Loja, institucioni i zhvillimit të njohjes dhe lumturisë te fëmijët…
Fëmijët dinë të luajnë, të jenë lojcakë. Ata kanë lindur me këtë aftësi. Ju nuk keni pse lodheni t’u mësoni më shumë se kaq. Mjaft t’i ndiqni veprimet, lojën, fantazitë, imagjinatën, krijimin dhe ata do t’jua tregojnë vetë rrugën drejt lumturisë së tyre.
Kujtimet më të rëndësishme që të rriturit mbartin, janë të lidhura ngushtë me fëmijërinë. Nëse është kështu, loja do të duhet të ketë qenë pjesa më e bukur e këtyre kujtimeve. Kjo sepse gjatë procesit të lojës, fëmijët ndërtojnë një përvojë mjaft domethënëse për zhvillimin e qenies së tyre.
Nëpërmjet lojës fëmijët krijojnë një kontakt mbresëlënës me kreativitetin, imagjinatën, emocionet, tjetrin (marrëdhëniet) dhe i zhvillojnë ato çdo ditë e më shumë duke mësuar. E gjithë kjo përvojë, i mëson fëmijët të përballen me situata të ndryshme në jetën e përditshme dhe t'u japin atyre zgjidhje. I mëson, gjithashtu, si të komunikojnë me të tjerët dhe të vendosin lidhje me realitetin e botës sociale.
Ndërsa fëmijët bëjnë diçka, përfshihen në lojë, ata janë duke mësuar rreth saj. Këto mësime kanë dinamika nga me të ndryshmet. Kështu, ne kemi mësuar në lojërat tona si të respektojmë radhën me tjetrin, si të vendosim rregullat, si t’i ndjekim ato, si të pranojmë humbjen dhe si të ndajmë fitoret, si të përballojmë dështimet dhe si të krijojmë ambiciet që na çojnë përpara. Nëpërmjet lojës mësojmë si të krijojmë, si të fantazojmë, si të ngremë energjinë e grupit, si të imitojmë dhe të zhvillohemi në ato ngjashmëri, si të krijojmë ekipe, si të ndajmë role, si të drejtojmë etj.
A nuk janë këto ndër karakteristikat më të rëndësishme që na kërkohet të kemi sot në personalitetin tonë për të qenë funksionalë në jetën e përditshme, ose sikurse ka dalë në modë termi komercial: “të jemi të suksesshëm”?
Sigurisht që të gjithë ne do të donim që fëmijët të ishin të lumtur dhe të suksesshëm. Ne duam që ata të zhvillojnë aftësi të ndryshme që ndërmjetësohen nëpërmjet lojës. Të nxitur nga ky reflektim, duam ta vendosim lojën si strategji për t’i çuar fëmijët tanë në këtë dinamikë.
Por do të duhet të ndaj diçka me ju, që prej fillimit të këtij artikulli: ne nuk mund t’iu mësojmë fëmijëve të jenë lojcakë, të duan të luajnë. Ata e kanë këtë motivim brenda tyre, që në ditët e para të jetës. Çdo prekje artikulli apo objekti që futet në gojë, e shoqëruar me jargavitje, tinguj dhe kapje, është pjesë e vetë procesit të të mësuarit, të cilin ne nuk e kontrollojmë dot. Kështu zhvillimi i aftësive njohëse merr formë çdo ditë që kalon. E vetmja gjë që ne mund të bëjmë, është të sigurojmë këtë terren, të rrisim mundësitë për lojë, të krijojmë ambientin e përshtatshëm për një lojë sa më të pasur. Pjesën tjetër e bën vetë fëmija. Ai ka një forcë natyrale me të cilën eksploron ambientin rreth tij dhe se si e shoqëron veten drejt lojës. Për fëmijët të cilët nuk janë në gjendje të mësojnë vetë nëpërmjet lojës dhe modelimit, të rriturve do t’u duhet të ngrenë një sistem të mësuari, ku ambienti manipulohet në atë mënyrë që fëmijët të motivohen dhe të mësojnë. Ka shumë fëmijë me vështirësi zhvillimi të cilët nuk mësojnë vetë, por loja ka rezultuar të jetë çelësi i suksesit dhe burimi i një informacioni njohës i pazëvendësueshëm. Me lojën fëmija imiton, njeh objektet, kafshët, pjesët e trupit, ngjyrat, krijon një histori, përfshihet në grup etj. Mbi të gjitha, ne i mësojmë fëmijët të mësojnë nëpërmjet argëtimit, motivimit, kënaqësisë.
