115 vjet nga Kongresi i Elbasanit, aty ku u hodhën bazat e arsimit kombëtar për dije
Shënohen 115 vjet nga Kongresi i Elbasanit. Ky kongres mbetet simbol i përpjekjeve të shqiptarëve për edukim dhe zhvillim kulturor,duke theksuar rëndësinë e arsimit dhe identitetit kombëtar. Kujtimi i këtij kongresi na rikujton se sa shumë është bërë për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Në 2 shtator 1909 nisi Kongresi Kombëtar i Elbasanit, një mbledhje mbarëshqiptare, që mori vendime të rëndësishme për përhapjen e shkollave shqipe dhe të shkrimit shqip. Dhe pikërisht kwtw vit, nw 2024, mbushen plot 115 vjet nga Kongresi i Elbasanit.
Atdhetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse me në krye Lef Nosin morën pjesë në këtë kongres dhe punuan për të krijuar bazat e arsimit Shqip duke e bërë Elbasanin vendin që do të shkollonte breza të tërë mësuesish të përkushtuar dhe do ta kthente në djep të dijes dhe kulturës.
Kongresi i Elbasanit (apo Kongresi i Shkollave Shqipe) u mbajt nga 2 deri 10 shtator të vitit 1909 në qytetin e Elbasanit, në godinën historike të shkollës së Kalasë. Kongresi ka rëndësi historike për vendimet që mori në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe zëvendësimin e tyre me shkolla shqipe, zgjedhjen e dialektit t Elbasanit si gjuhë kombëtare, si dhe themelimin e Shkollës Normale të Elbasanit, e cila u hap vetëm tri muaj më vonë, në dhjetor 1909. Kongresi gjithashtu trajtoi probleme të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Organizatori kryesor i Kongresit ishte patrioti i shquar Lef Nosi. Klubet e ndryshme patriotike autorizuan delegatë që të përfaqësonin këto klube. Gjithsej kishte 35 delegatëve nga të gjitha vendet e Shqipërisë, të përfshirë në 8 klube e shoqata, të shpërndara në 28 qendra të banuara. Midhat Frashëri përfaqësonte 6 klube, dhe ishte delegati me peshën më të madhe, ndërsa Osman Joraja përfaqësonte 4 klube.
Klubi i Manastirit u përfaqësua nga Gjergj Qiriazi dhe motra e tij, Sevasti Qiriazi, nga Ohri u delegua Hamdi dhe Abdullah beu, ndërsa nga Struga Abdullah Rushit Ahmeti.
Në Kongres nuk morën pjesë delegatë nga Shkodra, por ata e kishin njoftuar organizatorin se do t’i pranojë të gjitha vendimet e këtij kongresi.
Kongresi përfshiu atdhetarë dhe mësues nga më të njohurit e lëvizjes kombëtare, si dom Nikoll Kaçorri, Jahja Ballhysa, Dervish bej Biçaku, Gligor Cilka, Simon Shuteriqi, Josif Haxhi Mima, Qemal Karahasani, Orhan Pojani, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Dhimitar Buda, Emin Haxhiademi, Abdullah Koprënaçka, Kristo Dako, Qamil Haxhifeza, Mihal Sava, Andrea Konomi, Selaman Blloshmi, Idhomenë Kosturi, Kahreman Vrioni etj.
Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu u punua për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë në të u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si model të shqipes së shkruar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut.
Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, në vjeshtën e 1909-ës, një shkollë e mesme pedagogjike (Normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.
Mësuesit e parë të normales do të pushtonin të gjitha trojet shqiptare, që nga zonat e thella malore, Kosova, Çamëria apo në çdo cep ku duhej përhapur gjuha amtare, pa të cilën një komb është i destinuar të zhduket. Drejtor i Shkollës Normale u zgjodh Luigj Gurakuqi.
Normalja e Elbasanit mban titullin e lartë “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës.
Ky përvjetor është një moment i rëndësishëm për të kujtuar dhe vlerësuar kontributin e Kongresit në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sot, ditëlindja e Bajram Karabollit, mjeshtrit që risolli “Don Kishotin” në shqip
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
“Litar të kambanës” nga Myrto Hysaj