Do t’ia dalim koronavirusit
Kam besimin se njerëzimi është i përgatitur të jetë reagues ndaj vështirësive. Kjo është një aftësi e krijuesit tonë. Ne do t’ia dalim mban të jemi mirë, sepse jemi njerëz të kësaj toke që na është dhënë, ta trashëgojmë.
Të gjithë presin nga një psikolog që të thotë fjalët e tij “magjike” për t’i shpëtuar mankthit që ka kapluar botën në këtë situatë virale ku koronavirusi është kthyer në kryefjalën e cdo minute që kalon. Dhe çdo minutë që kalon, duket se po infekton një person tjetër, çdo orë jetë njerëzish janë në rrezik dhe çdo ditë po dëgjomë se nga kjo jetë ikën motrat, vëllezërit dhe familjarët tanë të kësaj bote.
A ka arsye që të kemi frikë? Si do të duhet të përballemi çdo ditë me këtë stil të ri jetese, ku na kërkohet të rrimë në shtëpi gjatë gjithë kohës? A mund të rrimë ne pa levizur dhe pa punuar? A mund t’ia tregojmë fëmijëve tanë se çfarë po ndodh se si të reagojmë ndaj ndjenjave të tyre? A janë fëmijët tanë gati të mendojnë se të afërmit e tyre vulnerabël mund të mos jenë më mes nesh? A mund t’i themi fëmijëve tanë se jemi infektuar ose vet ai është i infektuar nese dalin analizat pozitive? Cfarë duhet të bëjmë kur kuptojmë se kemi një gjëndje virale? A do të duhet të dyndemi marketeve për të mbledhur rezerva ushqimore? A duhet të ndjehemi të kërcënuar nga njëri-tjetri? A mund të parashikohet sot nese do të përfundojë një ditë e gjithë kjo dhe çfarë pasojash do të lërë?
Unë mendoj se bota po kalon një tjetër sfidë historike të ngjashme me shumë prej sfidave që ka kaluar në të shkuarën e saj. Shumë prej virozave të shfaqura dekada përpara dhe në shekullin e kaluar, njerëzimi i ka kaluar me vështirësi dhe me humbje të mëdha, por përjetimi duket sikur është me i madh në këto kohë.
Çfarë po ndodh?
Mos ndoshta atëherë ku sistemi i komunikimit të informacionit nuk ishte kaq i shpejt dhe interneti nuk ishte pjesë e të përditshmes tonë, mbërthyer nga rrjetet sociale. Sot të gjithë ne shpërblehemi me “like” dhe “komente” nga historitë dhe informacionet që ndajme në rrjetet sociale. Ne i tregojmë botës se kemi pushtetit të informojmë dhe t’i flasim një pjesëze të njerëzve lirshëm. Pra, në sot kemi shumë me tëpër pushtet influencues dhe dekada përpara, se një shekull më parë po e po. Pra, duhet të pranojmë se sot COVID-19, ka një terren jo vetëm virulence në shëndetin fizik te njerëzit por edhe një “virulencë” psikologjike nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave. Do të duhet të shikojmë dhe anën pozitive, sesi janë pikërisht këto rrjete sociale që shumë shpejt mund të sensibilizojnë njerëzit dhe t’i inkurajojnë ata të vazhdojnë jetën nën kujdesin e disa udhëzimeve të rëndësishme për t’i ardhur në ndihmë parandalimit të virusit. Por kjo nuk mjafton, sot do të duhet të bëjmë shumë kujdes ndërsa mendojmë se këtë pushtet e përdorim me naivitetin se mund të informojmë botën dhe bien pre dhe e shpërndarjes së panikut dhe informacioneve shpesh pa baza shkencore ose me keq akoma, të rreme.
A ka arsye që të kemi frikë?
