Zhvillohen sot zgjedhjet për drejtuesit e rinj në 12 universitete publike në vend
Po zhvillohen zgjedhjet në 12 universitete publike të vendit për rektorët, dekanët dhe drejtuesit e departamenteve.4 mijë pedagogë dhe 70 mijë studentë kanë të drejtën e votës për krerët e rinj të shkollave të larta.Procesi i votimit mbyllet në orën 16.00, kohë kur do mësohet edhe përqindja e pjesëmarrësve.
Ditën e sotme personeli akademik dhe studentët u janë drejtuar kutive të votimit në 12 universitete publike për të zgjedhur rektorët, senatet akademike dhe përgjegjësit e departamenteve.
Zgjedhjet po zhvillohen në një klimë të pazakontë për shkak të Pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19. Por jemi informuar se këto zgjedhje po zhvillohen duke respektuar të gjitha masat anticovid. Mësohet se nën masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit, votuesve përpos mjetit të identifikimit, u matet temperatura para hyrjes në qendrën e votimit, si dhe pajisen me maska e doreza.
Procesi i votimit
Procesi i votimi ka nisur që në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të vijojë deri në orën 16:00 të kësaj pasditeje. 4 mijë pedagogë dhe 70 mijë studentë kanë të drejtën e votës për krerët e rinj të shkollave të larta. Zgjedhjet konkretisht po zhvillohen në 12 universitete publike në vend, konkretisht në: Universitetin e Tiranës, Universitetin Politeknik, Universitetin e Mjekësisë, Universitetin Bujqësor, Universitetin e Arteve, Universitetin e Sporteve, Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës, Universitetin ‘Fan S. Noli’ në Korçë, Universitetin ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan, Universitetin ‘Ismail Qemali’ në Vlorë dhe në Universitetin ‘Eqrem Çabej’ në Gjirokastër. Vëmendja duket se është përqendruar këto kohë te Universiteti i Tiranës ku gara për rektor zhvillohet ndërmjet tre kandidatëve, Artan Hoxhës nga Falukteti i Drejtësisë, Mimoza Hafizit nga Shkencat e Natyrës dhe Kozeta Sevranit nga Fakulteti Ekonomik
Në çdo komision, të KIZ, KFZ apo KQV, ka përfaqësues nga personeli akademik edhe nga studentët. Në bashkëpunim me administratorët e universiteteve dhe me personelin ndihmës është menduar të shmangen sa më shumë grumbullimet dhe kontakti i votuesve me njëri-tjetrin, duke qëndruar për një kohë të gjatë në të njëjtin ambient. Pritet të jetë një proces normal zgjedhor, votuesi do të identifikohet përmes kartës së identitetit, pasaportës dhe kartës së studentit (nëse është student). Pasi merren fletët e votimit, personeli akademik voton për rektor, dekan, shef departamenti dhe për anëtarë Senati si përfaqësues i personelit akademik. Ndërsa studentët votojnë për rektorin, për dekanin dhe për anëtarë të Senatit si përfaqësues të studentëve. Pra stafi akademik merr 4 fletë votimi ndërsa studenti pajiset me 3 të tilla. Zakonisht salla ku është vendosur KZF-ja (Komisioni Zgjedhor i Fakultetit), shërben edhe si qendër votimi për stafin akademik. Ndërsa studentët, varësisht nga numri i tyre në listën zgjedhore, kanë qendrat e tyre të votimit. Kujtojmë se një qendër votimi hapet për çdo 1000 zgjedhës.
Debatet për datën e zgjedhjeve
Data e zgjedhjeve e këtij 30 korriku në universitete, e shpallur nga Ministrja e MASR, Besa Shahini, u kundërshtua nga shumë akademikë, duke u nisur nga situata e krijuar me përhapjen e pandemisë. Më herët edhe rektori aktual i UT Mynyr Koni vendosi të mos njohë Këshillin Institucional Zgjedhor si të ligjshëm. Ai shkarkoi nga detyra 5 anëtarët e KIZ, ndërkohë që Senati i Universitetit është shprehur se këta të fundit duhet të ushtrojnë mandatin deri në përfundim të zgjedhjeve. Reagime ka pasur edhe nga opozita politike në vend. Përfaqësues nga PD janë shprehur sot se "Qeveria i ka hequr të drejtën e votës 75% të studentëve, pasi këta të fundit e kanë pasur të pamundur të marrin pjesë në zgjedhje në këtë kohë që nuk janë në auditor".
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!