Mendoj se kur i kthejmë sytë te fëmijët tanë sot, gjejmë shumë më pak kohë loje të pranishme gjatë ditës. E kam bërë këtë konstatim prej punës me fëmijët, duke përfshirë edhe fëmijët e mi. Nuk gjej qetësi derisa të ndryshoj këtë rutinë të ditës, që është e lidhur kaq ngushtë me realitetin tonë social. Modelet sociale sot janë bërë të forta dhe zhvillimi i teknologjisë, në planin motivues, duket se është bërë më i fortë për ta ndaluar kështu si pa të keq. Ne, si prindër, ndihemi të dështuar dhe betejën me teknologjinë nuk e fitojmë dot.
Po sikur t’ju thosha se nuk do të duhet ta bëni një luftë të këtillë? Por sikur t’ju thosha se teknologjia është një element i pandryshueshëm i këtij shekulli dhe ajo që ne do të duhet të bëjmë është të ndërtojmë një botë paralelë kësaj bote? Nuk është e thjeshtë, por jo e pamundur.
Thjesht do të duhet të ndërtohet një sistem, një plan dhe do t’ju duhet t’i qëndroni besnik këtij plani.
Për të vendosur kohën e lojës me fëmijët paralel me aktivitetet elektronike, duhet që kjo kohë të ketë argëtim, pra të jetë motivuese. Mos të harrojmë, fëmijët duan të luajnë. Pra, ata janë të gatshëm të luajnë në çdo kohë. Me fëmijët e vegjël, motivimi më i madh është që koha e lojës të ketë përfaqësim të botës së të rriturve, pra të simbolizojë atë që fëmija shikon çdo ditë, si dhe të ndahet me të tjerë, kryesisht me prindërit kur nuk ka bashkëmoshatarë. Pra fëmijët duan të luajnë shtëpizash, restorantesh, të vënë beben nani-nani, t’i bëjnë banjën. Të shikojnë figura që nuk i kanë parë ndonjëherë dhe këtu hyjnë në rol librat.
Prindërit kanë të drejtë të ankohen kur janë të lodhur dhe kanë të drejtë të thonë se nuk kanë kohë kur janë të zënë me diçka. Kështu, një mënyrë e mirë është që fëmijët t’i përfshijmë kur mundemi dhe, kur vërtet nuk mundemi, të mos premtojmë asnjë gjë që nuk e bëjmë dot. Premtimi “Pastaj!” është një fjalë kaq e lehtë për t’u thënë, por që sjell kaq shumë zhgënjim. Lëreni fjalën "pastaj" dhe komunikojini fëmijës të vërtetën. Premtojini vetëm një gjë, që sapo të mbaroni punë, ju mund të zgjidhni bashkë një lojë. Pra një gjë të realizueshme, me bazë lojën ose një aktivitet argëtues.
Mund të imitoni me dy pellusha dy personazhe. Mund t’i lexoni një tregim me zëra gazmorë. Mund të bëni dritë-hije në mur duke ndezur një qiri, mund të luani vetëm një lojë me letra. Mund të luani lojën me germa duke gjetur emra të ndryshëm etj. Ju mund të bëheni kreativ, madje edhe në ambiente të tjera, edhe kur fëmija është duke bërë dush. Kthejeni çdo aktivitet të fëmijës në një lojë. Nuk ka pse i japim shumë seriozitet fëmijëve të vegjël. Rregullat janë të rëndësishme për t’u ndjekur, por bëjani fëmijës të lehtë dhe argëtuese për t’i ndjekur ato. Sigurisht që fëmija ka një orar të përcaktuar për të shkuar në shtrat, por ju mund t’i propozoni që për ta çuar atje, do të mund ta mbani në kurriz me këmbë dhe kokën poshtë. Pra, bëhuni gazmor, argëtues për fëmijën. Hej, mos u shqetësoni të blini gjëra të shtrenjta. Fëmijët kënaqen me shumë kur janë pjesë e një loje të ndërtuar vetë. Lojërat kreative janë fantastike.
Ndërkohë, përpara së gjithash, vendosni një marrëveshje me fëmijën. Tregojini një orar të ditës ku fëmija ka të drejtë të zgjedhë midis dy alternativave për të luajtur lojë elektronike. Që të mos e gjykoni zgjedhjen e tij, ofroni dy mundësi. Për shembull, ke mundësi të shikosh TV ose të luash me NINTENDO vetëm për 30 minuta. Kështu fëmija zgjedh njërën prej të dyjave. Për të pasur një koncept të mirë të orientimit të kohës, merrni një orë ose një aparaturë matëse të minutave vizuale. Edhe pse mund të këmbëngulë se nuk do të donte asnjërën nga propozimet, sepse do të donte diçka tjetër, mbani mend, përmbajuni gjithmonë rregullave. Rregullat u japin fëmijëve siguri.