Sigurisht që frika është një ndjenjë e zakonshme në këto kohë dhe në çdo kohë ku jeta kërcënohet. Nuk ka askush pushtet t’i thotë gjithësecilit prej nesh “mos ki frikë!”. Reagimi është i natyrshëm dhe ne nuk do të duhet të ndjehemi keq për këtë. Është pikërisht kjo frikë që na mobilizon të reagojmë ndaj vetvetes dhe të “luftojmë” virusin me proaktivitet. Do të duhet që njerëzit të kenë frikë për të qënë vigjilent. Por ajo që e vështirëson reagimin e nevojshëm në situata si këto, është paniku. Pra, nëse frika kthehet në panik, krijon kaos. Dhe një individ në gjëndje kaosi, mund të bëjë lëvizje të pakontrolluara. Si p.sh të marrë rrugët për të shkuar në një qytet tjetër. Të shkojë të vizitojë prindërit. Të shkojë në spital nëse ndjehet keq, ndërkohë që do të duhet të qëndrojë në shtëpi dhe të lajmërojë autoritetet për t’i asistuar. Është ky panik që të shtyn të shkosh në market dhe të bësh pazare të cilat mund të jenë të tepërta duke përqëndruar fondet vetëm në këto blerje, etj. Sërish, a ka vend për frikë? Patjetër që ka, ndërsa mendojmë se jetët tonë janë të kërcënuara. Por nëse do të shikojmë me vëmendje studimet nga burime serioze që tregojnë shifra reale krahasimisht me virozat e tjera dhe sëmundje të tjera, do të vërenim se njerëzimi paska kaluar edhe më keq dhe ia ka dalë më së miri. Kështu që ne shpresojmë se do t’ia dalim më së miri.
Këto janë të dhëna që i përkasin fundit të Janarit të këtij viti, por do të duhet të shikojmë realisht statistikat botërore. Vetëm në Holland periudha e vitit 2018-2019, gipi sezonal vrau 13.000 mijë njerëz. Në francë 9,900. Pra, ne do të duhet që t’i besojmë shifrave për të kuptuar më shumë rreth rreziqeve që i kanosen botës njerëzore çdo vit, gjithë duke mos anashkaluar dhe nënvlerësuar virusin aktual COVID-19. Specifike në këtë virus është virulenca e shpejt me përmbajtje inkubimi dhe se asnjëri prej nesh nuk është imun. Por sërish, shifrat flasin qartë. Gjithashtu shifrat flasin se 97.5 % e personave të prekur shërohen.
A nuk është ky një lajm që do të duhet të qetësonte panikun tonë dhe të mirëmbante frikën e nevojshme për të qenë të kujdesshëm, por jo të alarmuar?
Mendoj se po.
Si do të duhet të përballemi çdo ditë me këtë stil të ri jetese, ku na kërkohet të rrimë në shtëpi gjatë gjithë kohës?
Nuk është e thjeshtë. Për sa kohë ende nuk kemi një historik përfundimtar të virozës dhe se ende po punohet ngushtë për gjetjen e vaksinës, rregullat për izolimin e tij janë ato më efikaset. Pra, do të duhet të izolojmë virusin duke u izoluar vet si potenciali më i madh për transmetimin e tij. Ne jemi ata të cilët kanë më shumë mundësi të sjellin ndryshimin në këto kushte. Të gjithë mjekët, shkencëtarët, politikanët, njerëzit vulnerabël, prindërit tanë, gjyshërit, të afërmit, i kanë sytë nga ne. Ata presin që ne të qëndrojmë në shtëpi, të minimizojmë sa më shumë lëvizjet për të ruajtur njëri-tjetrin dhe vetveten.
Po a është për të gjithë një zgjidhje komode? Sigurisht që jo. Tashmë e gjithë bota nuk është komode përkundrazi, po kalon një stres social ndërsa po mundohet në menaxhojë situatën në fjalë. Tashmë jemi në një situatë pandemie, dhe rehatia është gjëja e fundit e listes.
A mund të rrimë ne pa levizur dhe pa punuar?
