Entela Tabaku fiton çmimin “Vëllimi më i mirë poetik i vitit 2023” me “Qeramikiana”
Në një ceremoni të posaçme, QKLL nderoi arritjet më të spikatura të letërsisë shqiptare për vitin 2023. Entela Tabaku u vlerësua për vëllimin e saj poetik “Qeramikiana”, duke shënuar një moment të rëndësishëm në fushën e poezisë shqipe.
Këtë të premte, në një ceremoni të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, u ndanë Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2023. Pjesëmarrës në aktivitet ishin shkrimtarët, përkthyesit dhe autorët e ndryshëm, të cilët nderuan dhe vlerësuan arritjet më të shquara në fushën e letërsisë shqiptare.
Një nga çmimet më të rëndësishme që u ndanë ishte ai për “Vëllimi më i mirë poetik i vitit”, i cili i shkoi poetes Entela Tabakut për librin e saj me poezi “Qeramikiana”. Ky vëllim u vlerësua “për mjeshtërimin e veçantë në trajtimin e brishtësisë dhe thellësisë së ndjenjave në poezi”.
Çmimin e poezisë e ndau poetja Rita Petro, e cila gjatë fjalës së saj theksoi se ndihej e nderuar që po jepte këtë çmim. Ajo e vuri në dukje se, megjithëse shumë libra poezish botohen çdo vit, botuesit seriozë janë bërë gjithmonë më selektivë, duke zgjedhur vetëm veprat që arrijnë një nivel të lartë estetik.
“Poezia më e mirë shqipe e sotme i është larguar traditës e veçanërisht poezisë tematike, poetët e sotëm, ata më të mirë i kushtojnë rëndësi zbulimit të thellësive të vetvetes duke e vënë unin lirik përballë botës së jashtme dhe në sprovë me vesin e vitytin. Kuraja dhe guximi i tyre shprehen përmes një imazhi estetik të arrirë. E tillë është dhe poezia e Entela Tabakut që të zakonshen e sjell në poezi si të jashtëzakonshme e të bukur estetikisht”, tha Petro.
Entela Tabaku, nga ana e saj, falënderoi për dhënien e këtij çmimi dhe shprehu ndjenjën e nderit që po e merrte. Ajo më pas lexoi një prej poezive të saj, si shenjë falënderimi, me titullin “Poezia nuk i ka të gjitha përgjigjet”.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve për vitin 2023 ishte një ngjarje e veçantë që theksoi rëndësinë e krijimtarisë letrare dhe angazhimin e shkrimtarëve në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës letrare shqiptare.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"
Jemi krenarë për ty mëmëzonja Shqipëri!
"Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2023", ALBAS fiton çmimet për “Përkthimin më të mirë” dhe “Librin më të mirë për fëmijë”