Ndikimi i personazheve të filmave të animuar tek fëmijët
“... filma dhe karikatura për fëmijë në ditët e sotme bazohen në një element agresioni, i cili kundërshton atë që fëmijët mund të mësojnë në shkollë ose në shtëpi...
Sot, jemi prindër ose të rritur mjaftueshëm për të kuptuar se jeta nuk është si në përralla, por nuk mund të harrojmë emocionet dhe mbresat që na kanë lënë personazhet dhe historitë e tyre të ilustruara në filma vizatimor. Zor se i mbajmë mend ndjesitë dhe mendimet që kishim për këto personazhe, por ende ruajmë atë kujtimin e ngathët, të përtymur, por kaq të ëmbël dhe nostalgjik që është gdhendur në mendjen tonë. Nuk i harroj vrapimet që bëja nga shkolla ose nga oborri i lagjes për të ardhur sa më parë në shtëpi sa herë që vinte ora t’i shikoja dhe dëgjoja historitë e atyre pak filmave për fëmijë që televizioni shqiptar jepte. Flas këtu për epokën kur televizori ishte në shtëpitë tona, kur thuajse një pjesë e mirë e fëmijëve në familjet shqiptare, i gëzoheshin përrallave të ditës së dielë. Kohë më pas, erdhën për herë të parë në televizionin shqiptar përrallat gjermane me përkthim me zë të Nils Holgersson, përrallat gjithashtu gjermane të Tato Taos, përrallat franceze e delfinit të bardhë, përralla sllovene Robin, Rosie dhe xha-barka. Nuk i harroj asnjëherë krahët e patës së bardhë Martin, se si udhëtonte për aventurën e rradhës me patat e egra, së bashku me Nilsin çamarok të kthyer në një picirruk, por njëkohësisht trim, që nuk druhej nga asnjë gjë dhe ishte aq kreativ në zgjidhjet që i jepte problemeve që hasnin patat. Kjo lidhje kaq e bukur dhe e çiltër e njeriut me kafshët, me shpendët, të bënte të ëndërroje fluturimin që kaq të pamundur e ka njeriu. Aty mësova se si patat e egëra shtegtojnë dhe se si udhëtojnë së bashku duke krijuar një rreshtim simetrik dhe hierarkik kaq natyral. Pastaj vinte përralla Tao-Tao, arushi i bukur Panda, me ngjyrat bardhë e zi, që nuk e dija as që ekzistonte. Djali Tao-Tao, ishte kaq kurioz të mësonte prej gjërave që kishte natyra dhe jeta, sa nëna e tij nuk nguronte të sillte çdo herë një histori fantastike, e cila udhëtonte me mendjen tënde, si ato tingujt e butë, të gjumtë, që sjellin fjetjen e drekës. Kjo ishte përralla e preferuar pas shkolle. Diku mbasdite, vonë vinte Nilsi dhe në mëngjes herët, personazhet që nuk njohin kohë, Tomi dhe Jerry. Me pas televizionet italiane ishin me të aksesueshme dhe kështu hynë në lojë edhe dy përralla mëngjesi, Ana Flokekuqja dhe Haidi, vajza shpirt-lirë dhe gjithë jetë që jetonte në malet Zviceriane. Më vonë fëmijët filluan të shikojnë përralla me origjinë japoneze, që nuk i përkisnin aspak kulturës tonë, por dhe ku lufta, konfliktet dhe konfigurimet magjike mbizotëronin. Nuk ishin filmat më të mirë të mundshëm, por për fëmijët ishin të vetmet filma që mund të shikonin, pasi produksioni shqiptar dhe televizionet, duket se nuk kishin një strategji asokohe për t’u sjellë fëmijëve një program edukativ të dedikuar, apo filma që i përshtateshin nevojave të fëmijëve.
