Si të rrisim fëmijë altruist
Sot është koha t’i mësojmë fëmijëve të jenë të përgjegjshëm për shoqërinë. T’i angazhojmë ata në ndodhitë e këndshme dhe ato të pakëndshme që jeta ka. T’i mësojmë se si të ndërtojnë strehën e familjes në nevojë me duart e tyre...
Një familje në periferi të Tiranës, jeton në katër muret e një shtëpie, ku muret nuk janë mure por mbulesë alumini, dhe ku shtëpia nuk është shtëpi, por një kasolle e vogël, por dashamirëse për të strehuar katër fëmijë të mitur. Nuk ka dhoma për të ndarë, nuk ka lodra për të luajtur, nuk ka dritare për të futur dritën e diellit, nuk ka tavolinë për të ftuar miq, e megjithatë, kjo familje prej vitesh jeton këtu. Prindërit çdo ditë çohen në mëngjes, dhe sigurojnë jetesën e tyre duke mbledhur materiale të riciklueshme, thjesht për mbijetuar, thjesht për ushqim. Po po, të paktën ushqim për katër fëmijët tyre...Ky është një realitet shumë pranë dyerve të shtëpive tona, por jo të gjithë sytë arrijnë ta shikojnë. Sytë dhe zemra e Elias, vajzës 11-vjeçare, ndaluan pranë kësaj historie, dhe pa humbur kohë, se kohë nuk ka, krijojë një video të thjeshtë dhe e publikojë në rrjetet sociale, për t’i bërë thirrje çdokujt që mund të ndajë sado pak nga jeta e tyre, dhe t’i bashkohet kësaj familje. Thirrja bëhet më e fortë, kur protagonist janë fëmijët, ata të cilët do të duhet të marrin pjesë dhe të ndihmojnë fëmijë të tjerë të cilët meritojnë të kenë një jetë më të mirë. Gjatë ditëve festive, disa dhurata erdhën në “shtëpinë” e familjes me katër fëmijë, por nuk janë asnjëherë mjaftueshëm për t’i dhuruar një jetë më të mirë. Ajo që të bënte përshtypje ishte gjesti human dhe përulës i vet fëmijëve të kësaj familje, të cilët nuk morën shumë kohë t’i gëzoheshin dhuratave që kishin marrë, por i ndanë ato edhe me të tjerë fëmijë aty pranë. Sepse ata e dinë se çfarë do të thotë të mos kesh, ata e dinë se çfarë do të thotë të mbijetosh, ata e kanë mësuar varfërinë materiale me kohë, dhe pasuria e vetme që kanë është ajo humane. Ne përballe tyre u ndjemë të vonuar në këtë gjest, sepse jeta na ka përkëdhelur me dhurata që na janë dhënë, dhe siç citon Elia me fjalë të thjeshta në video “jini mirënjohës dhe ndihmoni njëri-tjetrin.” Pra, falenderoni Zotin për atë që keni, dhe ndajeni me të tjerët, kështu bota ideale, por e mundur që buron në sytë e Elias dhe çdo fëmije me zemrën dhe botën e saj, të jetë më e mirë. Këtu gjeni link-un që ajo ka siguruar me moton: “Na ndihmoni të ndihmojmë!” ( https://www.facebook.com/NaNdihmoniTeNdihmojme )
Mund ta nisja këtë artikull me çdo histori që i ngjason kësaj si më sipër. Por zgjodha këtë histori pasi ishte më pranë me modelin e fëmijës që dua të sjell në këtë artikull.
Kur mendon fëmijët, ata që në moshë të hershme kanë një aftësi të lindur për të ndihmuar, për të qenë altruist me të gjithë qenien e tyre. Psikologu Michael Tomasello, në 2008, deklaroi në një prej leksioneve të tij të hapura mbi “origjinën e sjelljeve ndihmuese” në Universitetin e Harvard, se fëmijët që përpara se të ecin dhe të flasin për të qenë qenie kulturalisht sociale, janë natyralisht bashkëpunues dhe ndihmues në shumë dimensione, sigurisht jo në të gjitha. Ata nuk i përftojnë këto sjellje prej të rriturve, thjesht u vjen natyrshëm. Një prej shembujve mund të ishte një 2.5 vjeçar, kur shikon se vëllait të tij i ka rënë biberoni nga goja, shkon dhe e merr për t’ia dhënë sërish, ndoshta duke ia futur edhe në gojë. Kur mamit i bie krehri në tokë, fëmija e merr dhe ia zgjat dorën e vogël me krehrin në dorë të ëmës, pa e udhëzuar kush. Sigurisht që kjo predispozitë kaq e vlefshme për fëmijën dhe shoqërinë, me kalimin e viteve fillon të modifikohet. Kur fëmijët fillojnë të dallojnë të mirën nga e keqja, fillon të jetë edhe më selektiv me dhënien e ndihmës. Shumë prej sjelljeve të cilat mbartin vlera të caktuara në qenien njerëzore, fatkeqësisht shtrembërohen sipas kontekstit në të cilin gjendet fëmija. Një fëmijë i dhunuar, i abuzuar, i neglizhuar, është në risk për të qenë mosbesues ndaj një shoqërie më të mirë, që kërkon edhe ndihmën e tij për të ekzistuar dhe për t’u rritur në humanitet. Mbi çdo gjë tjetër, fëmija ka nevojë të besojë, të besojë se bota është një vend që e meritojnë të gjithë njerëzit dhe se çdokush ka nevojë për ndihmë për t’ia dalë, pasi qeniet sociale mbeten të këtilla derisa mbyllin sytë, dhe synimi i qenies njerëzore është “edhe pse i vetëm, të mos ndjehet i vetmuar.” Kjo moto e shoqëron njeriun përgjatë gjithë jetës, dhe individi e mëson këtë që në fëmijëri.
