Reflektim

Zgjimi i një agimi të ri

Të gjithë ne mendojmë dhe kemi shpresën e një agimi të ri, e një mëngjesi pa preokupime se ku do të shkojë sot dhe si do të veprojë. E një dite që nuk më duhet të mendojë se sa njerëz janë pranë meje, sa i mbyllur është ambienti dhe a është maska e duhur kjo që kam vënë?

Njeriu ka aftësi me shumë vlerë për jetën: Ndër të tjera, njëra prej tyre është të shpresojë!


Mendoj se vuajtja më e dhimbshme për njeriun është kur nuk e shikon dhe përdor këtë aftësi. Ajo është gjithmonë aty, është dhuratë. Kushti i vetëm është të jesh i/e vertetë në rritjen, zhvillimin e kësaj aftësie brenda nesh. Vetëm atëherë njeriu mund të shpresoj atë që e gjykon si mundësi në ekzistencë. Pra, njeriu paska nevojë të besojë se ajo që shpreson, mund të ekzistojë, ose më mirë, ekziston. 


Qëllimi nuk është të futëm në filozofi, por ky vit ka nxitur tek unë shumë reflektim dhe një pjesë të tij dua ta ndaj me ju. Kam ndjesinë se një pjesë të reflektimit e gjejë edhe te ju. Kjo hyrje mbi aftësinë për të shpresuar i përket asaj se çfarë do të sjellë e nesërmja e këtij viti që po vjen dhe e nesërmja e një pandemie. 


Fryma e frikës apo e ankthit erdhi që në ditët e para, ndërsa prisnim se cilët do të ishin të infektuarit e parë. Aftësia jonë doli në skenë, duke shpresuar se ndoshta Shqiperia nuk do mund të prekej prej këtij virusi. Ne donim të ishim unik, të paprekshëm. Qeshëm, u tallëm krenar duke menduar verbërisht nga shpresa e marrë se ne do të ishim jashtë listës së vendeve të prekura, por shumë shpejt mori emrin pandemi dhe ne ishim pjesë e saj. Disa prej nesh patën ndjesinë sikur ishin pjesë e atyre filmave me trillime virusesh vdekjeprurëse që pa mëshirë kapnin njerëz të pafajshëm dhe se nuk mund të kontrollohej nga askush. Vëtëm se nëpër filma, nuk mungon asnjëherë heroi mëndjendritur që gjente rrugën për te antidoti apo vaksina. Ndërsa dëgjonim lajmet në vëndin fqinj Italinë, kuptonim se heroi ishte shumë i vonuar. Nuk mund të kishte dhimbje më të madhe sesa të dëgjoje se me mijëra njerëz humbnin jetën çdo ditë. Ai që e shtypte akoma më shumë shpresën për të parë qetësisht situatën, ishte agresiviteti mediatik. Të pamëshirshëm ndaj njerëzimit, vetëm me egoizmin dhe grukësinë për të dhënë lajmin, nuk kursyen asnjë qënie humane ta lëndonin psikologjikisht dhe emocionalisht duke treguar tmerrin e situatës. Ca nga padija dhe ca nga ambicia, e sillnin virusin dhe “bëmat” e tij, sikur të ishte filmi serial i vitit, vetëm se regjisorët e medias nuk e menduan ose e neglizhuan rendesinë e faktit se çfarë dëmesh do të sillnte kjo sjellje mediatike. Kjo sjellje, vrau shpresën, e ndrydhi, e përbuzi madje, e quajti naive dhe të tepërt për një kohë si kjo ku vdekja mbizotëronte. E bashkojë shpresën me vdekjen, pa menduar në asnjë rast se vdekja, edhe pse është e sigurtë për të gjithë ne, nuk është aq ambicioze sa të shuaj një botë të tërë. Më ambicioze ishin mediat; më ambiciozë paskërkishim qenë vet ne, që menduam se mënyra më e mirë për të mësuar mbi virusin, për t’u ndërgjegjësuar se ai mund të bëjë vërtet dëm, është nëpërmjet frikës.