Kjo është vështirësia më e madhe e kësaj parehatie, pasi shumë prej nesh do e kenë të vështirë të ndërpresin punën kur kjo e fundit krijon mundësinë e jetesës së përditshme. Pra shumë prej nesh, varen nga të ardhurat ekonomike të punës që bëjnë dhe kjo do t’i çonte në një shterim të të ardhurave. Kjo është një nga parehatitë psikologjike që shoqëron edhe panikun e shumë prej nesh. Në këto kushte, do të thoja se për ato biznese dhe punëmarrës të cilët mund të kenë mundësinë ta bëjnë nga shtëpia, le të jetë ashtu, por për ato që nuk munden, të marrin të gjitha masat për të mbrojtur njëri -tjetrin. Dhe në kushtet kur masat nuk do të merren nga ata që e drejtojnë biznesin në fjalë, atëherë punonjësi me të drejtën njerëzore do të duhet të largohet. Kërcënimi i vendit të punës është i madh dhe i pazakontë, por fundja në këtë kërcënim të përbashkët që na ka dhënë viroza, do të duhet të kemi edhe humbje të përbashkëta të cilat me kohën do të shërohen. Mendoj se shteti do të duhet të kujdeset për alokimin e disa fondeve të posaçme për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje. Nga informacionet e fundit duket se e gjithë bota do të marrë masa për këtë kolaps.
A mund t’ia tregojmë fëmijëve tanë se çfarë po ndodh se si të reagojmë ndaj ndjenjave të tyre?
Fëmijët janë të parët të cilët do të duhet të ndërgjegjësohen mbi këtë virozë. Ne do të duhet, me fjalë të thjeshta, t’i tregojmë se si kanë ndodhur në historinë e njerëzimit ardhja dhe shpërndarja e virozave. Të bëjmë analogjira me sëmundje virale të cilët ata tashmë i njohin. T’i tregojmë se risku për fëmijët që t’i cënohet shëndeti është zero, edhe pse ata mund të infektohen si të gjithë të tjetët. T’i tregojmë se çfarë risku kanë motrat dhe vëllezërit duke u bazuar te statistikat dhe faktet reale. T’i komunikojmë atyre se ata janë mbartës, ndaj dhe do të duhet të qëndrojmë në shtëpi, që e gjithë kjo të mos i duket e çuditshme. T’i tregojmë atyre se nuk mund t’i takojmë gjyshërit pikërisht sepse ata janë dhe grupi më i rrezikuar. Mbi të gjitha, të mund t’i komunikojmë atyre nëpërmjet lojërave kur janë shumë të vegjël. Të bëjmë lojë simbolike me kukulla apo robotë dhe dinozaur të shpjeguar se si mund të ndodh infektimi krahasuar me njerëzit. T’i flasim nëpërmjet historive analogjike dhe librave që kanë shkuajtur për ngjarje të ngjashme si këto, etj. Mbi të gjitha, tregohuni të kujdesshëm që të mos përcillni te fëmijët informacionin se kinezët apo shoqëri të tjera i kanë sjellë dhe se ata janë shkaktarët, etj. Të mos përcjellim frymën e agresivitetit dhe ndëshkimit për të gjithë ata që kanë virusin dhe e përçojnë edhe te ne. Kujtoni se paragjykimi dhe diskriminimi mund të sjellë pasoja më të rënda se një virus që në fund të fundit, ka shumë mundësi shërimi.
A janë fëmijët tanë gati të mendojnë se të afërmit e tyre vulnerabël mund të mos jenë më mes nesh?
Fëmijët nuk janë asnjëherë gati të humbasin persona të dashur për ata, por duke i folur me kujdes rreth grupeve vulnerabël dhe problemeve shoqëruese që kanë disa prej tyre që nuk ia dalin dot, do të mund të jenë më të përgatitur për të kuptuar më shumë dhe më lehtë.
A mund t’i themi fëmijëve tanë se jemi infektuar ose vet ai është i infektuar nese dalin analizat pozitive?