Fëmijët janë të mrekullueshëm në çiltërsinë për të dhënë ndihmë, për të shprehur afeksion, empati dhe dashuri. Prindërit dhe çdo aktor tjetër socializues është aty për t’i treguar modelin më të mirë të vetes në bashkëveprim me botën. Besimin më të denjë, më me vlerë të ekzistencës. Disa prej nesh zgjedhin besimin material dhe disa prej nesh zgjedhim atë shpirtëror. Ne do të duhet t’u mësojmë fëmijëve besimin që ka më shumë jetëgjatësi, edhe kur ne nuk do të jemi më në këtë tokë. Kështu fëmijët do të kenë një pushtet dijesh për të bërë zgjedhjet e duhura, pasi dijet më me vlerë rriten brenda shpirtit, dhe materiet janë një mjet për të arritur qëllimin. Nuk ka qenie njerëzore që ndahen “i miri – i keqi,” ka thjesht qenie njerëzore që kanë humbur rrugën dhe kanë nevojë për ndihmë. Nuk ka të varfër apo të pasur, ka thjesht njerëz të cilët përkohësisht jetojnë jetën në këtë tokë së bashku, por nëse do të takoheshin në një pikë, kjo do të bënte ndryshimin. Nëse çdo i rritur sot, me çiltërsinë dhe idealizmin që i karakterizon fëmijët, do të ishte model i denjë i një figure altruiste, jo vetëm që do të ishte një shembull i mirë për shoqërinë, por mbi të gjitha për familjen, fëmijët e tyre. Ne jemi portreti kyç për t’i treguar fëmijës se ndryshimet dhe dallimet midis fëmijëve janë iluzion perceptimesh, pasi të gjithë jemi njësoj në frymën e jetës që na është dhënë. Me gjymtyrë të pamundura, pa fjalë për të folur, pa veshë për të dëgjuar, me vështirësi për të shikuar, me lëkurë shumëngjyrëshe, me aftësi njohëse të limituar, me vështirësi për të jetuar, të gjithë bashkë përbëjmë spektrin e racës njerëzore. Bota po duket gjithnjë e më e shëmtuar, kur këto të gjitha nuk harmonizohen me njëra-tjetrën, sepse dikush prej nesh, është “më i mirë.”
Po si mund jemi shembull për fëmijët tanë?
1. Trego model mirësinë. Mirësia mund të jetë ngjitëse: kur ne shikojmë dikë që bën një vepër të mirë, ka shumë të ngjarë që të përjetojmë një impuls për të dhënë edhe ne një dorë në dhënien e ndihmës. Kështu do të veprojnë edhe fëmijët kur ta shikojnë këtë gjë tek ju. Zakonisht modeli buron nga prindërit me fëmijë të të njëjtit seks.
2. Ngarkojini fëmijët personalisht të jenë përgjegjës. Elia së bashku me një grup fëmijësh të tjerë, u angazhuan prej familjarëve të tyre që të ndërtonin me duart e tyre, objekte festive me materiale të riciklueshme, dhe t’i shisnin së bashku. Të ardhurat që u mblodhën shkuan për familjen në nevojë duke i siguruar atyre nevojat më emergjente të momentit.
3. Mos e shpërbleni materialisht sjelljen ndihmuese. Fëmijët të cilët shpërblehen për të ndihmuar, ka më pak gjasa të përfshihen në sjellje ndihmuese në të ardhmen, pasi sjellja e tyre është “korruptuar” me pazar interesash, dhe jo ndërtuar për të mësuar se si të ndihmojnë, pa interes material. Në vend të shërbimit material, lavdërojini fëmijët, vendosjani në pah sjelljet me vlerë që fëmija tashmë i inicion i vetëm, dhe kështu ka shumë gjasa të ndërtojmë empatizmin dhe altruizmin tek fëmija.
4. Jini pozitiv. Prindër të cilët shprehin ndjenja pozitive, jo me disiplinim shtrëngues, rrisin fëmijë që janë më të këndshëm, të afrueshëm dhe ndihmues ndaj të tjerëve.
5. Ekspozojini fëmijët ndaj vështirësive. Shpesh ne i mbrojmë fëmijët nga dhimbja, vuajtja, dhe duke bërë kështu, ne i strehojmë ata prej nevojës që kanë të tjerët. Harrojmë se dhembshuria është një emocion i fortë dhe shumë i rëndësishëm, i lidhur shumë ngushtë me lumturinë. Ne do të duhet t’i krijojmë fëmijëve mundësi për t’u ndjerë të dhembshur.
Sot është koha t’i mësojmë fëmijëve të jenë të përgjegjshëm për shoqërinë. T’i angazhojmë ata në ndodhitë e këndshme dhe ato të pakëndshme që jeta ka. T’i mësojmë se si të ndërtojnë strehën e familjes në nevojë me duart e tyre, si një ekip fitimtar, së bashku me fëmijë të tjerë, me një zemër vullnetare. Nuk ka fuqi më të madhe se shpirti i një vullnetari që rritet çdo ditë me këtë vlerë të pashoqë. T’i mësojmë fëmijëve se si të jenë mirënjohës për atë që kanë, duke i angazhuar se si të ndihmojnë fëmijët e tjerë në nevojë, duke i mësuar kështu se si të ndajnë, duke i shkëputur kështu prej egoizmit, individualizmit dhe indiferencës që po rrezikon të trashëgojë qenia njerëzore çdo ditë, nëpërmjet modeleve si këto më sipër.
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë
Prindërit gabojnë, fëmijët kërkojnë falje…
Siguria dhe shëndeti në çerdhe dhe në kopshte, nga Denata Toçe