Kohë produktive në internet

“Klubi i fëmijëve”, revista e parë online falas për të vegjlit tanë

A mund t’ia heqim nga duart tabletin ose telefonin fëmijëve? Thuajse e pamundur! A mund t’i kanalizojmë drejt kohës produktive në internet? Kjo është e mundur. Prindër dhe mësues, ne sot ju sugjerojmë revistën më të re online “Klubi i fëmijëve”. Për më tepër ndiqni intervistën e mëposhtme.

Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm se qëndrimi i tepërt në internet ka pasoja të rrezikshme sidomos për fëmijët, është thuajse e pamundur që ata të mos e kapin fare tabletin apo telefonin. Por një zgjidhje është koha produktive që ata mund të kalojnë në internet. Një qasje interesante është revista e sapo publikuar online “Klubi i fëmijëve”. Por çfarë do të përmbajë kjo revistë? Për më tepër në kemi zhvilluar një intervistë me drejtuesen e saj, Marsida Simo. 




Zj.Marsida, ju sapo keni publikuar online numrin e parë të revistës për fëmijë të titulluar “Klubi i fëmijëve” (klikoni këtu për ta parë). Donim të dinim diçka më tepër se çfarë do të ndodh në këtë “klub virtual” i cili me sa duket i shkon përshtat kohëve që po jetojmë. Si nisi dhe si do të jetë vijimi i kësaj reviste?


Ideja e revistës lindi pas disa fushatash që kam realizuar me një kolegen time psikologe për përdorimin e tepruar të internetit tek fëmijët. Kemi bërë anketa dhe trajnime falas për prindërit për t’i ndërgjegjësuar në lidhje me pasojat e rrezikshme që sjell përdorimi i tepërt i teknologjisë.

Ndaj ne duhet të mendonim edhe disa zgjidhje për këtë problem. Pas kësaj mendova të krijoj një revistë ku do të promovoja lojëra, aktivitete, veprimtari që fëmijët duhet të bëjnë, por ama që t’i përkasin botës së tyre. Nëse fëmijët shohin bashkëmoshatarët në këto faqe të revistës edhe ata do të nxiten t’i bëjnë dhe të sjellin produkte të mira që ndihmojnë në zhvillimin e tyre psiko-social. Sepse sheh shumë fëmijë që kanë faqe në Instagram apo Facebook ku pozojnë dhe tregojnë veten sikur të jenë të rritur, larg botës së tyre të bukur dhe argëtuese.

Çfarë do të përmbajë konkretisht revista “Klubi i fëmijëve”?

Revista është e ndarë në disa rubrika. Si fillim nis me disa këshilla apo rekomandime për metoda të caktuara në lidhje me edukimin, komunikimin, zhvillimin e fëmijës etj. Më tej është rubrika e gatimit ku vetë fëmijët përfshihen në gatim dhe tregojnë recetën që kanë përdorur, kjo si nxitje drejt të ushqyerit shëndetshëm. Po ashtu në revistë gjenden edhe tregime që përmbajnë mesazhe edukuese, apo poezi të krijuara nga vetë fëmijët. Në këtë numër të revistës, Emi një vajzë 8 vjeç kishte krijuar një vjershë për flamurin. Në rubrikën e pikturës, me prioritet kam parë edhe shpjegimin e rëndësisë që ka vizatimi, por edhe si mund të përdoret skica si metodë psikologjike, nëse në atë faqe është publikuar një vizatim nga një fëmijë. Për prindërit ka dhe materiale informuese, dhe reflektuese për etapa të caktuara të zhvillimit të fëmijës. Kurse në fund të revistës, janë vendosur fletë pune të cilat mund të plotësohen nga fëmijët ose që mund të shërbejnë si ide që mund të merren nga prindërit dhe mund ta përshtatin sipas moshës së fëmijës.

Pra ju po thoni se këtu prindërit do të mund të gjejnë këshilla përsa i përket prindërit në tërësi dhe zhvillimit të fëmijëve të tyre?


Po sepse është një revistë që prindi e shfleton me fëmijën dhe të dy mësojnë dhe argëtohen duke kaluar një kohë efektive. Pas leximit, fëmijët mund të vendosin në praktikë disa udhëzime apo veprimtari dhe pse jo të jenë ata në një nga faqet e revistës javën e ardhshme. Mendoj se nxit konkurrencën e mirë. Edhe prindërit do ndihen më të orientuar ndaj mënyrës se si mund ta organizojnë ditën, javën apo ndonjë ditë specifike.



Pse zgjodhët ta publikoni vetëm online? Cili është qëllimi dhe çfarë kërkoni ju të arrini me këtë, pasi informacionet në internet janë të pafundme dhe falas gjithashtu...?


Duke qenë se sipas të dhënave nga studime të ndryshme, por edhe të mia personale, tregojnë se numri i orëve që fëmijët kalojnë përpara ekranit është i lartë, atëherë përveç reduktimit të këtyre orëve që është parësore, të paktën ato momente që janë me tablet në dorë ta kalojnë në mënyrë produkive. E drejtë që interneti ka shumë informacione, por nuk janë të përqendruara apo të filtruara sipas njohurive të profesionistëve të fushave përkatëse. Në revistë jam mundur që edhe ato materiale që do publikohen të jenë të dobishme, por edhe të bazuara nga studimet e mia apo të psikologëve. Dhe me shumë kënaqësi e shpreh se më kanë shkruar shumë psikologe që duan të punojnë vullnetarisht për revistën në muajt e ardhshëm.



Sa herë do të publikohet kjo revistë? Kush mund të bëhet pjesë e saj, si dhe për cilat mosha është?


Mendohet që revista të publikohet online një herë në muaj, zakonisht në fillim të muajit. Ka volum materialesh dhe kërkon kujdes ndaj do dhe kohën e saj. Mund të bëhen pjesë të gjithë fëmijët pa përjashtim nga mosha 3 vjeç deri 10, por dhe kjo jo e ndarë me thikë sepse në numrin e parë kemi Jaseminën një vogëlushe 22-muajshe që pikturonte.



Kujt ja dedikoni publikimin e kësaj reviste?


Këtë revistë ja dedikoj çdo fëmije, këtyre qenieve që na e bëjnë jetën e bukur dhe ne si prindër, apo edhe shumë të tjerë si edukatorë, mësues, apo si aktorë me role të ndryshme në jetën e tyre, kemi një detyre tepër të rëndësishme për t`ja bërë jetën më të mirë që dhe ata mos të jenë thjesht riprodhimi ynë por më të mirë sesa ne. Dhe në veçanti ia dedikoj djalit tim Margen, dashurisë të pa kufijshme.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

22,095 Lexime
3 vjet më parë