Fëmijëve që janë pak më të rritur, mbas moshës 5 vjeç, ju keni mundësi t’iu ofroni një gamë më të gjerë aktivitetesh: lojërat në tavolinë janë shumë të mira si, për shembull, lojërat me letra, loja me gurë tresh, loja nëntë, sudoku, monopoly, shah etj. Mund të filloni të luani edhe duke gatuar diçka të dy. Ndonjëherë mund të jeni kreativë duke vendosur të shpikni një lojë prej fillimit. Unë me djalin tim kemi shpikur lojën me gjëegjëza. Ne aktualisht kemi një fletore, në të cilën kemi shënuar gjëegjëza të ndryshme të krijuara vetë. Dje krijuam një të fundit “Je e bardhë me kaçurrela, e ke leshin dredha-dredha, je e butë dhe je e mirë, na jep qumësht për të pirë, gjithë tufës i shkon nga pas, a e dini për kë po flas?”. Përgjigjja është delja. Një fjali e gjen fëmija dhe një fjali e gjeni ju. Sigurisht që fëmijët mund të ndihmohen prej jush në çdo rast.
Edhe me fëmijët para adoleshentë ju mund të krijoni momente loje shumë të këndshme dhe të krijoni bashkë lojëra shumë të bukura. Krijoni disa orare gjatë javës. Në mbrëmje është shumë këndshëm që para se të shtrohet darka, njëri prej prindërve që është i lirë, mund ta ftojë fëmijën të luajë shah, tavëll, me letra, ose mund ta ftojë të luajnë së bashku një lojë dyshe elektronike. Pra, duke ndërthurur lojërat që ekzistojnë. Këtu nuk është vetëm loja e cila i jep motivim fëmijët, por koha që po kaloni së bashku është e pazëvendësueshme. Mbi të gjitha, fëmija ka nevojë për vëmendje. Një lojë e cila më pëlqeu shumë, e cila është realizuar nga një prej prindërve tanë, është “java kreative”.
Në këtë lojë, çdo javë fëmijët adoleshentë do të duhet të zgjedhin bashkë me një prej prindërve se çfarë do të duhet të bëjnë për të sfiduar njëri-tjetrin. Mund të merret një prej pasioneve të secilit. Java e poezisë në familje: krijoni nga një poezi. Java e lojës në familje: krijoni një lojë. Java e gatimit: krijoni një recetë gatimi etj. Fëmijët adoleshentë kanë shumë dëshirë të provojnë veten, të ndërmarrin role, të jenë të suksesshëm, dhe mezi presin që ta ndërmarrin këtë rol, ndaj do ta shikoni se sa i motivuar do të jetë fëmija për ta realizuar. Vendosni një çmim, një tabelë ku çdo javë shënohet fituesi dhe pikët e mbledhura. Komisioni janë anëtarët e tjerë të familjes ose edhe miq të ndryshëm, që në mënyrë anonime do të duhet të gjykojnë atë që keni krijuar secili prej jush.
Por çfarë do të duhet të bëni me kohën tjetër të mbetur? Si do të duhet të organizohet kjo kohë nëse loja me ju apo edhe pa ju ka përfunduar?
Prindërit janë munduar që të angazhojnë fëmijët të paktën në një aktivitet mbas shkollor gjatë javës, në piano, violinë, në gjuhë të huaj, në klasë passhkollore etj. Më pas fëmijët kalojnë kohë duke bërë detyrat që kanë për në shkollë.
Megjithatë unë do t’ju inkurajoja që fëmijët t’i lejoni edhe të mërziten, duke mos bërë asnjë gjë. Krijoni terren dhe kohë për mërzitje, për një “grindje” të lehtë me veten, që fëmija të mësojë të krijojë vetë mundësi për lojë. Fëmijët kështu i kthehen për disa minuta ose disa orë lojërave solitare (pra që luhen vetëm), të cilat janë gjithashtu mjaft të rëndësishme për zhvillimin e kreativitetit dhe zgjidhjes së problemit. Gjithashtu, janë mjaft të mira edhe për rritjen e vetëvlerësimit.
Fëmijët dinë të luajnë, të jenë lojcakë. Ata kanë lindur me këtë aftësi. Ju nuk keni pse lodheni t’i mësoni më shumë se kaq. Thjesht kaloni pak kohë gjatë ditës me ata, duke përqafuar çdo moment gëzimi që ata ndajnë brenda botës fëmijërore. Mjaft t’i ndiqni veprimet, lojën, fantazitë, imagjinatën, krijimin dhe ata do t’jua tregojnë vetë rrugën drejt lumturisë së tyre.
Nga Drnt. Denata Toçe
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Jepi stresit vendin që i takon
Denata Toçe: A po festojnë mësuesit?
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë