirë.


Ditët fluturuan atë verë, por ardhja e shtatorit më pikëlloi, ende s'kisha gjetur një punë dhe ditën e parë të shkollës, tek shihja nga ballkoni fëmijët që vraponin për në shkollë, një lëmsh m’u mblodh në grykë, qava me dënesë, e pas një nate të paqetë më kishte kapluar gjumi.


 Lumturia m’u kthye pas një muaji, kur mora vesh se një vend pune ishte liruar e kjo lumturi u shumëfishua kur unë do të punoja aty, në fshatin tim të bukur, të paqtë me njerëz të dashur e punëtorë, me mësueset e mia të fillores e tetëvjeçares, e qershia mbi tortë ishte se shkolla ishte mu pranë shtëpisë së prindërve të mi e ata s'do më mungonin asnjë ditë. Fluturova nga gëzimi e mëngjesi më zuri zgjuar duke menduar se si do të ishte dita ime e parë pikërisht aty ku dhe unë isha ushqyer me dije, ku me dockat e mia të vogla kisha hedhur shkronjat e para në letër, kisha njohur shoqet e para dhe mësuesit e mi.


Dita e parë ishte edhe më e bukur sa e kisha stërholluar në mendje, emocionet ishin nga ato që të bëjnë që të kesh flutura në stomak.


Shkolla pësonte ndryshime çdo ditë, sistemi kaloi nga tetë në nëntëvjeçar, e sfidat shtoheshin, koha kalonte e ditëve ua merrja ajkën mes nxënësve të mi, mes mësueseve të mia, me prindërit e mi që më gostitnin çdo ditë me të mirat e fshatit, por ajo që ma kishte marrë krejt zemrën ishte Manjola, e cila ishte në klasën e ish-mësueses sime të klasës së parë, tashmë për kënaqësinë time edhe kolege.


Që në ditën e parë që u takuam ma mori zemrën, më buzëqeshte e përpiqej të më tërhiqte vëmendjen, buzëqeshte e lëvizte kokën me flokët e lidhur me kordele, picërronte syçkat që i xixëllonin, e ia arriti të mos të më linte të mbaroja fjalën me mësuesen time, sepse m’u hodh në qafë: 


– Unë të njoh ty”, – më tha, e në fakt kështu ishte, ne jetonim shumë afër me familjen e saj, i kisha parë tek luanin në oborr me të vëllanë, por e zënë me punët e mia asnjëherë s'isha treguar e vëmendshme.

Duke më përqafuar e shtrënguar fort më pyeti: 

– Do më lejosh ti të këndoj, të kërcej, se më pëlqen shumë.” 

– Po, – i thashë dhe vogëlushët e tjerë qeshën. 

– Mësuese,  – më tha Oltjoni, që ishte në një bankë me të, – po kjo ka dëshirë nganjëherë të këndojë edhe në orën e matematikës, kur unë po e ndihmoj në detyra...


 Mësuesja e tyre ndërhyri:

– Jo, – tha ajo, – tani Manjola po ndryshon, mbaron detyrat dhe më pas kërkon të këndojë dhe ne do t’ia lejojmë, sepse Manjola po mëson çdo ditë e më mirë. Ajo ka mësuar shumë rregulla, kujdeset për gjërat e veta, nuk këndon më pa leje.

Ende në shkolla nuk kishte mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta e mësuesja bënte maksimumin që Manjola të ndihej ashtu si gjithë të tjerët.

Të nesërmen Manjola më solli një vizatim ku isha unë, rrethuar me lule.


– Ti më pëlqen se vishesh bukur, se je nuse, – më tha dhe më puthi dorën në mënyrë të shpejtë e si në faj dhe m’u afrua te veshi e më përsëriti që i pëlqeja shumë, shumë. E putha në faqe dhe i thashë që dhe ajo ishte veshur shumë bukur.


 Menjëherë ajo u vendos mu përpara meje dhe mori një pozë duke picërruar ata sy të tulta e që veç fëmijët si Manjola i kanë aq të veçantë dhe, e lumtur nga komplimentet e mia dhe kërkesa e mësueses, u ul në bankë përsëri duke më picërruar sytë.


Nëna dhe motrat e saj kujdeseshin në maksimum që Manjola të shkëlqente, por dhe vetë ajo kujdesej kaq shumë të mos bëhej pis, rregullonte herë pas here bluzat, fustanet, kujdesej të dukej bukur e pastër në çdo moment e çdo mëngjes më merrte mendimin nëse dukej bukur dhe më porosiste që kur të isha pushim të shkoja ta takoja. 


Shkoja çdo ditë pranë saj dhe ndihej si në faj nëse ndonjë ditë nuk kishte ndonjë vizatim për mua.

Pranvera po vinte dhe sythat ishin gati të stolisnin bahçet me lulet në shpërthim.


Një mëngjes, ende pa filluar mësimi, Manjola më thirri më vete, si në fshehtësi, më dha një tufë me manushaqe të lidhura me kujdes me një spango dhe më tha:

– Dëgjo, mos i trego askujt, se mësuesja ime do mërzitet se nuk kishin çelur akoma lulet për mësuesen, do ia sjellë edhe asaj, po këto i kam për ty.

