Denata Toçe: Si të mësojmë fëmijët të mbrohen nga abuzimi seksual
Këto diskutime nuk do të parandalojnë absolutisht abuzimin seksual, por njohuria është një parandalues i fuqishëm, veçanërisht për fëmijët e vegjël që janë në shënjestër për shkak të pafajësisë dhe padijes. As një diskutim nuk është i mjaftueshëm. Por gjeni kohë natyrale për të përsëritur këto mesazhe.
Një rast tronditës ka ndodhur në Tiranë ditët e fundit. Një vajzë e mitur është abuzuar seksualisht. Ishte vetëm 12 vjeç kur ka përjetuar abuzimin e pare. Ndërsa dëgjoja për ngjarjen, mendoja se sa shumë faktor kanë dështuar për mbrojtjen e të miturës. Ne radhë të parë, familja e saj. Sinjalet që kanë qenë vazhdimisht në fushëpamjen e tyre, dhe nuk janë konsideruar si kërcënim për mirëqenien e vajzës. Mësuesit janë aktorët e dytë të rëndësishëm, të cilët vëmendshëm do të duhet të merren me nxënësin kur ky i fundit ka ndryshime, sa do të vogla, në sjelljen dhe dukjen e tij. Vërtet nuk kanë vënë re asnjë gjë? Nga ajo që njoh unë, një mësues i mirë është i kujdesshëm në observimet e tij dhe njeh mirë nxënësit me të cilët punon. Ata nuk janë thjesht numra, por kanë një emër, dhe burimi kryesor i rritjes, edukimit dhe vlerësimit është shkolla. Nëse vëmendja mungon, atëherë çfarë ndodh në këtë bashkëjetesë të çuditshme? Psikologu, është aktor kyç në rolin e tij në shkollë m.q.s jemi akoma këtu. Nuk e pash gjëkundi emrin dhe rolin e tij. Nëse do të kishim një shërbim minimalisht të mirë të psikologut në shkollë, si një institucion më vete mbështetjeje, do të kishim tashmë një thirrje natyrale të fëmijëve të cilët vijnë dhe rrëfejnë lëndimet e tyre psikologjike dhe emocionale, me gjithfarë përmbajtjesh. Psikologu do të duhet të jetë një promovues i mbështetjes, ku fëmijët të gjejnë mbrojtje dhe siguri, duke respektuar të gjithë raportet profesionale dhe konfidenciale. Nuk e kuptojë ende se si një fëmijë paraadoleshent dhe adoleshent, si në rastin e të miturës, nuk e ka parë të arsyeshme dhe logjike të shkojë të takojë psikologun e shkollës, nëse ky i fundit ekziston. Është një e mirë e madhe nëse psikologu siguron një atmosferë mikpritëse nga ku fëmijët, sidomos adoleshentët të gjejnë natyrshëm mbështetje. Edhe kjo nuk ndodhi!
Shoqëria është ajo që ka dështuar gjithashtu. Çdokush prej nesh që pa, dëgjojë dhe nuk foli, është jo pjesë e krimit, por mbi të gjitha pjesë e viktimës së abuzimit. Mos harrojmë se abuzuesit seksual, janë shumë pranë nesh, ata janë komshinjtë tanë, mund të jenë edhe miqtë tanë dhe më keq akoma, familjarët tanë. Me këtë dua të them se të gjithë jemi shumë pranë rrezikut dhe fëmijët tanë mund të jenë nesër viktimat e radhës. Çfarë ju vjen të thoni, “larg qoftë?” Kjo është shprehja më primitive dhe më egoiste që kam dëgjuar ndonjëherë. Kjo do të thotë të mos kesh ndërgjegje sociale. Kjo do të thotë të ndodh sa më larg meje, t’i bjerë kujt t’i bjerë, vetëm mua mos të më ndodh!
Po këtu harrojmë se ky fenomen “bie” edhe te vetja jonë. Sot kjo vajzë e mitur, e nesër fëmija jonë. Ndaj dhe zëri ynë është themelor për të parandaluar sa më parë agresorin të bëjë dëme të tjera.
