FENOMENI

Lëndimi prej bullizmit në mëshirë të bullistëve

Është koha të fillojmë me fëmijët tanë, t’i tregojmë me dashuri dhe kujdes që janë pjesë e kësaj bote. Ne mund t’ia dalim të jemi më të mirë. Ne mund ta kontrollojmë mendjen tonë dhe mbi të gjitha gjuhën.

Ngjarja e 9-vjeçarit me nanizëm, i cili nëpërmjet një video të publikuar në rrjetet sociale, e kryer nga nëna e tij, tregonte lëndimin fizik dhe shpirtëror të përjetuar prej djalit, i shkaktuar prej talljes dhe nëpërkëmbjes së shokëve të shkollës. Çfarë mërzie më zuri atë mbrëmje, çfarë zemërimi më kaploi dhe çfarë urrejtje primitive ndjeva, sa nuk dija nëse mund të gjeja një unison mendimi për të shprehur dy fjalë. M’u duk puna më e vështirë, a thua se nuk e kisha bërë ndonjëherë tjetër të hidhja nja dy mendime, qoftë edhe me veten, rreth situatës. Ndoshta ishte ende herët. Ndoshta fjalët e konsumonin historinë dhe e prishnin pamjen e një realiteti vrastar, të cilin as një nënë nuk do të donte ta përjetonte aq ashpër me fëmijën e saj. Çfarë kuraje dhe guximi i është dashur nënës së djalit ta publikojë videon, dhe të thyej të gjithë premtimet e supozuara me veten, se ndoshta ajo nuk do të donte të kërkonte mëshirë nga askush. Nga askush nuk do të donte ndihmë për një fëmijë që e do me shumë se vetja. Por vetëm nga dhimbja e madhe, vetëm ajo, ndërsa shikon djalin e saj me lot në sy, e ndërsa i shpreh se nuk do të donte të jetonte më, dorëzohet pa asnjë kusht tjetër, vetëm të rigjejë gëzimin në zemrën e fëmijës. “Dua të vdes tani!”! Goditje gulçuese mu në mes të gjoksit janë këto fjalë biri ndërsa nëna merr një rrëfim kaq të fortë. 


Ja se çfarë përjetova tjetër me këtë histori që nisi me një video kaq dëshpërimit të sinqertë: Ndërsa orët kalonin, njëkohësisht ndjeva një tymnajë hipokrizie që më shtojë akoma më shumë zemërimin tim. Ndoqa kujdesshëm ndikimin që pati kjo histori tek mijëra e mijëra njerëz, të cilët gjykonin “aq drejtë” atë se çfarë i kishte ndodhur “mikut” të tyre njerëzor me trupin e vogël. Ata nuk e kuptonin se mundet që të ngjashmit e tyre të ishin kaq mizor. Papritur ky djalë 9 vjeçar, erdhi në vëmendjen e të gjithë botës, më “mirë” akoma, në vëmendjen e të gjithë famë-shitësve që nuk nguruan të shprehnin indinjatën e tyre ndaj të gjithë “keqbërësve”. Rezultati është ai që ka rëndësi në fund të fundit, dhe nëna sikur ta dinte që vetëm kështu veshët dhe sytë e botës dëgjojnë dhe shikojnë, ia nxori përpara syve të vërtetën e një realiteti të përditshëm. 9 vjet nuk janë pak, dhe dëshpërimi i këtij fëmije tregonte se historiku i talljeve nuk ishte i kohëve të fundit, por i një kohe të gjatë, mbushur me lëndime të njëpasnjëshme. Oh, sa shumë do të duhet të ketë mbajtur fëmija i mirë, prindi i dashur dhe familja e gjorë. Aq shumë sa i duhej të bënte një thirrje me nota fatale për të na treguar të gjithëve ne se dhimbja ka fytyrë dhe se nuk është aq larg sa mendojmë. Pse, do të duhet të dilte kjo video që të “qanin” të gjithë njëherësh dhe të ngushëllonin djalin 9 vjeçar? Pse ore, ju mendoni se një “dhuratë” kohe vëmendje do të shuajë të gjithë bullizmin e kaluar dhe atë që e pret fëmijën në fjalë? Po për fëmijën “A” me sindromën down që i marrin lapsat çdo ditë, se e di që ajo shqetësohet se i ka me shumë merak, dhe fëmijët qeshin? Po për fëmijën “R” me autizëm që ia hedhin çantën nga kati i katërt i klasës? Po për fëmijën “G” me vështirësi në të lexuar që mësuesja e ngre përpara klasës dhe fëmijët qeshin? Po për fëmijën “E” me çrregullim në të nxënë që e quajnë “budalla” dhe mësuesja e para i shkul flokët, kemi ndonjë “dhuratë” për atë?  Po për të gjithë të tjerët keni ndonjë dhuratë? 


