Xhahid Bushati: “MiniGuida Shkodra", pasaporta më e re e qytetit

"MiniGuida Shkodra", një botim edukativ për fëmijët, sjell “pasaportën” e re të qytetit sipas Xhahid Bushatit. E përgatitur nga Melisa Paci dhe e ilustruar nga Adrian Paci, libri shpalos historinë, kulturën, legjendat dhe atraksionet turistike, duke prezantuar thesaret e Shkodrës për lexuesit e rinj.

- Shënime dhe dashuri për "MiniGuida Shkodra", botim i Sh. B. Albas, Tiranë 2024; teksti i përgatitur nga Melisa Paci, ilustrimet: Adrian Paci; konsulent: Romeo Gurakuqi, redaktore: Dorina Basha, dizajni: Semela Mero. -

Nga Xhahid Bushati 



Shtëpia Botuese Albas, në Panairin e 27-të të librit në Tiranë, krahas shumë librave të gjinive e zhanreve të ndryshme, të tipologjive interesante; botoi dhe serialin me titull: "MiniGuida..." për njohjen e qyteteve të Shqipërisë e më gjerë, të historisë dhe karakteristikave të tyre që gdhendin portretin e veçansisë së këtyre qyteteve. Kjo MiniGuidë... u drejtohet kryesisht fëmijëve, por pa harruar edhe prindërve, gjyshërve, motrave, vëllezërve, dashamirësve, për të gjithë ata që kanë dëshirë për të qenë kuriozë dhe për të ditur jo vetëm njohuritë për qytetet por vlerat e tyre. 


Në këtë serial është dhe qyteti im i Vendlindjes, Shkodra. Tani fëmijët e qytetit tim kanë në duar e në zemër pasaportën më të re, që quhet: "MiniGuida Shkodra". 


Së bashku, faqe pas faqeje të librit të ri e shumë të vlefshëm, së bashku me fëmijët-lexues po nisim udhëtimin tonë historik, turistik e bashkëkohor drejt zbulimit të të panjohurave e mistereve, relikeve të çmueshme, ngjarjeve, vlerave, trimërive, ... etj. Po rendim për të zbuluar e njohur thesaret e Shkodërloces.


Teksti është përgatitur me saktësi shkencore dhe kulturë nga Melisa Paci. Tekstin e shoqërojnë ilustrimet funksionale dhe të mrekullueshme të piktorit të njohur Adrian Paci, që na vizaton aq bukur Shkodrën, këtë "Bukuroshe mes ujërave". Në çdo faqe të librit përmes tekstit dhe ilustrimit qëndisës, lexuesi i vogël dhe kushdo që e merr në dorë, padyshim, ndien aromë dhe dashuri Shkodre.


Tani, të dashur fëmijë e lexues, me pasaportën e re do të nisim udhëtimin tonë, një udhëtim që është i bukur, i shtrenjtë dhe i paharruar. Fillimisht njihemi me shtrirjen gjeografike dhe me kë rrethohet Shkodra. Më pas ndalemi te një fragment nga poezia e Filip Shirokës, ku malli i poetit nuk fle, por rri zgjuar për Shkodrën "qytetin tim". Dhe në disa faqe më tej jepen disa karakteristika të Shkodrës, si: Qytet i artit, i Kulturës, i Humorit, i Biçikletave, i Karnavaleve.


Kurioziteti për këtë qytet dhe njohja sa më e thellë e tij në vite, dekada e shekuj; na sjellë Qytetin Verior rrethuar mes maleve, liqenit, detit dhe lumenjve. Do të njiheni me emrat e tyre. Gjithashtu, do të njiheni, me historinë e emrit të qytetit, me Legjendën e Kalasë së Rozafës, të ikjes së Zojës, të gjurmëve antike; me periudhat e sundimit venecian dhe otoman, me Rrethimet e Shkodrës dhe figurën e Marin Barletit, me Pashallëkun e Shkodrës dhe Dinastinë e Bushatllinjve... etj.


Përmes Urtësisë formuluese: "Historia, sa e bukur!" do të njihemi me 'shenja' të tjera të Shkodrës, si me: Lindjen e shtypit dhe botimet, figurat ndriçuese që ndriçuan historinë: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Migjeni... . Dhe historia vazhdon dhe rrëfen ngjarjet e saj duke evidentuar karakteristika të tjera të Shkodrës, si: Heroizmin e Tre Heronjve të Shkodrës, bashkëjetesa fetare, Muzeu Historik, Xhamia e Plumbit, Sahati i Inglizit, Muzeu "Marubi", Kolë Idromeno, Galeria e Arteve, Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës... etj.   


Përmes Urtësisë formuluese: "Aventura në qytet" do të njiheni me disa pika turistike: Shiroka, Zogaj, Ura e Mesit, Velipoja, Thethi... etj.


Shkodrën nuk mund ta kuptosh pa futbollin dhe ekipin e "Vllaznisë" sot e në mote. Janë disa faqe me Urtësinë formuluese "Gjëra ta mahnitshme", ku ju do të njiheni me historinë e Shoqërive sportive, me stadiumin "Loro Boriçi"... etj. Në këtë okelio përmenden edhe: Karnavalet e humori brilant shkodran, mikpritja, kuzhina (mos e harroni tavën e krapit), një tubë kuriozitetesh dhe me disa karakteristika të qenësishme të përmbledhura në frazën poetike: - Si ta dallosh një shkodran?

"Shkodra ka pasur gjithmonë emrin si "djepi i kulturës dhe, ndoshta, ka qenë kjo famë që shpesh i ka paraprirë qytetit." - thuhet në një faqe të Miniguidës. Ndaj, për ta njohur më mirë e më thellë këtë Qytet, lexoni 'MiniGuidën Shkodra'. Një Miniguidë interesante, e konceptuar, strukturuar po aq, si dhe me një vizion vlerash që e meriton ky qytet. Dhe unë besoj, tek ju të dashur fëmijë, e pse jo edhe te të rriturit, te gjyshërit e gjyshet... etj.; që gjatë rrëfimit dhe bashkëbisedimit do ta plotësoni më tej MiniGuidën, këtë pasaportë me vlera historike dhe turistike. Duhet ta njihni domosdoshmërish këtë MiniGuidë të bukur në njohjen e qyteteve dhe konkretisht siç ishte Shkodra, kësaj radhe. Kjo PASAPORTË" e re e munguar më parë, vjen falë mençurisë e diturisë së Sh. B. ALBAS. Nderim!

Lexim të këndshëm! Besoj që nuk do ta lëshoni nga dora: MiniGuidën Shkodra!


Shkodër, janar, 2025 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

72 Lexime
3 orë më parë