Që kur fëmijët janë të vegjël, ne i kemi mësuar shumë mënyra se si të mbrohen dhe ta mbajnë veten të sigurtë. Kur soba është e nxehtë, ata largohen. Kur kalojnë rrugën ata duhet të ruhen nga të dyja anët. Kur ata janë pranë ujit të thellë, duhet të mbajnë distancë. Ndërsa ndërtohet një pallat, duhet të ecin larg. Të bëjnë kujdes kur ecin që të mos pengohen në objekte të rrezikshme. Madje ka prindër që bëjnë potere të madhe nëse fëmija vetëm rrëzohet, por menduar se ky ishte thjesht një aksident i vogël. Por ne në këtë histori edukimi të fëmijëve tanë, kemi humbur mundësinë t’i tregojmë se si të ruajnë trupin e tyre nga njerëz dashakeqës.
Ne nuk kemi shumë studime në Shqipëri, por një hulumtim i rëndësishëm është kryer nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) vlerëson se afërsisht 1 në 6 djem dhe 1 në 4 vajza abuzohen seksualisht para moshës 18 vjeç. Ajo që është me e frikshme është se, Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë (nsopë.org) vetëm 10% e autorëve ishin të huaj për fëmijët dhe 23% e autorëve ishin vetë fëmijë! (Natasha Daniels, Hoë to Your Anxious Toddler).
Këto statistika duken befasuese, por më besoni, janë të gjitha të vërteta, edhe për këtë vendin tonë që shumë nuk dalin në sipërfaqe dhe duket sikur nuk ndodhin. Gjatë jetës sime profesionale me fëmijët, kam hasur raste të abuzimit madje dhe të fëmijëve nën moshën 7-8 vjeç. Ajo që është e trishtë, pjesa më e madhe e agresorëve janë të afërm të fëmijës.
Shpesh prindërit pohojnë se nuk ka se si t’i ndodh atyre pasi i kanë përpara sytë fëmijëve dhe i qëndrojnë afër dhe nuk i lënë vetëm me të huaj. Por pyetjet që shtrohen janë:
- A mundet ne t’i shikojmë gjithmonë fëmijët tanë gjatë lojës me të tjerë kur dalin përjashta?
- Po në parkun e lojërave, kur ata janë një moment vetëm, a mund të jemi ne gjithë kohës me ta?
- Por në kopsht apo në shkollë a jemi ne gjithmonë me ata?
- Por kur shkojnë në shtëpitë e shokëve, a mund të jemi ne me ata?
- Po kur duhet të shkojnë të blejnë diçka, a jemi ne me ata?
Sigurisht nuk dua që të ngjall shqetësim te prindërit, por dua thjesht t’i ndërgjegjësojë se fëmijët nuk mund të jenë gjithë kohës me ne, dhe kjo është normale për rritjen e tyre. Ka momente autonomie dhe fëmijën kanë nevojë të provojnë besimin e qëndrimit vetëm dhe të kuptojnë vetë botën ku jetojnë jo vetëm nëpërmjet fjalëve dhe syve tanë. Ne do të duhet t’i pajisim fëmijët tanë me armaturën e duhur. Ne duhet të lejojmë që fëmijët tanë të dalin në botë dhe të bashkëveprojnë me shoqërinë përreth tyre. Por ne mund t'i pajisim fëmijët tanë me aftësi dhe njohuri që mund t'i shpëtojnë ata nga të qënurit viktimë.
Prindërit jo gjithmonë flasin me fëmijët e tyre për sigurinë e pjesëve intime të trupit. Ata mendojnë se fëmijët janë shumë të rinj ndoshta. Sot po ju them se nuk është asnjëherë shumë herët. Mos mendoni se po t’i flasim herët fëmijëve, i yshtim ata për gjëra të turpshme, përkundrazi. Kurrë nuk është shumë shpejt, dhe nuk ka pse të jetë një bisedë e frikshme. Le të shikojmë disa prej pikave kur mund të orientohemi:
1. Që në moshë të hershme, flisni për pjesët e trupit.
Në një moshë të caktuar, që kur fëmija është një vjeç, fillon të tregojë pjesët e tij të trupit. Dhe ndërsa ne ia mësojmë fillimisht, mos hezitojmë që me kalimin e kohës të mësojë edhe pjesët intime të trupit. Më vonë, pas moshës tre vjeç, përdorni emrat e duhur të trupit, ose të paktën mësoni fëmijën tuaj se cilat janë fjalët e vërteta për pjesët e trupit të tyre. Ka ende fëmijë që e quajnë pjesën e trupit me emrin e një luleje, zogu apo me emrin e një fruti. Mjaft më, filloni t’i tregoni emrat e vërtetë, edhe pse ju i kërkoni t’i kodojë më pas ato në publik. Fëmijët do të duhet të ndjehen rehat, komod ndërsa i përdorin këto emërtime dhe të dinë se çfarë kuptimi kanë, sepse vetëm kështu mund të ndihmojnë një fëmijë të flasë qartë nëse ka ndodhur diçka e papërshtatshme. Mendojeni pak, nëse ne do të flasim me turp për pjesët tona të trupit, atëherë fëmija do të shmangte të bënte një bisedë ku këto pjesë janë cënuar.
