"7 Alfabetet e Gjuhës Shqipe" nga Ndrek Gjini

“Alfabeti i gjuhës shqipe është një variant i alfabetit latin. Akti më i hershëm i njohur deri më tani i shkrimit shqip vjen nga një dokument i kishës katolike franceze të vitit 1332. Që nga atëherë janë zbuluar shtatë alfabete origjinale të gjuhës shqipe”- Artikull nga Ndrek Gjini.

Nga Ndrek Gjini, MA University of Galway, Ireland


Alfabeti i gjuhës shqipe është një variant i alfabetit latin. Akti më i hershëm i njohur deri më tani i shkrimit shqip vjen nga një dokument i kishës katolike franceze të vitit 1332. Ky dokument është shkruar ose nga kryepeshkopi Guillaume Adam ose murgu Brocardus Monacus. Në këtë dokument thuhet:

“Megjithëse shqiptarët kanë gjuhën e tyre që është një gjuhë krejtësisht e ndryshme nga latinishtja, ata kanë një alfabet të tyrin ku përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre.”


Ky dokument provon se shqiptarët e shkruanin gjuhën shqipe që para vitit 1332. Pra, jo domosdoshmërisht ata përdornin vetëm shkrimin latin.


Gjeografi franko-danez Conrad Malte-Brun në studimet e tij është marrë seriozisht me krijimin dhe zhvillimin e një alfabeti shqip në shekullin e 18-të. Në librin e tij rreth “Gjeografisë Universale” të botuar në 1826, Malte-Brun përmend një “Alfabet Kishtar të Gjuhës Shqipe”, i cili përbëhej nga tridhjetë shkronja. Pas tij, Johann Georg von Hahn, Leopold Geitler, Gjergj Pekmezi dhe të tjerë vazhduan studimet e tyre mbi alfabetet e gjuhës shqipe. Që atëherë janë zbuluar shtatë alfabete origjinale të gjuhës shqipe.


Alfabeti i Elbasanit i shekullit 18-të u përdor për të shkruar dorëshkrimin e Ungjillit të Elbasanit. Ky alfabet mendohet se u krijua nga Gregori i Durrësit. Sipas Robert Elsie, “Alfabeti i Dorëshkrimit të Ungjillit të Elbasanit” i përshtatet mjaft mirë gjuhës shqipe. Në të vërtetë, mund të konsiderohet më i përshtatshëm se alfabeti i sotëm i shqipes. Në tërësi, sistemi i shkrimit i përdorur në dorëshkrimin e Ungjillit të Elbasanit është i qartë, relativisht i saktë dhe duket se është i menduar mirë nga shpikësi i tij.


Një alfabet më vete mund të konsiderohen edhe fjalët e padeshifruara nga Dorëshkrimi i Ungjillit të Elbasanit. Në faqen e parë të vetë dorëshkrimit të Ungjillit të Elbasanit është një vizatim dhe rreth 12 fjalë, ndoshta emra personal, të shkruara në një shkrim që ndryshon krejtësisht nga ai i pjesës tjetër të dorëshkrimit. Ky sistem shkrimi ende nuk është deshifruar, megjithëse studiuesi elbasanas Dhimitër Shuteriqi ka bërë përpjekje për ta deshifruar.


Alfabeti i Todhrit i shekullit 18-të. Ky alfabet i atribuohet Theodhor Haxhifilipit dhe u zbulua nga Johann Georg von Hahn (1811–1869), konsulli austriak në Janinë. Hahn konsiderohet si babai i studimeve gjuhësore shqiptare. Ai në librin e tij monumental “Albanesische Studien” (1854) e konsideronte alfabetin e Todhrit si alfabetin ‘origjinal’ të shqipes. Ai në këtë libër thotë se përmes këtij alfabeti zbuloi në gjuhën shqipe një derivat të shkrimit të lashtë fenikas. Studime të thelluara rreth këtij alfabeti kanë bërë më pas Leopold Geitler (1847–1885) i cili e konsideroi alfabetin e Todhrit si të ardhur kryesisht nga shkronjat kursive romake, tezë të cilën e ka mbrojtur edhe studiuesi slloven Rajko Nahtigal (1877–1958).


Alfabeti i Todhrit është një sistem i ndërlikuar shkrimi prej pesëdhjetë e dy karakteresh, i cili është përdorur në mënyrë sporadike për komunikim me shkrim brenda dhe rreth Elbasanit që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë. Ai nuk përputhet sa duhet me gjuhën shqipe, madje jo aq mirë sa alfabeti i dorëshkrimit të Ungjillit të Elbasanit, me të cilin nuk ka asnjë lidhje.


Një tjetër alfabet origjinal i shqipes gjendet në Kodikun e Beratit, (të mos ngatërrohet me Codex Beratinus I dhe II). Ky dorëshkrim prej 154 faqesh, që tani ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në Tiranë, është në fakt një dorëshkrim i thjeshtë letre dhe nuk duhet të konsiderohet si një ‘kodik’ i ndriçuar me pergamenë si ato të traditës perëndimore. Duket se ka qenë vepër e të paktën dy autorëve dhe është shkruar midis viteve 1764 dhe 1798. Dorëshkrimi i atribuohet Konstandinit të Beratit (1745 –1825), i njohur në shqip si Kostandin Berati, apo dhe si Kostë Berati. Ai mendohet se ka qenë një murg dhe shkrimtar ortodoks nga Berati. Konstandini i Beratit thuhet se e ka poseduar dorëshkrimin nga viti 1764 deri në vitin 1822. Por nuk ka të dhëna nëse ai ishte autori i tij.