Jo më larg se një muaj, nëna e një fëmije me erdhi e dëshpëruar dhe e lënduar gjithashtu, duke më treguar se çfarë shokët e klasës i kishin bërë djalit të saj se fundmi. Talljet dhe poshtërimet prej 10 vitesh, kishin arritur kulmin. Nuk jam këtu t’ju tregojë edhe një histori tjetër të ngjashme si kjo që keni parë në video, me lot fëmije dhe me fjalë plot dëshpërim. Fëmija trajtohet për vetëbesim prej kaq kohësh dhe duket sikur bie në të njëjtin kurth bullizmi. Vetëvlerësimi i ulët është më së shumti një prej gjendjeve kyçe për vështirësitë e shëndetit mendor. Nëna e fëmijës e cila kishte kërkuar një bisedë të ndershme me prindin e fëmijës bullist përsëritës, kishte marrë si përgjigje një konflikt në sy të dy fëmijëve, me kërcënime dhe me një gjuhë agresive, duke fyer fëmijën e bulluar dhe duke ngritur lartë djalin e saj. Çfarë mesazhi mund të marrë fëmija në këtë rast? Po po, madje nëna mund t’i vinte zjarrin shkollës nëse fëmija e saj bullist do të përjashtohej nga shkolla. Nuk kam komente!


Më shumë për videon: Ajo që më bëri përshtypje është se kjo video jo vetëm që na tha një të vërtetë të madhe për atë se çfarë ndodh çdo ditë me fenomenin e bullizmit, por na dha një mësim të mirë pasqyrë-reflektuese se bullistët jemi të gjithë ne. Ndërgjegjësimi se sa shumë kemi ne kapacitetin për të lënduar. Ne mund ta përdorim intelektin tonë për të përvetësuar dhe “thithur” si kuçedra me shtatë kokë, vëmendjen, suksesin, famën, epërsinë e të qënurit dikush, duke shtypur të ngjashmin. Ne jemi ata që cenojmë lirinë dhe hapësirën e tjetrit me dhunë. Ne jemi kulturalisht të pamëshirshëm në agresivitetin për ta nënshtruar njëri-tjetrin me “zhvatje” intelektuale dhe injorante: ne të marrim të drejtën e fjalës dhe për këtë nuk ka skuqet faqja. Ne nuk të themi “faleminderit!”, edhe pse nderin e kemi marrë pa një, pa dy, a thua se dikush na detyrohet vetëm për faktin se ekzistojmë. Ne të themi “e ke gabim!” sikur arsyeja jonë të kishte epërsi hyjnore! Ne të themi dhe të tregojmë se kush je ti dhe çfarë duhet të bësh me jetën tënde, edhe pse kush nuk ka pyetur dhe jeta jonë mund të jetë më blozë se e tjetrit. Kur vijmë te edukimi i fëmijëve, harrojmë të kujtojmë se kush jemi vet. Gjuha që përdorim dhe si e përdorim është e varfër dhe e ligë. Ne jemi modele të epiteteve të shëmtuara që na vulgarizojnë karakterin tonë. Ne themi: majmun, dreq, shëmtarak, kokëkrisur, mister, rrugaç, budalla, idiot, malok, fshatar, et,. Pastaj, duam të edukojmë fëmijët tanë. Po a nuk jemi ne ata që u themi fëmijëve tanë “pusho!” Ne jemi ata që i mësojmë fëmijëve tanë “mos të ta kalojë tjetri!”, pa arsyetuar se në këtë garë reale, herë humbasim dhe herë fitojmë. Kështu fëmijët bëhet agresiv me tjetrin thjesht që të përmbushin pritshmëritë e prindërve. Ne u tregojmë fëmijëve se ata janë shumë inteligjent, dhe i fryjmë egot e tyre artificialisht, dhe më pas themi “idiot, pse kështu bëhen detyrat?” Ne jemi ata që përdorim gjuhën për të edukuar fëmijët, dhe harrojmë shpejt se çfarë bëjmë vet dhe se sa shumë mësojnë fëmijët se si ne sillemi me të tjerët. Ja, kjo është gjuha që trashëgohet brez pas brezi, dhe kështu u flasin edhe fëmijët shoku-shokut. 


Gjuha është pushtet i madh. Faktor i rëndësishëm identiteti. Sot modelet tona shtetare na tregojnë se me gjuhë mund të gënjejmë, mund të shajmë dhe mund të agresojmë dhe shtypim këdo. Madje me gjuhë edhe mund të tallim atë të cilin flet me “th”, atë të cilën flet pak shpejt, atë të cilin thotë një mendim ndryshe nga i yti, etj. M’u kujtua fabulisti dhe filozofi i mençur Ezop ndërsa flet për të epërsitë dhe ligësitë e gjuhës. 


