Reportazh

Jemi krenarë për ty mëmëzonja Shqipëri!


Mimoza Çobo nga qyteti i Fierit ka përgatitur një reportazh për Atdheun, nisur nga veprimtaritë e zhvilluara për festat e nëntorit që lam pas, në disa shkolla.


“Fati i popujve të vegjël kalon nëpër dyert e tragjedive të mëdha”- Ismail Qemali


Ne shqiptarët e duam mëmëdheun dhe gjunjëzohemi para flamurit sepse ky flamur ka mbajtur gjallë qenësinë tonë në shekuj, kur të huajt na shqyenin trojet me egërsi, kur vrisnin me tehun e shpatës klithmën e shpirtit të lirisë, kur shponin me majën e bajonetës gjoksin e foshnjës kërthi mbuluar djepit me flamurin kuqezi. Por rrënjët tona pellazge nuk i shkulën dot nga thellësitë shkëmbore të kohërave, nga ka nisur fluturimin ngadhënjimtar flamuri ynë me shqiponjën me dy krerë. “Të duash flamurin është mirënjohje për lirinë”, ju pat thënë Presidenti Kenedi bashkëkombësve të vet. Prandaj kudo ku flitet e këndohet shqip, valëvitet krenar në ballin e çdo shqiptari, flamuri ynë legjendar. Ne shqiptarët jemi klithma dhe shpirti i shqiponjave, të lindur në shpërgënjtë e lirisë, jemi krijesat që i kemi dhënë emrin Mëmëzonjës Shqipëri.


Në këtë përvjetor të Ditës së Pavarësisë dhe Ditës së Çlirimit të Atdheut, ndjej obligim moral e krenari kombëtare, të përcjell urimin dhe dëshirën e mirë për ta parë Mëmëzonjën tonë, faqebardhë e Kryezonjë të Mesdheut.


SHKOLLA 9-VJEÇARE" AJET TOSKA" SUK 2, FIER

 Askush nuk mund ta shpreh më bukur se fëmijët dashurinë për Mëmëzonjën tonë kapedane. Askush nuk mund t’i këndojë flamurit dhe gjakut të të rënëve, ashtu siç i këndon zëri i dëlirë i fëmijëve. Veprimtaritë festive të zhvilluara në vigjilje të festave të kremtimit të 111-vjetorit të Pavarësisë dhe 79-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, në të gjitha institucionet arsimore të ZVA Roskovecit, janë prurje plotë me ngjyra, me vlera dhe virtyte të larta atdhetare, frymëzuar nga luftërat, përpjekjet dhe sakrificat sublime të popullit tonë për liri e pavarësi, janë shkëndija dritë, që dritësojnë kujtesën tonë kolektive për të nderuar simbolet kombëtare dhe për glorifikuar vlerat e virtytshme të personaliteteve të shquar të kombit. Veprimtaria artistike e titulluar “Krenar që jam shqiptar” zhvilluar në shkollën 9-vjeçare “Ajet Toska” Suk 2, nën kujdesin e stafit të mësuesve dhe administratorit të këtij institucioni arsimor, z. Orelian Ruko, dëshmoi pavdekësinë e misionit të përjetshëm të shqiptarëve për qëndresë e për liri. Madhështia e himnit kombëtar, që në momente kyçe ka ngritur peshë zemrat e shqiptarëve, mbart një fuqi aq të madhe bashkimi, saqë kur këndohet me pasion nga fëmijët, pagëzohet në kryekëngë e lartësohet madhërisht, në ripërtëritje. Vargjet epike e të fuqishme të poezisë “Himni i flamurit”/” O Flamur gjak, o flamur shkabë, /O vend e vatr’ o nën’ e babë,”/, të shkruara nga Noli, janë drithëruese edhe sot, kur i dëgjon të recituara nga zëri virtuoz i nxënëses Renata Toska. Interpretimi i saj brilant ngjalli ndjesi të fuqishme dhe u duk sikur një rrymë e padukshme, më e vrullshme se dinamika e vargjeve, trazoi thellësitë e shpirtrave dhe çau digën e lotëve të syrit.