Qëllimi i këtij artikulli nuk janë filmat vizatimor në vetvete, por personazhet e tyre. Ata bëhen si heronj në formimin, identitetin tonë. Nëpër sjelljet tona lexohen gjurmë sesi këto personazhe i jetojnë dhe i zgjidhin ngjarjen. Fundja përrallat për këtë janë. Shfaqja e imazherisë dhe performancës në tërësi të filmave të animuara ka ndryshuar vit pas viti, dekadë pas dekade. Produksionet e filmave të animuar punojnë fort që prodhimet e tyre të jenë të pëlqyeshme për fëmijët, por mbi të gjitha kjo të jetë e përkthyeshme ekonomikisht. Kështu ndërtohen personazhe nga më të ndryshmit duke mbërthyer gjithnjë e më tepër interesin e fëmijëve, djem dhe vajza, me heronj dhe princesha, duke kanalizuar stereotipet sociale dhe duke i dhënë tregut mundësinë të sjellë në derën e shtëpisë jo vetëm filmin, por edhe plastikën prej lodrash. Kështu fëmijët duan të gjithë llojet e barbies: Barbie princeshë, mis, doktoreshë, infermiere, këngëtare, stjuardesë,etj. Pastaj kemi Frozen, një nga personazhet më të dashura të vajzave të cilën e duam me të gjitha veshjet e mundshme dhe më aksesorë të çmontueshëm që fëmijët të bëjnë sa më shumë figurime në lojën e tyre imagjinare. Edhe pse një 3 apo 4-vjeçare është ende e vogël për të parë filmin në fjalë, ajo me siguri që e ka një kukull të këtillë. Ndërsa për djemtë nuk mund të mungojë arsenali i spiderman-it apo dhe minionët verdhacuk. Hulku madhështor, përbindëshi i pamposhtur apo makina fluturake macëinit. Kështu kjo botë komerciale nuk ndalet asnjëherë. Ajo që të bie në sy janë datëlindjet apo festat e tjera të fëmijëve. Sërisht këto personazhe janë të pranishëm mes fëmijëve dhe prindërve, që për t’ia arritur asaj feste janë ndarë në katërsh derisa të mos mungojnë të gjitha premtimet që i janë bërë fëmijës për ta lumturuar sa më shumë. Edhe tortës nuk i mungon personazhi i preferuar.
Ajo që më mungon në të gjithë këtë pikturë personazhesh dhe lumturimi të fëmijëve duke i patur sa më pranë, është qetësia sociale duke mos i patur këto personazhe. Dua të kem mirëkuptimin e prindërve dhe të rriturve mbi këtë që po përpiqem të them. Përrallat apo filmat e animuara janë shumë të rëndësishëm për fëmijët. Fëmijët i marrinme vete për një kohë shumë të gjatë personazhet e tyre dhe ky proces ka fragmente mjaft të shëndetshëm, por jo gjithmonë ndodh kështu. Ajo që ndodh është se ne si të rritur, jemi disi të pakujdesshëm në selektivitetin që do të duhet të bëjmë për fëmijët tanë ndërsa futen në këtë botë kaq të pasur personazhesh. Do të duhet të shikojmë me kujdes moshën e fëmijës dhe personazhin në fjalë. Fëmija do të duhet të dalë me një mesazh të kuptueshëm përpost filmit të animuar që ka parë. Vlen që filmat mbi të gjitha të shoqërohen edhe me personazhe librash, ato të cilat janë të pazëvendësueshëm për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Fëmijët do të duhet të mos shikojnë ambicien e prindërve për të sjellë pranë tyre, deri në ngopje të pangopur personazhet e përrallave si të merituara në të gjithë shesh-festat, duke i kthyer kështu në proçes indoktrinues. Tashmë sistemi i produksionit është kujdesur që ky proçes të ndodhë, por ne ndihmojmë duke i dhënë një aprovim “agresivitetit” me të cilën na vjen media tek fëmijët.
Pse prindërit i inkurajojnë fëmijët e tyre, sidomos vajzat e tyre të vogla, për të parë Princeshat e Disney apo filma të ngjashëm?
Si fillim, mund të themi se Filmat Disney ofrojnë për fëmijët, mësuesit, edukatorët dhe kujdestarët një hapsirë të vogël frymëmarrje. Ky është një realitet të cilin do të duhet ta pranojmë edhe pse shumë prej profesionistëve mendojnë se nuk duhet të jetë media ajo që do të duhet ta ofrojë këtë “frymëmarrje”. Ndërsa fëmijët janë të zënë për të parë këto filma, prindërit dhe të tjerët mund të kryejnë punë, etj. Por nuk është vetëm ky shkaku. Filmat vizatimor janë ndërtuar nga të rritur për fëmijët dhe në një mënyrë apo tjetrën, sjelljet e tyre ua m’veshim ne. Pra, të rriturit përcaktojnë dhe trashëgojnë modelet apo stereotipet brenda këtyre personazheve. Ideatorët kanë përshkruar vajzën perfekte, princeshën delikate, të virgjër, idealiste, të gjitha këngëtare shumë të mira, me zë të ëmbël si të zanës imagjinare, me krahë dhe trup elegantë, duket sikur plakja nuk vjen kurrë për këto princesha. Kërcejnë në mënyrë ëngjëllore dhe janë të sulmuara thuajse gjithmonë nga një shtrigan nga ku ato dalin fitimtare.