Në rastin më të mirë gjuhën mund ta shikojmë kështu: “Gjuha është ajo që na bashkon. Pa gjuhë, neve nuk mund të shprehim dot asgjë. Gjuha është kyç i shkencës, arma e arsyes dhe e së vërtetës. Me ndihmën e gjuhës, ne shprehim dashurinë tonë. Me gjuhën, ne japim mësim, bindim, detyrojmë, këndojmë, përshkruajmë, vërtetojmë, vendosim. Me gjuhën, shqiptojmë fjalët: ‘Nënë’, ‘Zot’, ‘E dashur’. Me gjuhë themi ‘Po!’...”.


Ndërsa, në rastin më të keq, gjuha të do ishte kështu: “Gjuha është gjëja më e keqe që njohim në këtë botë. Gjuha është burimi i të gjitha grindjeve, është prodhuesja e të gjitha fjalëve, është ‘mëma’ e të gjitha të këqijave… Gjuha shpif, mbulon, shtrembëron, shan, fyen, pështyn, tradhton, thotë maskarallëqe. Me gjuhë themi: ‘vdis qen, skllav’. Me gjuhë themi ‘Jo’. Me gjuhë, Akili shprehu tërë mërinë e tij. Me gjuhë, Odisea kurdisi kurthet e tij. Ja përse gjuha është gjëja më e keqe prej të gjitha atyre gjërave të këqija që njohim deri me sot…”.


Nuk e di se cili është ky “halli” ynë i madh si shoqëri e kësaj race njerëzore, që pa shumë mundim, të krijojmë një mundim aq të madh te të ngjashmit tanë. Të mendojmë se jemi më të mirë, më të bukur, më të zgjuar, më të shkathët, më të gjatë, më të hollë, më të zotë, etj. Në përfundim, më të kulluar dhe të pamëkatë se çdo kush që ka një pjesë në këtë tokë. Sa shumë energji shpenzojmë për të përjashtuar ndryshimin mes të vetmes racë, kësaj race njerëzore që kaq idealisht Zoti apo natyra, quajeni si të doni, e krijojë “bojna bojna”, sikurse thoshtë Hamid Beqja. “Halli” i madh i këtij ndryshimi, në të vërtetë është bekimi më i madh që kemi mes nesh. Mendoni për pak çaste sikur bota të ishte e njësuar në çdo gjë. Të gjithë njerëzit mes nesh të ishin njësoj, ushqimet që hamë të ishin njësoj, ngjyrat që shohim të ishin njësoj, veshjet që vishnim të ishin njësoj, mendimet që kishim të ishin njësoj, zgjuarsia, bukuria, eleganca, mirëqenia, të ishin njësoj. Ore fytyrat që shikonim çdo ditë të ishte e njëjta, ajo fytyrë që me pafytyrësinë e saj, guxon të bullojë fytyrat e tjera që nuk janë njësojë me atë. Ufff, çfarë mërzie! Do kishte qenë mallkim i madh. Nuk e di që duhet të falënderojmë për këtë bekim që ka njerëzimi të jetë i ndryshëm dhe i ndryshueshëm në kohë, i larmishëm dhe i përthyeshëm në të gjitha dimensionet e tij. Unë preferojë të falënderoj Zotin, por secili prej nesh le të gjejë besimin e tij dhe ta bëjë me nxitim të madh një falënderim të fuqishëm dhe të harrojë këtë ëndërr të keqe se të gjithë do të duhet të ishim njësoj.  


Në këtë larmi të racës njerëzore, do të duhet të vetëdisiplinohemi dhe të mendojmë mendjehapur se kjo hapësirë tokësore i takon të gjithëve bashkërisht dhe nuk ka të drejtë askush t’i tregoje tjetrit se ti nuk je pjesë e saj. Ne i kemi treguar këtij vogëlushi dhe shumë të tjerëve se ata nuk meritojnë të jenë pjesë e kësaj botë me sjelljet tona. Mbani mënd, këtë mesazh i keni dhënë fëmijës suaj, ai fëmijë që sot është bullisti i cili i tregon dhe të tjerëve që unë nuk jam pjesë, për një arsye apo tjetrën që realiteti i tij familjar mbars, por edhe ti nuk mund të jesh. 


Është koha të fillojmë me fëmijët tanë, t’i tregojmë me dashuri dhe kujdes që janë pjesë e kësaj bote. Ne mund t’ia dalim të jemi më të mirë. Ne mund ta kontrollojmë mendjen tonë dhe mbi të gjitha gjuhën, kjo mbretëreshë e armëve më të fuqishme që paska njeriu. 



(Portali Shkollor) 

5,304 Lexime
4 vjet më parë