Braktisja e “fshehtë” e shkollës
A e keni menduar ndonjëherë se shkolla mund të braktiset edhe në mënyrë të “fshehtë”? Punonjësja sociale Klodiana Peka sjellë një këndvështrim të ri të braktisjes së shkollës nga fëmijët e parashkollorit dhe të fillores, duke bërë një analizë psiko-edukative dhe sociale.
Sot shkolla është bërë një barrë e rëndë (lodhja që pësojnë fëmijët dhe prindërit është kaq e madhe sa u ka shkaktuar një stres të rënduar emocional ). Dërgimi dhe marrja nga shkolla e fëmijëve nuk përcjell më shkëlqim dhe energji si më parë. Kjo vlen për çdo prind të arsimuar, të pasur apo të paarsimuar..
Në këto përjetime të gjithë janë të barabartë…
Pse e quaj braktisja e “fshehtë”e shkollës?!
Për këto arsye si më poshtë:
▪Mungesa e kultivimit të rëndësisë së shkollës.(Mosndërgjegjësimi i fëmijëve për vlerat që mbart shkolla dhe mësuesi).
▪Një arsye tjetër shumë e forte është edhe mënyra e zhvillimit të mësimit në klasë. A nxiten nxënësit për të qenë pjesë e mësimit? A ndihen mirë në klasë?
▪Ka nxënës që nuk janë mendërisht dhe vizualisht aty dhe kjo vjen si pasojë e punës aktive të mësuesve vetëm me disa nxënës në klasë…Po pjesa tjetër, ku është? Pse nuk janë aktivë dhe të barabartë? Unë kam njohur nxënës që në klasë, fletorja e tyre qëndron e pa nisur. Ka vetëm datë dhe detyrë klase... e pa plotësuar për tre muaj shkollë. Vallë ka filluar shkolla?! Kalon koha…ikin vitet dhe vështirësohet programi. .
▪Fëmijët qëndrojnë në klasë vetëm fizikisht dhe jo mendërisht. Nuk janë të vëmendshëm kur shpjegohet mësimi sepse nuk kanë dëshirë, janë të prirur më shumë drejt dëshirave dhe tekave.
▪Nuk shkruajnë, nuk shprehen sepse nuk lexojnë libra.
▪Janë pasiv, të hutuar, jo bashkëpunues dhe nuk kanë kuriozitet të dëgjojnë shpjegimin e mësimit.
▪ Botëkuptimi i tyre nuk i përket librave por mjeteve teknologjike. Shpenzimi i kohës së fëmijëve me mjetet elektronike dhe mbipërdorimi i internetit u ndikon në pjesën e të nxënit, kanë probleme me kujtesën, nuk kanë përqendrim, dhe u ulet niveli i inteligjencës.
▪Ka nxënës që nuk duan përgjegjësi, janë dembelë, janë mësuar t’i gjejnë gati gjërat nga prindërit, mësuesit dhe gjyshërit.
▪Problem shumë është indiferentizmi i prindërve për të vlerësuar njohuritë dhe nxënien e fëmijës së tyre.
▪Mospërgatitja e njohurive të parashkollorit që shënon fillimin e klasës së parë. (Ka fëmije që hyjnë në klasën e parë pa njohur shkronjat, ose nuk dine të përdorin lapsin).
▪Ka fëmijë që kanë mungesë të zhvillimit motorik ose njohës. Futen në klasë të parë shumë herët nga zhvillimi qe kanë. Prandaj ose duhet të përsërisin klasën e parë ose do të vazhdojnë të kenë mangësi në vazhdim.
▪Prindërit kanë arritur të mos i njohin fëmijët në brendësi dhe mos të pranojnë problemet e zhvillimit te tyre. Ata nuk po kalojnë kohë me ta sepse jeta është bërë shumë e vrullshme: punë me orar të gjatë, ambicie, karrierë, nevoja për mirëqenie etj. Problemet familjare (divorci, zënkat midis prindërve, humbja e ndonjë prindi) ndikojnë negativisht në gjendjen emocionale dhe intelektuale te fëmija. Ata nuk i njohin se nuk kalojnë kohë me ta, por duan t’i lëshojnë në vende të tjera...dhe mendojnë se atje do ju ofrohet zgjidhja, sepse paguajnë.Nuk është gjithçka leku por më shumë vlen koha dhe mësimi i jetës qe i ofron. Fëmijët kanë më shumë nevojë për figurën prindërore, të ndajnë çdo gjë së bashku duke filluar nga ndjesitë, njohuritë, lojërat, çdo gjë…
Si ta parandojmë këtë braktisje të “fshehtë” të shkollës?
Luftojeni këtë “braktisje të fshehtë” të shkollës sa jeni në kohë, sepse mund të arrini ndryshimin dhe përmirësimin e fëmijës.
- Qëndroni më shumë kohë me fëmijët tuaj .
- Flisni sa më shumë për rëndësinë e arsimit.
- Kontrolloni njohuritë e fëmijëve, puna vlen zinxhir, nga shkolla, te qëndra e studimit,pastaj në duart dhe edukimin tuaj.
- Mos i lejoni të krijojnë varësi ndaj mjeteve elektronike.
- Mësojini me detyra dhe me përgjegjësitë që u takojnë.
- Lexoni së bashku …Lejojeni fëmijët tuaj të interpretojë librin me fjalët e tyre.
- Bëni shëtitje në natyrë.
- Fëmija ka nevojë të hajë shëndetshëm. Gatime shtëpie të pasura me vitamina.
- Mos i kushtoni rëndësi anës materiale, por anës shpirtërore. (Nuk është gjithçka leku por më shumë vlen koha dhe mësimi i jetës qe i ofron).
- Mësuesit duhet të bashkëpunojnë më shumë me prindërit dhe të pasqyrojnë të vërtetën e nxënësit (më shumë e njeh mësuesi intelektin, aftësinë apo nxënien e fëmijës).
Nga Klodiana Peka, punonjëse sociale
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Vlerësimi i punës së mësuesit sipas standardeve të fundit