 

Unë vendosa të shikoj një anë tjetër të kësaj përvoje. Vendosa të shikoj shifrat që flisnin se sa njerëz ishin shëruar. Edhe sot, mundohet të përfytyrojë dhe kuptojë gjendjen shpirtërore dhe psikologjike të të gjithë atyre që i përjetojnë këto momente. Dhe ata nuk janë të pakët. Janë shumë herë më shumë se ata që nuk ia dalin të mbijetojnë. Mundohem të kuptoj se si merrë vlerë jeta në sytë e atyre që i afrohen kaq pranë kufirit të vdekjes, por arrijnë t’ia dalin. Mundohem të kuptojë se cila është ajo forcë e madhe që e mban njeriun kaq fort, ndoshta edhe për ata që nuk ia dalin dot. E vetmja fjalë që më vjen ndërmend është shpresa. Të gjithë ne mendojmë se një fillim do të duhet ta ketë edhe një fund, edhe sikur të zgjasë në kohë, fundit do të duhet të vij. Të gjithë ne mendojmë dhe kemi shpresën e një agimi të ri, e një mëngjesi pa preokupime se ku do të shkojë sot dhe si do të veprojë. E një dite që nuk më duhet të mendojë se sa njerëz janë pranë meje, sa i mbyllur është ambienti dhe a është maska e duhur kjo që kam vënë? 


Po shpresojmë për një ditë, kur rrokja e tjetrit me mall, puthjet e çlirta të të afërmve, hedhja e dorës në sup, ngushëllimi në një moment dobësie të një miku me një përqafim të ngrohtë do të jenë sërish pjesë e jona. 


Personalisht më mungon shumë jeta afektive, dinamika sociale. Më rehaton shpresa se një ditë do të mblidhemi sërish bashkë, dhe do të qajmë dhe do të qeshim kur e gjithë kjo të ketë një fund. Kur spitalet dhe shtëpitë tona që u kthyen hera herës si miniqëndra spitalesh, do të bien në qetësi. Kur mjekët do të vazhdojnë të punojnë, jo më me emergjencën e një mbijetese, dhe më drojen e humbjes së një jete; apo me mendimin nëse kanë bërë aq sa duhet apo jo. Do të vijë ajo ditë kur ata do të kuptojnë sesa shumë kanë mësuar nga e gjithë kjo, dhe fundi që do shohin nuk do jetë që tjeter vetëm një kohë sa një frymëmarrje, dhe shumë shpejt do t’i kthehen punës së tyre të përditshme. Pyes veten, a do kujdesemi t’i quajmë serish heronj? Uroj që po. Vetëm duke u kujtuar, pra duke mos harruar, do të mund t’i shërbejmë më mirë vetes dhe kesaj shoqërie. Do të rritemi më shumë dhe do të kemi fituar pjekurinë e një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe më të përgjegjshme. 


Mandej, do të zgjohem herët në mëngjes, natyra e zgjon vet agimin dhe bashkë me të shpresën se sot është një ditë me e mirë se dje. Do të ulem në gjunjë, dhe do të falenderoj Zotin për jetën dhe për gjithësecilin prej jush. Kjo është shpresa ime… ambicia ime, që duket se është më e madhe se ajo e vdekjes, edhe pse dhimbja e humbjes së njerëzve të dashur është ende aty, dhe lëndon, lëndon shumë. 


Këto Krishtlindje nuk janë si të tjerat, por shpresa është më e sinqertë dhe klishetë janë më të pakta. Sot më shumë e asnjëherë jemi më pranë Zotit. Jemi të mbledhur me shpresën se njeriu do t’ia dalë sërish ta trashëgojë këtë tokë dhe se aty ku forca jonë mbaron, një forcë tjetër më e madhe se ne do të veprojë.


Mbas këtij reflektimi, nuk më mbetet gje tjetër veçse t’ju uroj, pa asnjë klishe, Krishtlindje të bardha! 


Nga Drnt. Denata Toçe

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,925 Lexime
3 vjet më parë