 E keni ndjerë shushurimën e kroit kur fryn era e malit, që shtyn valën në breg dhe shelgjet kur përkulin kryet me dëshirën të ndjejnë këngëzimin e rrjedhës nëpër mëngjeset e djersitur nga vesa agimore?! Domosdo e keni ndjerë një dukuri të tillë që është sa mbresëlënëse aq edhe magjepsëse. Besoj se nuk e teproj aspak, nëse ju them se fuqia e kësaj tabloje piktoreske, ngjizur në vargjet e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, pushtoi zemrat e mësuesve, nxënësve dhe prindërve që patjetër duhet t’u ketë kaluar nëpër trup drithërima e ëmbël e vesës dhe gurgullima gati magjike e zërit të bijave të tyre E. Toska, E. Cjapi, A. Sheme dhe K. Toshkëzi. Teksa i këndonin gjithë dëshirë lirisë e mëmëdheut, oshtinë zëra nga thellësitë e kohërave:” Brezat e rinj kanë mese të krenohen…” Mbresëlënëse dhe emocionuese në këtë festë kuqezi, ishin interpretimet e poezive, që kishin në themel madhështinë e historisë sonë me heronj shekullorë, që ka nëpër vena petale gjaku, ndër duar një shpatë të mprehur nga vetëtimat e kohërave, në sup një dyfek me gjalmë, kurse mbi krye një degë ulliri me gjethe paqësore. Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ajet Toska”, Suk 2, Fier, V. Lime, A. Kocaqi, M. Lime, R. Toska, A. Toska, me fuqisë së fjalës artistike mblodhën tingujt e shekujve urtuar, thirrën bilbilenjtë e shqipes anë e kënd trojeve arbërore dhe së bashku i kënduan rrugëtimit të kombit nëpër suferinat e shekujve, ku të gjallët janë gonxhe të bardha në shtatin e Mëmëzonjës dhe të rënët janë lulëkuqe që flenë te rrënjët e zemrës se saj. Në këto veprimtari festive, nuk munguan këngët dhe zërat melodioz të fëmijëve, që dehën shpirtrat e të pranishmëve dhe i bënë të përloteshin. Momente të tilla përjetuan kur nxënësja P. Toska këndoi këngën “Moj e bukur Arbëri”. Mezi i përmbajti emocionet e brendshme deri në mbarimin e këngës. Kur këndoi vargjet:”/Sa kemi mall s'ka deti valë, /O moj e bukura Arbëri. /Shikojmë nga larg, mendojmë për ty, /O moj e bukur Shqipëri /”, vogëlushes i shpërthyen ndër sy ca lot qelibar dhe drithërima e zërit iu bë më e zëshme se klithma e shqiponjës kur thërret të vegjlit në fluturim. 


28 Nëntori i pavarësisë, ka një domethënie të madhe për popullin tonë martir, sepse shënon edhe ditën e bekuar, kur për herë të parë në historinë e kombit tonë, Skënderbeu ngriti në Krujë flamurin kuq e zi. Çdo komb krenohet me madhështinë e heronjve të vet. Edhe vendi i shqiponjave përfaqësohet në botë me bëmat e ndritshme të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, të cilin Evropa e njeh si “Atlet të Krishtit”, mbret e luftëtar të pathyeshëm. Madhështia e tij nuk vjen nga tjetërkund, veçse nga kujtesa e shekujve, kur Prijësi mblodhi arbërorët të gjithë bashkë rreth trungut madhështor të lirisë. Zërat e nxënësve R. Toska e M. Lime, e sollën këtë tablo historike dhe diellin e agimeve, mbi kreshtat epike, si dikur Skënderbeu përpara arbërorëve e luftëtarëve kordhëtar. Të nderosh veprën dhe emrin e Ismail Qemalit, i cili ka një meritë të madhe në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe shkëputjen një herë e përgjithmonë të Shqipërisë nga Perandoria osmane, është krenari kombëtare dhe obligim për brezat e rinj. Fjalimin e tij dhe momentet kyçe të kësaj dite historike, jehona e të cilave, në atë kohë kapërceu meridianët e tokës, prurje nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ajet Toska” Suk 2, A. Kocaqi e R. Toska dhe nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Alush Grepcka” Roskovec, K. Buzi e V. Kola, nuk janë thjeshtë një trajtesë mbi vlerën ndikuese të tyre, por obligim e krenari, të ngjizura në zemrat e brezit të ri.


SHKOLLA 9-VJEÇARE “ALUSH GREPCKA“ ROSKOVEC, FIER

Në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Alush Grepcka” Roskovec, flamujt kuqezi të larë me gjakun e të rënëve e të shtrydhur nga stuhitë e shekujve, u valëvitën krenar në gjoksin e nxënësve, aty ku dashuria për flamurin e atdheun kanë hedhur rrënjë të thella. Bota e nxënësve M. Plaka, D. Begaj dhe A. Hoxha është plotë me poezi për vendin me gjuhë e troje pellazge, që quhet Shqipëri. Atdheu për K. Ngjeqarin, SH. Hoxhën dhe A. Sadikun, është toka ku kanë lerë, ku flasin gjuhën e të parëve, është gjeneza e gjakut që iu rrjedh nëpër vena, është dielli që iu ndriçon udhët e jetës, është klithma dhe bukuria e planetit Tokë. Një performacë të bukur në këtë veprimtari, solli nxënësja E. Hoxha, e cila shquhet për gamën e gjerë të zërave muzikorë në debutimin e perlave të muzikës shqipe. Poezitë me temë atdhetare të interpretuara nga nxënëset K. Sopiku, O. Lushka, A. Isufaj, D. Begaj, Y. Bregasi, A. Caushi, E. Saliaj, A. Zhupani, G. Zena, M. Agaçi, G. Mamo, E. Hatia, Xh. Beluli, M. Buzi që në zemër s’kanë gjë tjetër, veç dashurisë për lirinë, ngjallën dritën e ngazëllimit, duke risjell në kujtesën e kohës jehonën e dhimbjeve të kësaj toke. Emocionuese ishte për të pranishmit performanca koreografike e nxënëseve të kësaj shkolle, të cilat teksa hidhnin vallen myzeqare nëpër trup u valëzohej Guna me Rrëke, me një përshpejtim si valëzimet e grurit. Pothuaj të njëjtën bukuri interpretative performuan edhe nxënësit valltarë, të veshur me kostume popullore. Kur shkëputnin duart e lidhura nga njëri-tjetri përgjatë rrotullimit në valle, dukeshin sikur nuk kërcenin, por fluturonin, si shqiponjat mbi kurorat e maleve.


