Zyshë, ç’do të thotë arna?
Kjo pyetje kaq e thjeshtë dhe naive më bëri të reflektoja rreth një problemi shumë të mprehtë që lidhet me të rinjtë dhe marrëdhëniet e tyre me statuset ekonomike.
Hyj në klasë dhe nis të lexoj “Kinemaja e vjetër”, poezi e poetit tonë të madh I. Kadare, e përfshirë në materialin e maturës shtetërore:
………..
Bota fund s'kish e anë,
Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ish me arna.
Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna…..
-Zyshë, ndjesë që të ndërpres. Ç’do të thotë arna?
Kjo pyetje kaq e thjeshtë dhe naive më bëri të reflektoja rreth një problemi shumë të mprehtë që lidhet me të rinjtë dhe marrëdhëniet e tyre me statuset ekonomike.
Në vitin 2012 projekti Pissa teston 29 000 nxënës 15-17 vjeçarë të 18 vendeve të BE, në një pyetësor me përgjigje alternative në fushën e ekonomisë. Kjo shifër prezantonte rreth 9 milionë bashkëmoshatarë të tyre në vendet e BE.
Raporti i përpiluar pas këtij testimi e përkufizonte “alfabetizmin financiar të nxënësve” si “njohja dhe përthithja e koncepteve dhe rreziqeve financiare të njësuara te kompetencat, në motivimin dhe besimin ne vetvete për të përdorur të tilla kompetenca dhe njohje më së fundi, për të marrë vendime efikase në një tërësi kontekstesh financiare, për të përmirësuar statusin financiar të individëve dhe shoqërisë si dhe për t’i hapur rrugë pjesëmarrjes në jetën ekonomike”.
Në përgjithësi Raporti Pissa 2012 synonte të evidentonte se sa më shumë një individ është i aftë të të kuptojë konceptet dhe produktet financiare, aq më i saktë do të jetë në marrjen e vendimeve ekonomike dhe më i përgjegjshëm do të ishte në ecurinë e tij profesionale.
Përgjithësisht në mes të rinjve dhe ekonomisë ka një marrëdhënie pothuajse të huaj, në kuptimin që të rinjtë e konsiderojnë ekonominë si një entitet abstrakt, kompleks dhe disiplinor të largët nga jeta e tyre.
Nëse i pyesim të rinjtë: “Ç’është ekonomia dhe cili është funksionimi i sistemit ekonomik”, nuk mund të gjejnë përgjigje të kënaqshme, përveçse në atë që ata kanë mësuar nga mediat masive në drejtim të lajmeve, ose formate të memorizuara nga tekstet shkollore.
Nga ana tjetër të rinjtë ekonominë e konsiderojnë një element familjar, pak a shumë subjektin më të rëndësishëm përfaqësues të familjes nga pikëpamja e konsumit dhe furnizimit të punës. Madje edhe në nivelin e mësimdhënies ekonomia ka një peshë relative, ndërkohë që ajo duhet të ketë vendin e saj të rëndësishëm. Me pak fjalë sado që mes të rinjve dhe ekonomisë duhet të ketë një lidhje të ngushtë, në realitet ajo nuk është dhe aq e ngushtë.
Të rinjtë, si pjesë e familjes ndihmojnë për të formuar “agregatin” e konsumatorit dhe jetojnë të njëjtin nivel ekonomik që lejojnë të ardhurat familjare, por mosha e tyre bën që menaxhimin e të ardhurave tua delegojnë prindërve. Kjo bën që të rinjtë të mos jenë të interesuar për të studiuar ekonominë dhe për të marrë pjesë në përgjithësi në politikën ekonomike.
Në fakt, në realitet të rinjtë përfaqësojnë një segment të rëndësishëm të kërkesës konsumatore: kërkesës për arsimim dhe ofertë pune.
Ndaj dhe pyetja e pafaj e nxënësit më çon në përfundimin se mes të rinjve dhe ekonomisë- edhe pse ekziston një lidhje e padukshme- njohjet “nga afër’ janë të largëta.
Gjithsesi, raporti “i huaj” mes ekonomisë dhe të rinjve është i variueshëm. Ai është formëzuar në kohë, por ndryshon kur të rinjtë i qasen ekonomisë si konsumatorë.
Në kushtet e luhatjeve të ndryshme ekonomike, të rinjtë i afrohen ekonomisë duke u bërë të ndërgjegjshëm që e tashmja e tyre, por sidomos e ardhmja ekonomike është e pasigurtë. Veç kësaj, edhe ekonomia më së fundmi, po nis t’i japë edhe të rinjve në mënyrë më të thjeshtë një ngjyrim ekonomik të pasurisë ekonomike, të domosdoshëm për vendin. Rrjedhojë e kësaj është përfundimi se ky është brezi që po paguan dhe do vazhdojë të paguajë efektet e miopisë së zgjedhjeve politiko-ekonomike.
Kështu, kujdesi i të rinjve për ekonominë nuk mundet e nuk duhet të ndërpritet.
Pyetja naive e nxënësit më çoi në një tjetër përfundim: në mënyrë paradoksale pikërisht në periudhat e rritjes ekonomike euforia e mirëqenies zbut nevojën e të qenurit vigjëlentë në përdorimin efiçent të resurseve, qoftë në këndvështrimin teknik apo atë ekonomik. Vëmendja e të rinjve dhe përfshirja e tyre në jetën ekonomike dhe sidomos në zgjedhjet publike e private, duhet të jenë progresive sepse ato i japin efektet tek gjeneratat e reja.
Pyetja e nxënësit: “Zyshë ç’do të thotë “arna?”, përsëritet në shumë forma të tjera dhe më jep kënaqësinë e një statusi të veçantë ekonomik në të cilin i kemi pozicionuar fëmijët tanë, por gjithsesi më jep edhe ndjesinë e pasigurisë së orinetimit të të rinjve në probleme ekonomike që i përkasin edhe rrafsheve diakronike. Sepse përvoja na ka mësuar se që një situatë, e cilitdo lloj qoftë, që të superohet, kërkon patjetër njohjen e historikut të saj.
(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)
Vlerësimi përfundimtar, përshkrimi i notës
Datat e provimeve të lirimit 2021
Etika e komunikimit, fjalori i nxënësve të shkollave si (nuk) duhet të jetë, nga Muhamet Selmani