Kodiku i Beratit përmban tekste që janë të ndryshme në greqisht dhe të ndryshme në shqip. Këto janë shkrime liturgjike biblike dhe ortodokse në shqip, por të shkruara me alfabetin grek. Të gjitha janë pa dyshim të përkthyera nga greqishtja ose të ndikuara fort nga modelet gjuhësore greke. Aty gjenden një poemë shqipe me dyzet e katër vargje me tekstin përkatës greqisht të njohur si “Zonja Shën Mëri përpara kryqit”; dy fjalorë greqisht-shqip me gjithsej 1710 fjalë; shënime të ndryshme fetare; dhe një kronikë e ngjarjeve midis 1764 dhe 1789 e shkruar në greqisht. Në faqen 104 të këtij kodiku, janë dy rreshta shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 shkronjash. Në faqen 106, autori jep edhe një pasqyrë të sistemit të shkrimit apo si të thuash të alfabetit që ai thotë se e ka krijuar.


Alfabeti i Veso Beut. Ky është një tjetër alfabet origjinal i gjuhës shqipe i krijuar nga Veso Beu, i cili ishte një nga krerët më të shquar të Gjirokastrës, nga familja e Alizot Pashës. Veso Beu thotë se e mësoi këtë që në rininë e tij nga një hoxhë shqiptar si shkrim sekret të trashëguar nga familja e tij dhe të përdorur prej saj për korrespondencë me të afërmit e tyre.


Alfabeti i Vellaras-it. Ky alfabet përdorej në Shqipërinë e Jugut. Ai e kishte marrë emrin nga mjeku, tekstshkruesi dhe shkrimtari grek Ioannis Vilaras (Shqip: Jan Vellara). Djali i mjekut Vilaras studioi mjekësi në Padova në 1789 dhe më vonë jetoi në Venecia. Më 1801 u bë mjek i Veliut, djalit të të famshmit Ali Pashë Tepelena (1741–1822). Vilaras mbahet mend kryesisht si një poet modern grek dhe duket se nuk ka qenë fare shqipfolës. Ai është autor i tetëdhjetë e gjashtë faqeve me shënime gramatikore dy-gjuhëshe të vitit 1801, të cilat pa dyshim u krijuan për t’u mësuar gjuhën shqipe greqishtfolësve të tjerë. Shqipja në fjalë është një dialekt toskë i shkruar me një alfabet origjinal prej tridhjetë shkronjash bazuar në latinisht dhe në një masë më të vogël në greqisht.


Dorëshkrimi i veprës iu dhurua Bibliothèque Nationale në Paris (shtojca grec 251, f. 138–187) në 1819 nga François Pouqueville (1770–1839), konsull francez në Janinë gjatë mbretërimit të Ali Pashë Tepelenës. Pouqueville ishte i vetëdijshëm për vlerën e veprës, por zgjodhi të mos e botonte në rrëfimet e tij të udhëtimit. Shënimeve gramatikore u bashkëngjitet edhe një letër e datës 30 tetor 1801, e shkruar në shqip me dorëshkrim të Vellarës nga fshati Vokopolë, në jug të Beratit, ku mjeku kishte qenë i detyruar të ndiqte Veliun e tij gjatë fushatës ushtarake të këtij të fundit kundër Ibrahimit të Beratit. Pjesë e dorëshkrimit janë edhe disa fjalë të urta, si në greqishten e sotme ashtu edhe në gjuhën shqipe.


Alfabeti i Vithkuqit (1844). Nga viti 1824 deri në 1844, Naum Veqilharxhi zhvilloi dhe promovoi një alfabet me 33 shkronja të cilin e kishte shtypur në një libër drejtshkrimor shqip me tetë faqe. Ky libër i vogël drejtshkrimor u shpërnda në të gjithë Shqipërinë e Jugut, nga Korça në Berat, dhe u prit me shumë entuziazëm. Në vitin pasardhës, 1845, broshura u shtua në dyzet e tetë faqe të tjera në një botim të dytë tashmë po aq të rrallë, të titulluar “Faré e Re – Abétor Shqip per Djélm Nismetore” (Një libër i ri drejtshkrimor shqip për nxënësit e shkollave fillore).


Megjithatë, fama e këtij alfabeti origjinal, që ngjan në shikim të parë me një lloj Armenishtje me shkronja latine, në fakt ishte shumë e kufizuar, pjesërisht për shkak të vdekjes së parakohshme të autorit një vit më vonë dhe pjesërisht pa dyshim për shkaqe financiare dhe teknike. Si i tillë, ky alfabet i Veqilharxhit, ndonëse i hartuar në mënyrë shumë të mirë fonetike, nuk mundi t’i rezistonte kohës.


Duhet theksuar se gjuha shqipe ka pasur shumë versione të vjetra të alfabetit të saj në latinisht, greqisht dhe mjaft gjuhë të tjera të vendeve të botës lindore. Por të gjitha këto versione alfabetesh nuk mundën t’i mbijetonin kohës.

Përpjekjet për krijime alfabetesh të gjuhës shqipe vazhduan deri në Kongresin e Manastirit të mbajtur në qytetin e Manastirit nga 14 deri më 22 nëntor 1908, ku u bë Standardizimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Kështu pra, në ditët e sotme, 22 Nëntori është një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Diasporën Shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit.


Përpara Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe përfaqësohej nga një kombinim i shtatë ose më shumë alfabeteve të ndryshme, plus një numër nënvariantesh të tyre.




Marrë nga Gazeta Diaspora Shqiptare 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

681 Lexime
4 muaj më parë