2. Mësojini atyre se disa pjesë të trupit janë private.
Tregojuni fëmijës tuaj që pjesët e tyre private quhen private sepse nuk janë për të gjithë që t'i shohin. Shpjegoni që mamaja dhe babi mund t'i shohin të zhveshur, por njerëzit jashtë shtëpisë duhet t'i shohin vetëm me rrobat e tyre. Shpjegoni se si mjeku i tyre mund t'i shohë pa rrobat e tyre sepse nëna dhe babi janë atje me ta dhe mjeku po kontrollon trupin e tyre. Tregojini se ASKUSH dhe ASKUSH nuk mund të bëjë dush me ata, apo t’i lajë ata nëse nuk janë prindërit. E njëjta gjë ndodh edhe në krevatin e tyre, ndërsa dikush propozon t’i vë fëmijët në gjumë apo t’i tregojë një përrallë. VETËM prindërit kanë të drejtë ta bëjnë këtë gjë.
3. Mësojini fëmijëve se cilët janë kufijtë e trupit të tyre.
Flisni sa më hapur me fëmijën rreth faktit se ASKUSH nuk duhet të prekë pjesët e tyre private, as edhe prindërit pas moshës 3 vjeç kur fëmijët lahen (do të fillojnë të lahen vet në pjesët intime) dhe se ASKUSH nuk duhet t'i kërkojë ata të prekin pjesët private të dikujt tjetër. Prindërit shpesh do të harrojnë pjesën e dytë të kësaj fjalie. Abuzimi seksual shpesh fillon kur kryesi i kërkon fëmijës t'i prekë ata ose dikë tjetër.
4. Tregoni fëmijës tuaj se nuk ka sekrete përsa i përket trupit.
Shumica e autorëve do t'i thonë fëmijës që abuzimin ta mbajë sekret. Kjo mund të bëhet në një mënyrë miqësore, siç është, "Unë dua të luaj me ju, por nëse i tregoni kujtdo tjetër se çfarë kemi luajtur ata nuk do të më lejonë që të vij përsëri këtu". Ose mund të jetë një kërcënim: “Ky është sekreti ynë. Nëse do i thuash ndokujt, unë do t'u them atyre se ishte ideja jote dhe do t’i kesh keq punët!"
Thojini fëmijëve tuaj, pavarësisht se çfarë u thotë dikush, sekretet për pjesët e trupit nuk duhet të ndodhin dhe ata duhet t'ju tregojnë gjithmonë nëse dikush përpiqet t'i bëjë ata të mbajnë një sekret për pjesët e tyre intime të trupit. Inkurajojini fëmijët që të tregojnë direkt sepse ata mund t’i bëjnë keq. Tregojini fëmijëve se loja duhet të jetë argëtuese dhe me bashkëmoshatarët e tij dhe mbi të gjitha ASKUSH dhe ASKUSH nuk mund të luaj me pjesët e trupit të tij ose të detyrojë të prek pjesët e dikujt tjetër. AJO NUK ËSHTË LOJË! Nëse dikush i thotë se është lojë, do që t’i bëjë keq dhe kështu fëmija do të duhet t’ia tregojë menjëherë prindërve.
5. Tregoni fëmijës suaj se askush nuk duhet të bëjë foto të pjesëve të tyre private.
Kjo shpesh mungon nga prindërit. Ekziston një botë e tërë e sëmurë atje nga pedofilë që duan të marrin dhe tregtojnë fotografi të fëmijëve lakuriq në internet. Kjo është një epidemi dhe e vë në rrezik fëmijën tuaj. Tregojuni fëmijëve tuaj që askush nuk duhet të bëjë fotografi me pjesët e tyre private apo trupin e tyre të zhveshur.
