Edukimi, një mision

Edukimi përmes së djeshmes, së sotshmes dhe vizionit për të ardhmen

Mësuesit janë hallka që lidhin të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen. Ata vendosen përpara një përgjegjësie tejet të madhe për të dhënë kontributin e duhur në formimin e brezave të së ardhmes, duke instaluar vlera të vërteta patriotike dhe intelektuale.

Koha... një medalje me dy anë,  njëra anë e së cilës duket si një lloj rrethi vicioz që e përjetojnë pa përjashtim të gjitha qeniet njerëzore... dhe të jep mundësinë të lësh gjurmë për brezat që do të vinë. Në anën tjetër të medaljes qëndrojnë të gjitha ngjarjet historike, gjuhësore e letrare që skalisin në gurët e memories identitetin kombëtar të një populli. Koha na jep mundësinë që përmes analizave të ngjarjeve historike të nxjerrim mësime, të përmirësohemi, të kuptojmë sakrificën e intelektualëve shqiptarë e dashurinë për atdheun dhe t’ua përçojmë vlerat e misioneve që ata ndërmorën, brezave të rinj. 


Jemi në prag të 106-vjetorit të Pavarësisë, por edhe pse ne si mësues kemi arritur të zgjojmë interesin e nxënësve deri diku për figurat e shquara të kombit tonë dhe aq më tepër të përçojmë vlerat e punës së tyre, kontributin e jashtëzakonshëm që ata dhanë, jo vetëm në krijimin e Shtetit të Parë shqiptar, por dhe në hapjen e shkollave e në çështjet gjuhësore e letrare, sërish duhet të këmbëngulim më fort. 


Krijimi i një shteti dhe shkrimi i gjuhës shqipe ishin dy sfidat më të mëdha për patriotët... për këta burra që na lanë amanet atdheun. E si mund të lihet pa u përmendur kontributi i Hafiz Ali Korçës (publicist, poliglot) në çështjen kombëtare, i Hafiz Ibrahim Dalliut, (arsimtar, publicist), i cili ia kushtoi një pjesë të jetës arsimimit të rinisë shqiptare, kontributi i Gjergj Fishtës, i Mithat Frashërit, i Ndre Mjedës, i Bajo Topullit, i motrave Qiriazi,  i Dom Nikoll Kaçorrit e shumë atdhetarëve të tjerë. 


Shkrimi i gjuhës shqipe u realizua falë një kalvari të gjatë mundimesh, sakrificash e arritjesh, që mbajti mbi supe elita intelektuale, të cilët punuan që trashëgimia gjuhësore të vazhdonte në brezat e rinj të gjuhëtarëve për të mbërritur te ne me një traditë shkrimi e një formë të unifikuar.


Në këtë zinxhir të shtrirë nga e shkuara te e sotshmja, për t’u zhvendosur drejt së ardhmes një hallkë e rëndësishme jemi pikërisht ne, mësuesit. Krejt natyrshëm na lind detyra të marrim pjesë në edukimin e brezave duke u mësuar të shkruajnë bukur dhe pastër gjuhën shqipe, duke u treguar sakrificat e intelektualëve dhe duke i njohur me veprimtarinë e tyre atdhetare. 


Në epokën e dixhitalizimit, kur interesat janë drejtuar nga gjuhët e programimit dhe gjithçka po shkon drejt shkrirjes së identiteve duhet të ndërhymë fuqishëm në ruajtjen e vlerave intelektuale të paraardhësve tanë. Mos reshtim kurrë së pari edukimin si një proces i gërshetuar fort me vizionin për të ardhmen, me vizionin se sot në klasat ku ne japim mësim janë vatra ku ndizen fuqishëm shkëndija shprese për një të nesërme më të mirë këtu, në tokën e shqipeve. Të gjithë së bashku prindër e mësues duhet të analizojmë më tepër të shkuarën e të nxjerrim mësime, të ndërgjegjësohemi për të tashmen e të ndezim njëherë e mirë pishtarët e së ardhmes, por duke instaluar vlera të vërteta patriotike dhe intelektuale. 


Në thelb jemi në krye te një misioni tejet të vështirë dhe jemi të vendosur para një përgjegjësie tepër të madhe... po japim kontributin tonë në brezat që nesër do jenë në krye të këtij vendi që ndodhet diku në një cep të Evropës Juglindore, të quajtur Shqipëri. 

Gëzuar Pavarësinë, Shqipëria ime!



(Përgatiti Erjonilda Dojka, mësuese e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë në shkollën "Hafiz Ibrahim Dalliu")

2,598 Lexime
6 vjet më parë