Fëmijët nuk mund t’i vendosim në “rresht”
E çfarë ka që nuk shkon tek një fëmijë që lëviz gjatë orës së mësimit? E çfarë ka që nuk shkon tek një fëmijë i cili për të shkryqur gjymtyrët, gjen një pretekst të hedhë një copë letre në kosh?
Para pak ditësh, dy prindër vijnë në klinikën time të shqetësuar. Dukej sikur ajri ishte i pamjaftueshëm për t’i ngopur me frymë. Mezi sa arrinin të gjenin ato pak fjalë për të më treguar rreth djalit të tyre 5 vjeç. “Jemi shumë të shqetësuar!” - më thanë. “Kemi disa net që nuk flemë pasi takuam mësuesen e parashkollorit të djalit tonë. Ajo na tha se djali ka diçka që nuk shkon. U bënë gati dy javë në shkollë dhe ai nuk po përshtatet si duhet me rregullat e saj.”
Të mërzitur dhe të habitur, prindërit menjëherë pyetën: “Çfarë ka bërë djali?!”
Mësuesja e cila mbante një shprehi fytyre të sigurt dhe të tendosur, me vetullat që i ngriheshin hera herës, u thotë prindërve: “Kam disa ditë që e vëzhgoj dhe kam kuptuar që ai është një nga fëmijët që më prish qetësinë dhe vëmendjen e klasës. Hera herës kthen kokën për të parë shokët mbrapa ose për t’u folur atyre. Qesh me zë të lartë dhe sa e sa herë çohet nga tavolina e tij për të hedhur copa letrash në kosh. Mua më duket si pretekst për t’u çuar nga tavolina. Ju si mendoni?”
Sa u bën gati prindërit të thoshin diçka, mësuesja ia mori sërish fjalës: “jo për gjë, por nuk do t’u kisha thirrur po të mos ishte shqetësuese. E mora veçmas në klasë dhe i thash se përse sillesh kështu? Ai m’u përgjigj se i donte qejfi dhe se ajo ishte e shpifur si mësuese. Në gjithë këto vite punë, asnjë fëmijë nuk më është përgjigjur kaq pa edukatë. Unë mendoj se ai ka hiperaktivitet dhe mungesë përqendrimi.”
Nëna e djalit filloi tëqajë dhe më kërkoi që t’i vlerësoj djalin. Pasi vlerësimi doli tërësisht me sukses dhe situata e tij nuk ishte veçse aftësia e një fëmije inteligjent dhe me temperament të gjallë, ekstravert, fillova të mendoj me objektivitet dhe të ngre pyetje mbi sytë që përdorin mësueset për t’i parë fëmijët gjatë procesit mësimor. Nga se buron kjo konfidencë, kjo siguri për t’i vënë një emër fëmijës në emër, gjasmë, të proaktivitetit për t’i ardhur në ndihmë fëmijës.
Pyetjet që ngre pas këtij rasti:
E çfarë ka që nuk shkon tek një fëmijë që lëviz gjatë orës së mësimit? E çfarë ka që nuk shkon tek një fëmijë i cili për të shkryqur gjymtyrët, gjen pretekst të hedhë një copë letre në kosh? E çfarë ka me të gjithë ata fëmijë që duan të shkojnë në tualet, por mësuesja u thotë që të presin se ia kërkoi njëherë para gjysmë ore? E çfarë ka me një fëmijë që nuk është i shpejtë në përgjigje, por është i saktë? E çfarë ka me një fëmijë që është çapkën dhe i del për zot vetes duke i kthyer përgjigje një pyetjeje që i ka prekur sendrën? E çfarë ka me një fëmijë që nuk shkruan aq bukur sa të kënaqë mësuesen, por që është shumë krijues dhe i veçantë në disa talente të tjera? E çfarë ka me një fëmijë i cili nuk arrin të përqendrohet për një kohë të gjatë në një orë mësimi?
E çfarë mund t’i them prindërve në këto raste? Do të duhet t’i them thjesht se fëmija i tyre ka diçka që nuk shkon? Po sikur të mendojmë se ka diçka që nuk shkon në këtë frymë mësimdhënie? Po sikur mësuesit të sjellin në shkathtësitë e tyre të njëjtit elementë arkaik të dy apo tre dekadave përpara, kur fëmijët do të duhet të ishin të vet-disiplinuar, dhe nëse nuk janë, atëherë sistemi “I peshon nga veshët” deri sa ata të jenë? Po sikur mësuesi të perceptojë ende se një fëmijë / nxënës i “mirë” është ai/ajo që i kupton të gjitha fushat me lehtësi dhe merr në të shumtën e rasteve 10-ta apo vlerësim maksimal (quajeni si të doni)? Po sikur mësuesi të mendojë se vetëm një palë detyra meritojnë të shpërblehen, një lloj punë, një lloj qëndrimi prej nxënësve, pasi të tjerat janë thjesht “gabim”? E çfarë do t’u themi prindërve të këtyre fëmijëve, se këta nxënës thjesht “nuk bëjnë”? Ka diçka që nuk shkon? Është vërtet kaq e thjeshtë? Po fëmijëve çfarë u themi?