SHKOLLA 9-VJEÇARE "NAUN DOKO" MARINËZ, FIER 

Në rrjedhën e kësaj atmosferë festive, mesazhe të fuqishme përcolli veprimtaria me theks atdhetar, e realizuar nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naun Doko” Marinëz, e kuruar me kujdes të veçantë nga stafi i mësuesve dhe drejtuesja e këtij institucioni arsimor, znj. Sonila Cjapi. Në këtë veprimtari, nxënësit shpërfaqën talentet e tyre në fushën e artit të fjalës artistike dhe të artit figurative. Në thelb të kësaj veprimtarie gjendet përjetësisht i patjetërsuar, atdheu i të parëve, bëmat e heronjve të kombit, traditat tona të lashta dhe gjuha shqipe. Sublimja dhe sakrificat e grave shqiptare, portreti i tyre heroik në mbrojtje të flamurit, duke pritur agimin e lirisë, shenjtërohen me tone dramatike në pjesën teatrale “Drama e flamurit”, të interpretuar nga nxënëset M. Kina, A. Mata dhe E. Kaçeli. Në rrjedhën e kësaj drame, fiton epërsi thënia e Fishtës: “Më mirë me dek’ nën dhe’ m’u kja, se për t’gjall me mbet nën shkja”. Fuqia e simboleve kombëtare dhe atdhetarizmi kombëtar, merr përmasa realiste për nga dendësia artistike dhe emocionale, te pjesa teatrale “Lidhur si fishek gjerdani”, prurje e nxënësve E. Sinjari, E. Cjapi, A. Kina, E. Profka dhe E. Kaçeli. Ndjenjën e atdhetarisë të kultivuar në kolonën zanore të filmit “Tomka dhe shokët e tij “, si dhe fragmente nga ky film, ishin prurje mbresëlënëse e nxënësve A. Kureta, E. Kaçeli, M. Çepele dhe S. Plaka. Ushtimë shkrepash dhe jehonë malesh përzier me dashurinë për shqiptarinë, përcollën vargjet e këngës “O sa mirë me ken shqiptar”, të kënduara nga nxënësja F. Zyka. E veçanta e këtyre veprimtarive ishin pikturat me kompozime mjaft interesante, të realizuara nga nxënësit e këtyre shkollave, A. Kina, S. Demo, A. Toska, V. Lime, K. Ngjeqari, E. Kola, I. Kola dhe V. Hatia. Në rrafshin kuptimor dhe estetik, krijimet e tyre shpërfaqën përmes tematikave dhe shprehimësisë artistike etapat historike të kombit tonë për liri e pavarësi.


 Administratorët e këtyre shkollave, z. Orelian Ruko, znj. Burbuqe Plaka, znj. Sonila Cjapi dhe stafi i mësuesve i mbështetën këto veprimtari artistike dhe shprehën rëndësinë e njohjes së vlerave që mbartin në thelb simbolet tona kombëtare, si dhe rëndësinë që kanë Dita e Flamurit dhe Dita e Çlirimit të Atdheut. Si përfundim, këto veprimtari dëshmuan se Shqipëria jonë e shtrenjtë mban në gjirin e saj bij e bija, që po ia shumëfishojnë madhështinë kësaj toke të bekuar, që na e lanë trashëgim të parët.


Me dëshirën e mirë që të kem përcjellë te lexuesi mesazhe atdhetare e liridashëse, ju uroj: Gëzuar 111-vjetorin e Pavarësisë dhe 79-vjetorin e Çlirimit të Atdheut tonë të dashur!


 “Dersa t’mundem me ligjrue,/E sa gjall me frymë unë jam, /Kurrë Shqypni s’kam me t’harrue,/ Edhe n’vorr me t’përmend kam/.”- Gjergj Fishta 



Nga Mimoza Çobo 

 ©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

998 Lexime
1 vit më parë