Fëmijët kërkojnë vëmendje!
Çdo gjë që bëhet me qëllimin e argëtimit dhe dhënies së vëmendjes pozitive duke qenë sa më të kënaqur dhe të sinqertë, natyral në këtë angazhim, aq më shumë do të siguroni tek fëmijët tuaj lumturi, dashuri dhe siguri.
“O ma, dua që të shkojmë tek lodrat tani, të dy ne… O ba, a do të shkojmë të blejmë atë topin që më premtove atë ditë? O ma, më lexo ti diçka, të lutem… O ba, kur do të më marrësh edhe mua një herë tek puna jote, tani që jam pushim...?! O ma, më rri mirë ky fustani? O ba, kur do të bësh pushim tek puna ti? O ma, a mund të të puth pak? O ma, po shkoj në tualet… O ba, po vrapoj une, shiko sa shpejt vrapoj… O ma, shiko si i jap biçikletës, pa duar fare… O ba, shiko si futem në uje, me kokë… O mami, shiko sa e mbaj frymën në uje… O ba, shiko, kalaja ime është më e madhe se e motrës…”
Duket sikur kërkesat shtohen çdo ditë e më tepër kur pushimet fillojnë. Na duket sikur fëmijët janë bërë më “llafazanë”,më të afërt me prindërit dhe kërkojnë vazhdimisht aprovim, miratim ose drejtojnë kërkesa të panumërta drejt tyre. Prindërit, janë të dyzuar duke menduar hera-herës se fëmija i tyre ka ndryshuar, është rritur, dhe hera-herës se fëmija i tyre ka shtuar kërkesat më shumë seç duhet dhe se e kanë përkëdhelur shumë këtë fëmijë, padashur duke anashkaluar fëmijët e tjerë ose duke bërë krahasime irracionale.
Kur vjen periudha e pushimeve, fëmijët bëhen më aktiv në kërkesën e vëmendjes ndaj prindërve të tyre, duke përjashtuar moshën e adoleshencës. Duke vërejtur kërkesat e mësipërme të gjithë do të mendojnë se janë kërkesa që ndodhin gjatë gjithë kohës. Është e vërtetë, por kur fëmijët “pushojnë” nga detyra e kopshtit apo shkollës kthehen në një rutinë të re me prindërit e tyre. Ata fillojnë të shpenzojnë më shumë kohë dhe u kërkojnë që t’i kenë për vete dhe dëshira e tyre pjesërisht e ndërgjegjshme, i kërkon që ata të jenë aktiv me ta në çdo moment të ditës, i duan për veten dhe pas vetes së tyre.
Prindërit mendojnë pa dashur se fëmijët po kthehen “bezdisës” në kërkesat, dëshirat dhe dinamikën e aktiviteteve që duan dhe zhvillojnë, por në fakt, ata thjesht duan të rikuperojnë emocionalisht, shpirtërisht kohën me prindërit, ata të cilën në shekullin e XXI-të punojnë deri vonë dhe më shumë sesa një punë. Ata prindërit multidimensionalë që edhe kohën për veten ia falin orëve të vona në punë dhe takime.
Ose, ata prindër të cilët edhe pse në shtëpi, ngarkesa e fëmijëve përgjatë dimrit është e vogël, pasi fëmija i shek të XXI është i ngarkuar, i mbushur me detyra që shoqëria i ka imponuar për t’u bërë i aftë në tregun e vështirë të jetës, të punës. Ja kështu, në këto andrralla paralele të marrëdhënies prind-fëmijë, të gjithë duan të fitojnë kohën e humbur dhe periudha e pushimeve kthehet në avantazh për të bërë një “full-stop” dhe për t’u karikuar me energjitë e nevojshme afektive, emocionale.
Qëllimi i të gjithë prindërve është që të rrisin fëmijë të lumtur dhe fëmijët të mirë-rregulluar. Të gjithë prindërit janë shumë të fokusuar, pa dashjen e tyre, por me një induktim socio-kulturor që të sigurojnë mirëqënien e fëmijës duke i ofruar edukim të vazhduar dhe argëtim duke i çuar nëpër kampe verore, shëndet të mirë fizik, ushqim të mirë dhe të bollshëm, etj. Të gjithë janë elementë shumë të rëndësishëm në “paketën” prindërore, por koha dhe vëmendja që prindërit u japin fëmijëve, është një shërbim psiko-afektiv i çmuar. Të gjithë fëmijët kanë nevojë për vëmendje dhe kohë të dedikuar që prej lindjes dhe deri sa ata janë të sigurtë dhe të gatshëm tua japin të tjerëve me shumë dashuri dhe përkushtim.
Ndonjëherë prindërit bëhen kaq ankthioz për të rritur një fëmijë “ të suksesshëm”, sa ata e keqinterpretojnë shpenzimin e kohës me fëmijën e tyre, duke e përkthyer në vrapimin prej shkolle, drejt kthimit të detyrave të shtëpisë duke i bërë roje fëmijës nëse i bën në kohë dhe se “SI” i bën ato. Ose, duke i shoqëruar nëpër kurse impenjative të cilat nuk mungojnë në rrethin tonë shoqëror. Të gjitha këto dhe të ngjashme e keqinformojnë prindin rreth të shpenzuarit kohë kualitative me fëmijët.
