ANALIZA

Zgjidhja e provimit të maturës për poezinë e Lasgushit

Në testin e provimit të maturës midis pyetjeve të tjera, ishte edhe një që lidhej me poezinë e Lasgush Poradecit “Dritë fshehtësije”. Zgjidhja duhet të gjendet midis katër alternativave: gëzohem, çlirohem, gjunjëzohem, shmangem.

Në testin e provimit të maturës në lëndën “Gjuha shqipe dhe Letërsi”, më datë 11.06.2020, midis pyetjeve të tjera, ishte edhe një që lidhej me poezinë e Lasgush Poradecit “Dritë fshehtësije”. Kërkohej kuptimi i saktë me të cilin ishte përdorur fjala “dlirnja”. Zgjidhja duhet të gjendet midis katër alternativave: gëzohem, çlirohem, gjunjëzohem, shmangem.


Në poezinë “Dritë fshehtësije” përdorimi i foljes “dlirnja” nuk mund të zëvendësohet me asnjë nga kuptimet që afron fjalori i gjuhës shqipe i Akademisë së Shkencave. Me një kuptim shumë të sforcuar metaforik dhe me mundësi pothuajse të barabarta midis tyre, mund të përafrohen disi dy nga alternativat e dhëna: “çlirohem” dhe “shmangem”.


Zgjidhja duhet kërkuar tek analiza e thelluar e poezisë. Madje edhe kjo mund të mos mjaftojë, nëse nuk njihen mirë tipologjia artistike dhe fushat tematike tipike të krejt poezive të Lasgushit. Duke e shqyrtuar me vëmendje poezinë “Dritë fshehtësije”, gjithashtu, duke pasur parasysh udhëzimet e teorisë së letërsisë, sipas së cilës përcaktimi i kuptimit të tekstit varet nga bashkëveprimi i qëllimit të autorit, qëllimit të tekstit, këndvështrimit të lexuesit dhe kontekstit, e them me siguri se kuptimi që mund të rivalizojë këtu foljen “dlirnja” nuk është asnjë nga katër alternativat e dhëna. Fusha izotopike prej nga mund të zgjidhet termi që jep kuptim të njëjtë me fjalën “dlirnja” përbëhet nga folje të tilla, si: përjashtoja, lija mënjanë, hiqja, veçoja, mohoja, ndaja, shkëputja, largoja, zhvishja, pastroja.


Zgjidhja përcaktohet pikërisht tek ajo semë e përbashkët që gjendet në boshtin kuptimor të këtyre foljeve, falë së cilës ato mund të lidhen mes tyre në një paradigmë. Foljet në formën “çliroja” dhe “shmangia” edhe mund të pranohen, por janë shumë më të largëta dhe, sidomos, të sfiduara prej dhjetë foleve që unë rendita më sipër. Ndërkohë që maturanti mund ta gjente fjalën që e kënaq më mirë “ekuacionin”, mirëpo ekuacionin e kënaqin njëherësh, të paktën, dhjetë fjalë. Atëherë, a mund të ndërtohet një tekst në letërsi që kërkon saktësi “matematikore”? Kjo vështirësi praktikisht mund të shmanget nga distanca e dukshme kategoriale midis alternativave të zgjedhura. Përsëri kujtoj se parimi teorik është se çdo domethënie që teksti e mbështet është e pranueshme.


Po rikthehem tek teksti i poezisë. Ajo që nuk do të “shkëpusë”, “ndajë”, “veçojë” nga “kuptimi i tij i ngushtë” uni lirik janë pikërisht objektet e apostrofuar në strofën e parë të poezisë dhe që rimerren pothuajse një-për-një edhe në strofën e fundit. Si domethënie të tekstit mund të përcaktojmë kuriozitetin filozofik dhe gjendjen e afektuar e unit lirik prej çudisë se cilat forma lëvizjeje e mbajnë në një ekuilibër “të përjetshëm” makrokozmosin. Mikrokozmosin e mban dashuria e thellë, ajo ndjenjë e fortë, e përkufizuar si “gaz e helm”. Kjo është lëvizja e brendshme e shpirtit të njeriut, e cila i siguron përjetësinë, në të njëjtën mënyrë sikurse makrobotës ia sigurojnë format e veta të lëvizjes. Tek forca apo lëvizja që siguron përjetësinë, uni lirik gjen faktorin e rëndësishëm që i bën të ngjashme dhe të përputhshme këto dy botë: natyroren dhe njerëzoren. Prandaj ai nuk mund t’i ndajë a veçojë ato nga njëra-tjetra.


Kjo e fundit është bota e brendshme e ndjenjave dhe konkretisht e ndjenjës së dashurisë. Për të zbuluar enigmat e të dyja këtyre botëve “Bjenë fellë ment’ e mija dhe çuditen dyke pyetur”. Poezia, në një mënyrë tepër interesante lidh përmes një interesimi të njëjtë temën e zbulimit të fshehtësisë kozmike me temën e ëmbëlsisë dhe misterit të dikotomisë “bukuri, dashuri – tmerr, llaftari”, që shkakton dashuria. Pikërisht këto dy fusha afeksionesh nuk mund të ndajë veç e veç nga njëra-tjetra uni lirik në këtë poezi. Ai vetë ka përdorur fjalën “dlirnja”. Të shikojmë se cilën prej katër alternativave do të zbulojë si të saktë komisioni i hartimit të testit. Por ajo do të jetë një alternativë e pasaktë, ose, të paktën, e sfiduar dukshëm prej termave që unë përmenda më sipër si zgjidhje të ushtrimit.



Analizë nga Muharrem Jakupi, profesor në Universitetin "Aleksandër Moisiu", Durrës

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,744 Lexime
4 vjet më parë