“Pse, detyra i quan ti këto?”
Një tjetër prind që takova rastësisht në dyert e kopshtit që përcjellim sëbashku fëmijët, më tha se mësuesja e parashkollorit i kishte thënë djalit të saj: “pse, detyra i quan ti këto?” Dhe unë pyes veten, se çfarë mund të ketë menduar fëmija në ato momente, ndërsa komenti / vlerësimi është bërë në sy të të gjithë klasës dhe mbi të gjitha prej fëmijës pritet që detyra të jetë ose “e shkëlqyer” ose hiç fare. Në mos, të presin e pakta një sërë komentesh ofenduese dhe e shumta do të thërrasin prindin dhe do t’u thonë se ka diçka që nuk shkon me fëmijën tuaj.
A duhet t’i njësojmë fëmijët?
Indirekt, me këtë sistem, ne po përpiqemi t’i njësojmë fëmijët. Pra, ata do të duhet të jenë njësoj, të kenë mundësisht të njëjtat tipare të personalitetit dhe të njëjtën inteligjencë. Pra, ne duam t’i vendosim në rresht fëmijët tanë, dhe kur nuk ia dalim dot (sepse është e pamundur,) themi thjesht "fëmija nuk është si gjithë të tjerët, ka diçka që nuk shkon".
Thënie të mësuesve të suksesshëm
Një thënie prej Ignatio Estrada thotë: “Nëse fëmija nuk arrin të mësojë nga mënyra se si ne i mësojmë, atëherë ne do të duhet t’i mësojmë në atë mënyrë që fëmija të mësojë.” Ose siç thotë Robert John Meehan, një prej mësuesve më të njohur në Amerikë: “Si mësues mund të mësosh një klasë të tërë, por çdo fëmijë, në mënyrën se si po e mësojnë, do të duhet të ndjehet UNIK.”
Disa shenja që tregojnë se je mësues profesionist
Tom Mauro rendit disa prej shenjave që tregojnë se një mësues po bën detyrën e tij me integritetin profesional që nevojitet:
1. Ju e shikoni fëmijën në klasë si fëmijët dhe jo si “diagnozë”.
2. Ju e shikoni fëmijën në klasë si individ, dhe jo si një sirtar që do të duhet ta mbushni me detyrat e radhës.
3. Vendosni sensin tuaj të humorit përballë çdo sjellje sado e “çuditshme” t’ju duket ajo.
4. Ju veproni me hir, mirësi, besnikëri dhe dinjitet ndaj fëmijëve të trishtuar, të zemëruar; me administrator institucionesh edukimi që veprojnë në “errësirë” ndaj ideve novative në mësimdhënie, dhe për më tepër me prindër kërkues.
5. Ju nuk i frikësoheni fleksibilitetit dhe të qenurit kreativ.
6. Ju arrini të kuptoni dhe të reagoni se kur duhet të mbahet një qëndrim i caktuar dhe kur do të duhet të zgjidhni betejën për t’ia dalë mbanë me dinjitet në frymë pozitive.
7. Ju ishikoni prindërit si aleat në arritjen e qëllimeve të përbashkëta dhe jo si armiq.
8. Ju e doni punën tuaj, dhe kjo duket qartazi nga veprimet tuaja. Siç duket zjarri në majën e një mali.
9. Nxënësit ju duan për këtë, gjithashtu.
Nëse keni arritur të mbani këto qëndrime, atëherë jeni në rrugën e duhur të dashur mësues, sepse ju jeni pishtar ndriçues për ardhmërinë e shëndetshme të këtyre fëmijëve. Nëse do të ndodhte e kundërta, nëse ju do të mendoni se një fëmijë do të duhet të jetë aq inteligjent sa të mos ketë nevojë për ju, t’ju vendosë në vështirësi personale dhe profesionale, atëherë ju keni nevojë të ndryshoni profesion.
Prindër tregohuni të kujdesshëm!
Nuk ka në asnjë rast fëmijë që nuk mësojnë apo nuk janë të aftë, ka vetëm mësues që nuk kanë arritur t’i mësojnë, ndoshta prej shkathtësive të tyre profesionale ose ndoshta prej arsye të tjera personale. Këto të fundit nuk mund të justifikojnë pasojat që mbart fëmija në të ardhmen. Çdo burim kompleksi inferioriteti që vjen prej institucioneve të edukimit është një tepricë malinje që do të duhet të shkulet me rrënjë që në zanafillë. Fëmijët meritojnë të rriten dhe edukohen si fëmijët unik dhe me vlerë brenda vështirësive që mund të kenë. Ata nuk mund të jenë “në rresht” për të qenë “të mirë,” por në ekip për të përmbushur të gjithë spektrin e kësaj bote, që pa ata nuk mund të ekzistojë.
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Lojë e lirë, fëmijë më të mirë...
Të vegjël dhe të mëdhenj…
Detyra pa bërë naze