6. Mësoni fëmijën tuaj se si të dalë nga situata të frikshme ose të pakëndshme.
Disa fëmijë ndjehen në vështirësi kur u thonë njerëzve "jo!" – veçanërisht të rriturve apo të moshuarve. Thuaju atyre se është në rregull të thuash një të rrituri që duhet të largohet, nëse diçka e caktuar i bënë atyre të ndjehen keq, dhe ndihmojini ata, fëmijët, me fjalë për të dalë nga situata të pakëndshme. Tregojini fëmijës tuaj që nëse dikush dëshiron të shohë ose prekë pjesët private, ai mund t'u thotë atyre se duhet të largohen për të shkuar në tualet, ose më dhëmb barku shumë dhe duhet të shkojë në banjo urgjentisht.
7. Krijoni një fjalë kod që fëmijët tuaj mund të përdorin kur ndjehen të pasigurt ose duan që ju t’i largoni.
Ndërsa fëmijët rriten, ju mund t'u jepni atyre një fjalë KOD që mund të përdorin kur ndihen të pasigurt. Kjo mund të përdoret në shtëpi, kur ka mysafirë në shtëpi ose kur janë jashtë, në lojë ose me njerëz të tjerë nëpër ambiente të ndryshme dhe mbi të gjitha kur duhet të flenë te shokët e tyre. Ata mund të telefonojnë dhe të përdorin një frazë kod si “çdo gjë është si dielli!”. Nëse përdoret fjala “diell!” atëherë fëmija është në rrezik.
8. Komunikojini fëmijëve tuaj se kurrë nuk do të kenë asnjë problem nëse ata u tregojnë atyre, prindërve, një sekret për pjesët e tyre intime.
Shpesh fëmijët shprehen te psikologët se ata nuk i kanë treguar prindërve të tyre që të mos kishin telashe më mbrapa. Sepse ndoshta ata do të mendonin se kanë bërë diçka të turpshme. Kjo frikë shpesh përdoret nga autorët si kërcënim. Tregojini fëmijës tuaj se pavarësisht se çfarë mund të ketë ndodhur, asnjë gjë që ata mund t’i tregojnë prindërve do t’i vinte në vështirësi. ASNJËHERË prindërit nuk do t’i bënin gjë, përkundrazi do t’i mbronin dhe t’i mbanin pranë dhe me siguri që do t’i shpëtonin nga keqbërësit.
9. Tregojini fëmijës tuaj se shpesh prekjet e trupit mund t’ju gudulisin dhe të bëjnë të ndjeheni mirë.
Shumë prindër dhe libra flasin për "prekje të mirë dhe prekje të keqe", por kjo mund të jetë konfuze sepse shpesh këto prekje nuk dëmtojnë ose ndjehen keq. Unë preferoj termin "prekje e fshehtë", pasi është një përshkrim më i saktë i asaj që mund të ndodhë. Pra edhe pse ata mund të ndjehen mirë, nuk duhet ta lejojnë të ndodh nëse është nga të rritur dhe mbi të gjitha në fshehtësi.
10. Tregojini fëmijës tuaj që këto rregulla vlejnë edhe për njerëzit që njohin, madje edhe me një fëmijë tjetër.
Kjo është një pikë e rëndësishme për të diskutuar me fëmijën tuaj. Kur pyet një fëmijë të ri se si duket një "djalë i keq", ata me siguri do të përshkruajnë një personazh vizatimor. Ju mund të thoni diçka si: "Mamaja dhe babi mund të prekin pjesët tuaja private kur ne po ju pastrojmë ose nëse keni nevojë për krem - por askush tjetër nuk duhet t'ju prekë atje. Jo miq, jo halla ose xhaxha, jo mësues apo trajnerë. Edhe nëse ju pëlqejnë ata ose mendoni se janë përgjegjës, ata sërish nuk duhet të prekin pjesët tuaja private".
Unë nuk jam aq naive sa të besoj se këto diskutime do të parandalojnë absolutisht abuzimin seksual, por njohuria është një parandalues i fuqishëm, veçanërisht me fëmijët e vegjël që janë në shënjestër për shkak të pafajësisë dhe injorancës së tyre në këtë fushë. Dhe një diskutim nuk është i mjaftueshëm. Gjeni kohë natyrale për të përsëritur këto mesazhe, të tilla si koha e banjës ose kur ata po rrotullohen lakuriq.
10 këshillat u janë referuar librit të autores: Natasha Daniels, September 2015, How to Parent Your Anxious Toddler
Denata Toçe, Maj 2020
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Lojë e lirë, fëmijë më të mirë...
Të vegjël dhe të mëdhenj…
Detyra pa bërë naze