Aktivitet

Aktiviteti “Sofra bujare shqiptare” realizuar nga mësimdhënësi Bahridin Qerimi

Bahridin Qerimi, mësimdhënës në shkollën fillore të mesme të ulët “Naim Frashëri” në Podujevë, së bashku me nxënësit e tij të klasës II ka realizuar një sofër tradicionale shqiptare në klasë.

Mësuesi Bahridin Qerimi, i cili punon në shkollën “Naim Frashëri” në Podujevë ka treguar për Portalin shkollor se sivjet ka vendosur të punojë me tekstet shkollore ALBAS, me nxënësit e klasës së dytë. 


“Këto tekste po na ofrojnë përmbajtje cilësore, logjike, të kapshme për moshën e nxënësve dhe po na mundësojnë të bëjmë korelacion të mirë ndërlëndor”, është shprehur mësimdhënësi Qerimi. 


Ai ka përshkruar njërin nga aktivitet e shumta që bën me nxënësit, i cili titullohet: SOFRA BUJARE SHQIPTARE. 


“Javën që shkoi si temë të planit javor e kishim ‘Ushqimet e shëndetshme dhe tradicionale, kultura dhe veshjet kombëtare’. Për këtë temë vendosa të realizoj një korelacion të mirë ndërlëndor në lëndët: Gjuhë shqipe (frutat e vjeshtës), Shkathtësi për jetë (Profesionet - kuzhinieri), Njeriu dhe natyra (Ne dëshirojmë të ushqehemi shëndetshëm dhe ruajtja e ushqimit), Edukatë fizike, sporti dhe shëndeti (Jeto shëndetshëm - ushqimi i shëndetshëm, higjiena para dhe pas ushqimit, vlerat e frutave), Shoqëria dhe mjedisi (Sporti dhe shëndeti) dhe Edukatë figurative (Vizatim: Ushqimet e shëndetshme).

        

Pas përfundimit të këtyre njësive mësimore, në lëndën Shkathtësi për jetë, sipas udhëzimeve nga libri, nxënësit e kishin për detyrë që së bashku me prindër ta përgatisin një ushqim në shtëpi dhe më pas në klasë të tregojnë përbërësit e atij ushqimi dhe mënyrën e përgatitjes-gatimit.”


Mësuesi Qerimi shton se pasi ka bashkëbiseduar me kryesinë e prindërve, janë pajtuar që nxënësit të sjellin në klasë ushqime tradicionale të përgatitura në shtëpi. Këtë aktivitet ata kanë vendosur ta quajnë “Sofra bujare shqiptare”. 


“Ndër aktivitetet e prezantuara para prindërve dhe stafit të shkollës ishin: Prezantimi nga nxënësit për njohuritë e fituara, një instrumental me fyell dhe çifteli, improvizimi i shtrimit të sofrës tradicionale dhe në fund prezantimi nga nxënësit i mënyrës së gatimit të ushqimeve tradicionale.’’


Aktiviteti “Sofra bujare shqiptare” është vetëm një nga idetë që mund të realizohet kaq bukur duke përdorur tekstet ALBAS. 




Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën

 

©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

 

3,468 Lexime
3 vjet më parë