A ia kemi komunikuar ne fëmijëve tanë ngahera vështirësitë organike që kemi pasur kur kemi qenë sëmurë? Në të njëjtën mënyrë do të duhet t’ia komunikojmë se jemi me virozë dhe nëse ndjeheni mirë, t’i tregoni realitetin se si ndjeheni. Dhe nëse fëmijët janë pa qejf, t’i tregoni se është me viroz, jo domosdoshmërisht duke i vendosur një emër, por duke i pyetur se si ndjehen dhe duke i komentuar se në fakt parashikohet që ata të ndjehen mire dhe se pritet që në ditët që vijojnë do të ndjehen edhe më mirë akoma. Komunikimi ka qënë ngahera zgjidhja më e mirë për të kaluar ankthin dhe emocionet e fëmijëve.
Por çfarë do të duhet të bëjmë gjatë kësaj periudhe ndërsa qëndrojmë në shtëpi?
Gjithashtu një mënyrë shumë e mirë për të kaluar kohën, është mbi të gjitha loja, kur mundësisht të gjithë antarët të përfshihen:
- Loja me shkronja për të gjetur emra;
- Loja me 3-sh ose 9-tsh;
- Loja me letra, ku keni mundësi t’i mësoni fëmijëve edhe truke apo lojëra të reja;
- Lojëra me krijimin e një spektakli apo festivali (si dikur );
- Lojëra me pantonime;
- Loja me shah;
- Lojëra me gatime, kush e bën gatimin më të mirë të javës qoftë kjo edhe ëmbëlsirë;
- Loja, kush e mbaron librin më shpejt në një javë dhe mësimi i përmbajtjes së tij. Kush e komenton më mirë, do të përfitojë një ëmbëlsirë të gatuar nga ai që humbet;
- Loja me krijimin e një ekspozite me piktura ose fotografi;
- Etj.
A duhet të ndjehemi të kërcënuar nga njëri-tjetri?
Ne do të duhet të ndjehemi mirë ndërsa ndërgjegjësojmë njëri -tjetrin përpara se të ndjehemi të kërcënuar. Të kontribuojmë duke i dalë hapur tjetrin se është e rëndësishme të marrim masa duke: mos dhënë dorën, përqafuar apo puthur, duke qëndruar larg në distancën e nevojshme të informuar prej autoriteteve, duke vendosur maskë sipas nevojës dhe duke shmangur kontaktet e shpeshta. Mirë është që në këto kohë t’i gëzohemi mundësisë së internetit apo telefonave për të komunikuar mes nesh. Është një përvojë që mendoj se do të na forcojë më shumë emocionalisht dhe do të na bëjë më të afërt mes nesh duke bashkëndarë frikërat dhe emocionet e tjera që përjetojmë në këto kohë.
A mund të parashikohet sot nese do të përfundojë një ditë e gjithë kjo dhe çfarë pasojash do të lërë?
Ne kemi të dhëna historike se si viroza të ngjashme i kemi lënë pas. Mendoj se kështu do të ndodh edhe me konronavirusin. Kam besimin se njerëzimi është i përgatitur të jetë reagues ndaj vështirësive. Kjo është një aftësi e krijuesit tonë. Ne do t’ia dalim mban të jemi mirë sepse jemi njerëz të kësaj toke që na është dhënë, ta trashëgojmë. Pasojat uroj që të jenë ato të një njeriu më të mirë për ta merituar këtë trashëgimi. Të kujdesemi më mirë një njëri-tjetrin dhe t’i thërrasim ndërgjegjes sonë se sa herë që kemi prekur lirinë dhe mirëqënien e tjetrit, kemi prekur atë tonën.
(Denada Toçe, Portali Shkollor)
Denata Toçe: Të kujdesemi për mësuesit tanë
Prindërit gabojnë, fëmijët kërkojnë falje…
Siguria dhe shëndeti në çerdhe dhe në kopshte, nga Denata Toçe