OPINION

Zëri që (s’)ka ende forcën të ndëshkojë!

NE të mos mbetemi thjesht një grahmë e madhe kolektive, gati-gati në një vështirësi për të rënkuar. Apo “ca kollitje sporadike, zhurma kraharorësh dhe gurmazesh”. Këtë herë, ky ZË-kolektiv, duhet t’i shkojë deri në fund së vërtetës!

I dashur fëmijë i brishtë, kushdo qofsh, sepse mund të ishe edhe fëmija im (ruajna Zot)!


Dhunuesi psikologjik apo fizik yti – në çerdhe, kopsht, shkollë, shtëpi fëmije, në rrugë a kudo qoftë – të thotë përditë (me zë të lartë, madje): “Është mungesë edukate t’i presësh fjalën atij që po të flet apo dhunon… Është e vështirë që unë të ndiej keqardhje për dikë. Të dija të bindur dhe të edukuar?! Kurse ti qenke “i pasjellshëm” dhe na hiqesh si fëmijë i zgjuar". Megjithatë, një fëmijë i zgjuar kur ka frikë, nuk qan dhe nuk kërkon ndihmë. DHE DERISA UNË TË JEM NË NJË VEND NGA KU MUND TË USHTROJ GJITHË FORCËN DHE AUTORITETIN TIM, PA MË PENGUAR ASKUSH, UNË DO TË TË NDËSHKOJ! Sepse kam një mendje të sëmurë, sepse më është mpirë ndjeshmëria dhe jam i papërgjegjshëm.”


I dashur fëmijë (kudo që je), ti duhet të dish se, këta janë individë që bezdisen edhe nga duart e veta – duar të rënda, si të deformuara nga kujtimi i veprimeve që iu është dashur të bëjnë. Po, duar të fëlliqura, që mbërthejnë një trup aq të imët, një krah të pafuqishëm.


Duhet të dish se, “edhe duart e tyre kanë kujtesë". Një kujtesë kokëfortë, e ngjeshur, e dhunshme, që dridhet në sipërfaqen e lëkurës, në mishin e pëllëmbëve, në çdo nerv, në çdo ind, në çdo vijë jete të djersitur, poshtë të gjithë thonjve, si zhul pa kujtesë. Ndaj dhunuesit tënd i duhet rregullisht t’i mbajë të zëna duart, sepse i kujtojnë shumë mirë krimin e shëmtuar. Nëse, gabimisht, i lënë duart të hapura dhe të papuna, ato do t’iu ngrihen përpara fytyrës dhe ndërsa vështrojnë dhjetë gishtat që lëvizin ngadalë kockat akuzuese, do të kuptojnë menjëherë se kujtimet e turpshme nuk mbahen brenda kafkës, por në mishin e ndyrë të duarve. Çdo shenjë e gishtave, si vulë që provon dhimbjen që ka shkaktuar.


Kjo kujtesë do t’i vrasë pak nga pak, por pa mundur të fshijë nga kujtesa jote çfarë të shkaktoi…Nuk dua të të gënjej ty fëmijë i pafajshëm (i përfshirë rastësisht në situata të pakëndshme), dua të tregohem e sinqertë me ty: çudia apo historia e ndëshkimit të “ndëshkuesit tënd” do të zgjasë shumë pak ditë (në media, TV, rrjete sociale, në bisedat e përditshme në tryeza kafenesh, apo si moto e një shoqërie civile për të mbledhur një grusht njerëzish në sheh), derisa të dalë një “histori akoma më lënduese”, një tjetër skandal që të na tronditë. Sërish, nuk do të mungojnë reagimet shumëzërash nga njerëz të thjeshtë apo me emër qofshin. Sepse ndjeshmëria për një fëmijë, i kalon kufijtë e dhembshurisë. Të gjithë përulemi, përlotemi, dorëzohemi para saj. Ajo që do të doja,  në fakt, është që NE të mos mbetemi thjesht një grahmë e madhe kolektive, gati-gati në një vështirësi për të rënkuar. Apo “ca kollitje sporadike, zhurma kraharorësh dhe gurmazesh”. Këtë herë (dhe çdo herë), si kurrë ndonjëherë, ky ZË-kolektiv, duhet t’i shkojë deri në fund së vërtetës!


(Artemisa Bushi; Portali Shkollor)

3,022 Lexime
5 vjet më parë