Manjola rritej çdo ditë e çdo ditë më mrekullonte e më habiste, më surprizonte, më gajaste së qeshuri e qaja fshehurazi, kur kishte probleme a ishte e sëmurë. Nga gëzimi qaja bashkë me të e ajo më fshinte lotët e më thoshte:

– E di tani, u mësova me budallallëqet e tua që qan kur je e lumtur.

Vazhdonte më tregonte sekrete e kujdesej që mësuesja e saj të mos shqetësohej e t’i tregonte sekrete të tjera dhe asaj. 


Erdhi dhe dita që Manjola të hidhej në nëntëvjeçare e të ishte nxënësja ime. Dita-ditës po bëhej një zonjushë e kujdesi për veshjen e pastërtinë nuk i mungonte asnjëherë, dashuria për këngën, kërcimin e pikturën po ashtu. Nxënësit e klasës. ndryshe nga sa ishin të vegjël. tashmë e kishin pranuar, nuk qeshnin me të, e përkrahnin, e donin, e dëgjonin me vëmendje tek këndonte, në orët e muzikës kërcenin bashkë me të, luanin në oborr me të, e unë lumturohesha kur ajo sa nuk fluturonte nga gëzimi. Ajo vërtetë ishte e veçantë, ajo vazhdonte të m’i tregonte sekretet e saj, dëshirat dhe ëndrrat e saj, ma kishte marrë zemrën e nganjëherë ndihesha në faj ndaj nxënësve të tjerë, se mos në ndonjë moment do të mendonin se i kisha lënë pas dore, por jo, ata të gjithë ishin të veçantë, më kuptonin e më ndihmonin, kujdeseshin që posaçërisht Manjola të ndihej në qendër të vëmendjes, ata e donin ashtu si unë, ata e kishin bërë pjesë të tyre.


    Një ditë Manjola nuk kishte pranuar të vinte në klasë dhe unë që po ndizja zjarrin, e shqetësuar dërgova një nxënës ta merrte në oborr, por ajo nuk po pranonte. Lashë zjarrin dhe rashë poshtë e iu afrova, por ajo m’u largua. 

– Çfarë gabimi kam bërë? – e  pyeta. – Apo të ka ngacmuar dikush? 

Nuk reagoi, vetëm lëvizi supet. E ngacmoj përsëri me pyetje, por nuk po pranonte të fliste, dhe shoqja e saj e bankës e i vëllai po përpiqeshin të flisnin me të, por nuk po ia gjenim dot anën. Me kujdes iu afrova ta përqafoj, por m’u hakërrye:

– Ti nuk do të më duash më mua, ti nuk do jesh më shoqja ime, ti nuk do kujdesesh më për mua, ty nuk do të pëlqejnë më fustanet e mia.

 Nuk e dija ku kisha gabuar dhe sytë m’u mbushën me lot.

– Pse i thua këto, zemër, – i thashë unë, dhe shoqja e saj u afrua e shqetësuar.

Manjola me zërin e ngjirur nga të qarat bërtiti me të madhe:

– Unë të kam parë në ëndërr. Ti do kesh një bebe vajzë e do kujdesesh vetëm për atë, ti nuk do më duash më mua, ti do  t’i blesh fustane asaj edhe mos më thuaj jo, se unë të kam parë në ëndërr, – përsëriti ajo.


Sytë m’u mbushën me lot dhe, tek e ndieja dihatjen e saj, i premtova se do ta doja gjithmonë, do t’aa pëlqeja fustanet, se nuk do ta zëvendësonte askush dashurinë që kisha për atë, se do kishte një vend vetëm për atë në zemrën time dhe ajo, që vetëm ata fjalë kishte pritur, picërroi sytë e kristaltë me lot dhe u ngjit edhe më shumë pas meje.


Unë nuk e dija ende që prisja një fëmijë dhe 8 muaj më pas më lindi vajza.

Manjola mbetet ndër kujtimet më të bukura edhe sot kur ajo është rritur e vazhdon të jetë e ëmbël. 

Edhe vajza ime sot shkon drejt të njëzetave.

Janë me fat njerëzit që takojnë në jetë fëmijë si Manjola, ata ta marrin zemrën, me botën e tyre plot ngjyra ta ngjyrosin botën tënde me ngjyrat që kurrë s’i ke hasur në jetë, sepse ata zoti i ka bërë të veçantë e ashtu të veçantë mbeten në kujtimet e njerëzve që i kanë njohur  në jetën e tyre.



Dallandyshe Dunga  

Dallandyshe Dunga  ka lindur më 25 mars të vitit 1978 në Pukë.

Studimet e larta i ka kryer në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër për Histori –Gjeografi. Ka punuar si mësuese e kësaj lënde për disa vite në shkollën 9-vjeçare “Ali Bytyçi”, Qerret. Ndërsa që nga viti 2013 e në vazhdim jep mësim lëndët Histori-Qytetari-Filozofi në gjimnazin “Sabah Sinani”, në Pukë. Në vitet e saj të eksperiencës si mësuese numërohen dhjetëra trajnime e kualifikime, ndërsa tashmë mban titullin “Mësues mjeshtër”. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

28,790 Lexime
1 vit më parë