Është interesante të studiohen me vëmendje profesionale të gjitha dinamikat e këtyre përrallave dhe pse fëmijët duan që t’i ngjasojnë këtyre personazheve gjithnjë e më tepër. Ato duan të jenë perfekte dhe prindërt e tyre duan që vajza e tyre t’i ngjasojë asaj princeshës.
Këto filma mund të shikohen si avatazh në një aspekt shumë të rëndësishëm. Disa filma Disney madje mund t'u mësojnë fëmijëve fjalët në gjuhë të huaja. Për më tepër, këto filma përdoren si një mjet social, në të cilin prindërit dhe fëmijët mund të vijnë së bashku për një interes ose veprimtari të përbashkët. Pra, prindërit mund të ulen së bashku me fëmijët të shikojnë filmat e preferuar të fëmijëve.Madje kam dëgjuar se ka prindër që ende janë fansa të disa personazheve të këtyre filmave. Por, po të shikojmë me kujdes dhe t’i referohemi dëshmive të prindërve, filmat me bazë fëmijët janë bërë dukshëm më të dhunshme në vitet e fundit dhe se prindërit kanë rritur sasinë e kohës që lejojnë fëmijët e tyre t'i shikojnë ato.
Në të kaluarën, sikundër edhe e përshkrova në fillim të këtij artikulli, fëmijët shikonin një sasi të kufizuar të filmave të animuar. Shumica e fëmijëve në vitet '60, '70 dhe '80 prireshin të shkonin në kinemave në vende të tjera të europës apo edhe në SHBA.
Futja në lojë e video-regjistruesit, filmat për fëmijë janë më prezentë në shtëpitë tona. Është e rëndësishme të theksohet se një mënyrë jetese pasive ashtu sikundër është shndërruar kjo e jona vitet e sotme, që konsiston në shpenzimin e sasive të mëdha të kohës duke shikuar filma dhe televizion mund të ndikojë në mendimet dhe sjelljet e fëmijës. Nëse një fëmijë i sheh filmat dhe personazhet perfaqësuese të ngjashëmme ata me sjellje dhune, seksuale, dhe / ose jorealiste, ata mund t’i iniciojnë këto imazhe dhe koncepte, të cilat mund të kontribuojnë në veprimin e tyre në shkollë ose në shtëpi.
Sistemet e besimit tek fëmijët dhe adoleshentët ndikohen gjithashtu nga filmat, veçanërisht në mungesë të një sistemi besimi të krijuar tashmë. Shumë herë, filma dhe karikatura të bazuara në fëmijëri në ditët e sotme bazohen në një element agresioni, i cili kundërshton atë që fëmijët mund të mësojnë në shkollë ose në shtëpi. Jo se këto janë domosdoshmërisht shkaku - edhe pse mund të jetënë disa raste - por mund të jenë një faktorë kontribues në mes disave.
E kam të vështirë te mendoj ndonjë fëmijë sot që nuk ka personazhin e tij të preferuar dhe kështu do të duhet të jetë në fakt. Edhe ne si prindër fillojmë dhe i duam këto personazhe po aq sa fëmijët fundja, se mendojnë se në më mënyrë apo tjetrën, ata i përfaqësojnë. Por, do të duhet të tregohemi të mençur dhe vigjilent, që këto personazhe së pari të jenë konform moshës së fëmijës dhe sy dyti, të përfaqësojnë realisht modele sjelljeje të përshtatshme, të cilat nuk i fusin fëmijët në atë vorbullën indoktrinuese, ku përligjen një mori vlerash dhe besimesh të cilat janë të diskutueshme për trendin social sot.
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Të vegjël dhe të mëdhenj…
Mësues dhe prindër, perceptime të ndryshme për të njëjtët fëmijë!
Fundit i Vitit si fillimi i jetës!