Koha interaktive është ajo e cila kuptohet me angazhimin e plotë të aktiviteteve së bashku prind – fëmijë, kur fëmija është drejtuesi kryesor i nevojës për vëmendje dhe prindi për orientimin e drejtë të kësaj të fundit. Koha e pushimeve është një mënyrë e mirë për të ridimensionuar këtë marrëdhënie. Nëse jeni duke përmbushur këto element të marrëdhënies, të listuara si më poshtë, atëherë jeni në rrugën e duhur:
- Fëmija do të duhet të ndjehet i rëndësishëm dhe i rrethuar me dashuri. Kjo nënkupton, që ju duhet të jeni të kujdeshëm ndaj mendimeve të tij, dëshirave, të merren parasysh idetë e shprehura, dhe të mos injorohen ose pengohen iniciativat personale. Vetëm kështu fëmija do të ndjehet i rëndësishëm në familje, në shoqëri dhe i dashur prej jush. Shpesh prindërit deklarojnë se i falin çdo ditë fëmijës shumë dashuri, por veprimet e tyre tradhëtojnë atë që ata deklarojnë. Ju mund t’i falni shumë dashuri, vetëm nëse merrni parasysh fëmijën dhe nevojat, dëshirat e tij, pa e gjykuar dhe ndrydhur. Vetëm në Shqipëri gjen një shprehje të këtillë: “më mirë m… se sa i vogël”. Kur e kam dëgjuar për herë të parë kam qeshur se kam qenë shumë e vogël, por me kalimin e viteve jam trishtuar pasi kështu ne injorojmë nevojën e fëmijëve që janë më të vegjël për vëmendje, të ndjehen të rëndësishëm, me vlerë dhe që mund të kontribuojnë pavarësisht moshës së tyre. Ata janë personalitete të mëvetësuara dhe po aq aktiv dhe të vlefshëm në jetën dhe dinamikën e shoqërisë sonë.
- Mundësia për t’i ofruar fëmijës të demostrojnë sjelljen e modelit të prindërve. Duke i dhënë mundësi fëmijës të jetë origjinal dhe të ndërmarrë iniciativa personale, pra të mos injorohen këto të fundit, ne i kemi mësuar se si ata të jenë modeli ynë i ardhshëm, dhe pse jo më i suksesshëm se vet ne.
- Prindërit kanë kohë që të vëzhgojnë dhe të mësojnë rreth pikave të forta dhe të dobta të fëmijëve të tyre, ta njohin më mirë dhe të përballen më drejt me të për t’i drejtuar shëndetshëm drejt adultërisë.
- Fëmijët kanë mundësi që t’i japin zë mendimeve dhe ndjenjave të tyre.
- Fëmija dhe prindi ndërtojnë një kanal komunikimi më të fortë dhe më të arsyeshëm.
Ndërsa listoj disa prej elementëve ku mund të mbështes argumentët se pse është e rëndësishme t’u jepni kohë dhe vëmendje fëmijëve tuaj, gjithashtu më erdhën ndërmend disa mënyra, ide se si mund t’i vendosni këta element në jetën praktike:
1. Koha e ngrënies së bashku me familjen.
Kjo rutinë mund të kthehet një event familjar shumë i rëndësishëm gjatë kohës së pushimeve, pasi kështu ju keni mundësi për më shumë vakte të jeni të gjithë së bashku. Ju mund të merrni pjesë në përgatitjen e ushqimit, sallatës, të zgjidhni se si do të shtroni tavolinën, pastrimi dhe larja e enëve se bashku duke vendosur pak muzikë argëtuese, etj. Gjatë kësaj kohe prindërit mund të zbulojnë shumë prej dëshirave, hobeve dhe pasioneve të fëmijëve të tyre. Duket sikur i foluri i fëmijës është naiv dhe argëtues, gati sa doni të hiqni dorë prej së dëgjuari, por mbani vesh është fjalimi më i pastër dhe më i bukur që veshët do t’ju dëgjojnë ndonjëherë dhe ky kanal komunikimi do t’ju mungojë në situata të vështira kur fëmija të jetë më i rritur apo adoleshent pasi nuk e keni ndërtuar që prej fillimit të tij. Shmangi bisedat për shkollën ose detyrat nëse fëmija nuk flet vet për ato.
2. Koha e lojës në det, mal, fshat dhe rrethana të tjera. Është fëmija ai që i zgjedh idetë, ju do të duhet vetëm ta ndiqni dhe të përshtateni dhe të siguroni mjetet e duhura për të realizuar idetë e fëmijës.
3. Aktivitete sportive ku edhe prindi është i përfshirë në lojë me fëmijën.
4. Ndani së bashku hobet që keni si: piktura, kraftet, koleksioni veror i guaskave, i gurëve magjik të lumit ose i gjetheve të pemëve në verë.
5. Loja kompetitive e bouling, kur ndërtohen dy skuadra në familje, babi me motrën dhe mami dhe vëllain, etj.
6. Pazari së bashku.
7. Aktivitete në natyrë së bashku.
Në përmbyllje, çdo gjë që bëhet me qëllimin e argëtimit dhe dhënies së vëmendjes pozitive duke qenë sa më të kënaqur dhe të sinqertë, natyral në këtë angazhim, aq më shumë do të siguroni tek fëmijët tuaj lumturi, dashuri dhe siguri. Fëmija kështu do të mësojë se çfarë në të vërtet ka rëndësi dhe kjo do të reflektojë në zgjedhjet e tij për të ardhmen.
(Nga: Drnt. Denata Toçe, Portali Shkollor)
Të vegjël dhe të mëdhenj…
Mësues dhe prindër, perceptime të ndryshme për të njëjtët fëmijë!
Fundit i Vitit si fillimi i jetës!