"Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2023", ALBAS fiton çmimet për “Përkthimin më të mirë” dhe “Librin më të mirë për fëmijë”
Albas mori dy çmime të rëndësishme në “Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2023”. Romani “Daullja prej llamarine” i Gunter Grass, i përkthyer nga Ana Kove, fitoi çmimin për përkthimin më të mirë; “Kroni dhe pulebardhat” nga Lediona Braho u shpall libri më i mirë për fëmijë. Albas u nominua edhe me tituj të tjerë.
Sot u shpallën fituesit e “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2023”, një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe letërsinë shqipe, që organizohet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL). Aktiviteti, i cili u zhvillua me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, përkthyesve dhe autorëve të ndryshëm, njohu dhe nderoi arritjet më të spikatura në fushën e letërsisë shqiptare.
Vepra më e mirë e përkthyer shkoi për romanin “Daullja prej llamarine” e autorit Gunter Grass, i përkthyer në shqip nga Ana Kove dhe botuar nga Shtëpia Botuese Albas.
Çmimi u motivua për “punën mjeshtrore, përmes së cilës përkthyesja arrin të përçojë me rrjedhshmëri te lexuesi shqiptar thellësinë e zërit të pazakontë të personazhit dhe satirën e mprehtë të autorit”. Ky roman ka marrë gjithashtu çmimin për “Përkthimin më të mirë” në Panairin e Librit “Tirana 2023.”
Një tjetër fitues i rëndësishëm ishte edhe titulli “Kroni dhe pulebardhat” që mori çmimin si “Libri për fëmijë më i mirë i vitit”, një libër nga autorja Lediona Braho, i botuar gjithashtu nga Albas.
Ky libër u shpall fitues për “kurajën e trajtimit të temave të forta bashkëkohore”, duke ofruar një histori edukative dhe inspiruese për fëmijët, e cila ndihmon në zhvillimin e imagjinatës dhe vlerave pozitive.
Në kategorinë e përkthimeve, u nominuan gjithashtu vepra të tjera të Albas, si “Tytnia” nga Enxhi Naumi, që ishte një nga të nominuarat për "Vëllimi më i mirë poetik i vitit". Po ashtu, Bajram Karabolli me përkthimin e “Don Kishoti” (Vëllimi II), botuar nga Botimet-Abas, mori një vlerësim të veçantë. Në kategorinë “Letërsi për fëmijë”, u nominuan veprat “Makineria që peshon fjalët” nga Laureta Lilaj dhe “Ne jemi Superskuadër” nga Natasha Shuteriqi Poroçani, të dyja botime të Shtëpisë Botuese Albas.
Çmimi për "Poezinë më të mirë të vitit" iu dha Entela Tabakut për librin “Qeramikiana”, i botuar nga "Onufri", për mënyrën e saj të veçantë në eksplorimin e brishtësisë dhe reziliencës përmes një gjuhë poetike të pasur, çmim që iu dorëzua nga poetja e mirënjohur, Rita Petro, e cila fillimisht tha se ndihej e nderuar që po ndante çmimin e poezisë. Pavarësisht se botohen aq shumë libra me poezi, Petro nënvizoi se botuesit seriozë janë treguar selektivë për të sjellë vepra poetike me nivel të lartë estetik.
“Poezia më e mirë shqipe e sotme i është larguar traditës e veçanërisht poezisë tematike, poetët e sotëm, ata më të mirë i kushtojnë rëndësi zbulimit të thellësive të vetvetes duke e vënë unin lirik përballë botës së jashtme dhe në sprovë me vesin e vitytin. Kuraja dhe guximi i tyre shprehen përmes një imazhi estetik të arrirë. E tillë është dhe poezia e Entela Tabakut që të zakonshen e sjell në poezi si të jashtëzakonshme e të bukur estetikisht”, tha Petro.
Në kategoritë e tjera, çmimet ishin:
Romani më i mirë i vitit: Besnik Mustafaj për “Fati i marrë”, për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie alternative, që tregon një Shqipëri më të ndjeshme dhe me heronj më të prekshëm.
Vepra më e mirë studimore e vitit: Pëllumb Xhufi për librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar”, një studim të thelluar dhe të dokumentuar mbi ngjarjet dhe sfidat e periudhës mesjetare shqiptare.
Vëllimi më i mirë me tregime i vitit: Shpëtim Kelmendi për librin “Dashnia asht”, për eksplorimin e hapësirave të brendshme dhe ndjeshmërinë e rrallë në tregimet e tij.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Xhahid Bushati: “MiniGuida Shkodra", pasaporta më e re e qytetit
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"
Jemi krenarë për ty mëmëzonja Shqipëri!